Çrregullimet e ushqyerjes janë një problematikë e shpeshtë e shfaqur gjatë viteve të fundit, veçanërisht tek moshat e reja. Në përgjithësi më të rrezikuara nga këto lloje çrregullimesh janë femrat, por nuk mungon shfaqja e tyre edhe tek meshkujt.
Mjekja Ilda Xhelili tregon në vijim të shkrimit se cilat janë tre format më të shpeshta të çrregullimeve të ushqyerjes, simptomat dalluese, ndërlikimet që pacienti rrezikon nëse nuk merret ndihma e duhur mjekësore, si dhe këshillat që duhet të ndiqni në trajtimin sa më efikas të tyre.
Mjekja tregon se anoreksia nervore dhe bulimia shfaqen më shpesh tek femrat, ndërkohë që çrregullimet e të ngrënit mund të prekin njëlloj të dyja gjinitë.
Cilat janë llojet më të shpeshta të çrregullimeve të ushqyerjes?
Me çrregullime të ushqyerjes kuptojmë një grup kushtesh të caktuara që karakterizohen nga një marrëdhënie jo e shëndetshme me ushqimin.
Këto çrregullime janë një problem serioz mjekësor që mund të kenë pasoja shëndetësore afatgjata nëse nuk trajtohen në kohën e duhur.
Tre llojet më kryesore të çrregullimeve të ushqyerjes janë: Anoreksia nervore, Bulimia nervore, si dhe Çrregullimet e të ngrënit. Secila prej tyre shfaq karakteristika të caktuara, të cilat i gjeni të detajuara në vijim.
Cilat janë shenjat kryesore të anoreksisë nervore?
Njerëzit që vuajnë nga anoreksia nervore kanë një frikë ekstreme se mos janë mbipeshë. Ata ushtrohen vazhdimisht në palestra dhe mbajnë dieta ekstreme, ndonjëherë deri në pikën e urisë.
Rreth 30 për qind e këtyre njerëzve provokojnë të vjellat dhe përdorin laksativë (preparate që nxisin jashtëqitjen).
Ata kanë një imazh të gabuar për trupin e tyre, duke menduar se janë mbipeshë, ndërkohë që në të vërtetë janë nën peshë.
Kjo kategori individësh i llogarisin kaloritë në mënyrë obsesive dhe i lejojnë vetes të hanë vetëm ushqime të caktuara.
Me çfarë ndërlikimesh përballen personat që vuajnë nga anoreksia nervore?
Si rezultat i dietave ekstreme pacientët që vuajnë nga anoreksia nervore shpesh kanë probleme me stomakun (zakonisht dhimbje të stomakut) dhe vuajnë nga kapsllëku (konstipacioni). Për të fshehur dobësinë ekstreme ata veshin rroba të lirshme.
Për arsye se këta pacientë dinë ta fshehin mjaft mirë gjendjen e tyre, sëmundja mund të përparojë shumë dhe të çojë në komplikacione serioze, siç janë kequshqyerja dhe çrregullime të funksionit të organeve të ndryshme.
Megjithatë pas trajtimit, shumica e njerëzve e rifitojnë peshën që kanë humbur dhe problemet fizike dhe funksionale që ata zhvilluan si rezultat i anoreksisë do të përmirësohen. Marrja e ndihmës mjekësore të specializuar në kohë është thelbësore në trajtimin e duhur të këtij çrregullimi.
Cilat janë shenjat kryesore të bulimisë nervore?
Ky çrregullim karakterizohet nga episode të ngrënies së sasive të mëdha të ushqimit të pasuar me episode të “spastrimit” (të vjellat ose përdorimi i laksativëve).
Gjatë bulimisë kemi gjithashtu edhe periudha agjërimi, si edhe aktivitet të lartë fizik për të kompensuar ngrënien e tepërt.
Në dallim nga anoreksia nervore, njerëzit që vuajnë nga bulimia nervore shpesh kanë një peshë normale, pro ata kanë të njëjtën frikë se mos janë mbipeshë (të dhjamosur), si edhe kanë një imazh të gabuar për trupin dhe nuk janë të kënaqur me fizikun e tyre.
Ata e shohin veten vazhdimisht “të dhjamosur” dhe duan dëshpërimisht të humbasin në peshë. Gjithashtu edhe këta pacientë dinë ta fshehin mjaft mirë gjendjen në të cilën ndodhen.
Sa e rrezikshme mund të jetë bulimia nervore nëse nuk trajtohet në kohën e duhur?
Nëse nuk trajtohet në kohën e duhur, bulimia mund të rezultojë në probleme afatgjata shëndetësore, të tilla si : çrregullime të ritmit të zemrës, gjakderdhje të ezofagut si rezultat i aciditetit të tepërt që vjen nga stomaku, probleme të dhëmbëve dhe probleme të veshkave.
Lidhur me trajtimin, bulimia mund të trajtohet me sukses përmes kombinimit të medikamenteve dhe psikoterapisë. E rëndësishme është që të kërkohet ndihmë mjekësore sa më herët që të jetë e mundur, në mënyrë që ndërlikimet e përmendura më lart të mos kthehen në problem.
Po në lidhje me çrregullimet e të ngrënit, cilat janë shenjat kryesore klinike që tregojnë se kemi të bëjmë me këtë lloj çrregullimi?
Ndryshe nga dy çrregullimet e mësipërme që prekin më tepër femrat, ky çrregullim i prek njësoj, si femrat, ashtu edhe meshkujt, duke qenë një fenomen më i shpeshtë midis moshave 25 dhe 60 vjeç. Shenja kryesore është ngrënia në sasi të mëdha, jashtë kontrollit, por jo gjatë gjithë kohës, pra jo vazhdimisht.
Edhe këta persona më vonë ndihen fajtorë dhe u vjen turp për këtë sjellje, por nuk kanë periudha agjerimi dhe nuk ushtrojnë aktivitet fizik.
Prandaj këta persona janë zakonisht mbipeshë. Kjo sjellje hyn kështu në një rreth vicioz, pra përsëritet në mënyrë të pashmangshme dhe sa më të pikëlluar ndjehen për këtë sjellje, aq më shumë e përsëritin atë.
Me çfarë ndërlikimesh përballen individët e prekur nga ky lloj çrregullimi këta pacientë?
Për shkak se ngrënia e pakufizuar çon në obezitet janë të shumta edhe problemet shëndetësore që pasojnë, në mënyrë të veçantë problemet e zemrës, të enëve të gjakut, të mëlçisë dhe veshkat.
Këta persona janë të rrezikuar nga diabeti, tensioni i lartë i gjakut, arterioskleroza, infarkti, dhjamosja e mëlçisë, etj.
Përkrah me këto çrregullime shkon edhe depresioni, i cili duhet trajtuar me shumë kujdes jo vetëm me medikamente antidepresive, por edhe nëpërmjet psikoterapisë dhe mbështetjes së fuqishme shoqërore. Njohja e shenjave dhe simptomave të këtyre çrregullimeve është hapi i parë drejt kërkimit të ndihmës.
A janë të shërueshme çrregullimet e ushqyerjes?
Çrregullimet e ushqyerjes janë të shërueshme dhe nëpërmjet trajtimit dhe mbështetjes së duhur, shumica e njerëzve mund të mësojnë zakone të shëndetshme të të ngrënit dhe ta drejtojnë përsëri jetën e tyre në rrugën e duhur.
Në çdo rast është e nevojshme që të merret ndihma e duhur mjekësore që në stadet më të hershme të përballjes me këto lloje çrregullimesh. Për rrjedhojë do të shmangni në masë edhe ndërlikimet që mund të vijnë prej tyre.
Në përgjithësi trajtimi i këtyre çrregullimeve fokusohet në mirëqenien e shëndetit mendor, kjo duke qenë se këto lloj çrregullimesh shfaqen si një problem kompleks që prekin fillimisht mendjen dhe pastaj trupin.
Dietologët gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm në trajtimin e këtyre çrregullimeve. Një tjetër këshillë që nuk duhet neglizhuar është edhe marrja e ndihmës së duhur mjekësore sa më herët që të jetë e mundur. Po ashtu është konfirmuar edhe ndihma e madhe që jep aktiviteti fizik në trajtimin e këtyre çrregullimeve.
Këshillat si duhen trajtuar
- Çrregullimet e ushqyerjes janë një problem kompleks që prekin trurin dhe pastaj trupin. Pra mendimet dhe zakonet negative shkaktojnë çrregullimet e ushqyerjes. Pra në thelb, ky është një problem i shëndetit mendor, problem “psikologjik”. Në këto kushte, trajtimi i këtyre çrregullimeve fokusohet në shëndetin mendor.
- Padyshim që në lojë hyjnë edhe dietologët që përpilojnë dieta të shëndetshme. Është e rëndësishme të kuptohet se organizmi ynë që të funksionojë normalisht ka nevojë për proteina, yndyra, karbohidrate, vitamina dhe kripëra minerale. E rëndësishme është që këto të jenë në raporte të caktuara, në përputhje edhe me situatën individuale shëndetësore.
- I rëndësishëm si gjithmonë mbetet edhe aktiviteti fizik që ndihmon në djegien e kalorive që marrim nëpërmjet ushqyerjes.
- Sa më herët të kuptohen shenjat klinike të këtyre çrregullimeve dhe sa më herët të kërkoni ndihmë mjekësore, aq më efektiv do të jetë trajtimi i tyre. Përdorimi i medikamenteve në çdo rast duhet të bëhet vetëm sipas këshillave dhe rekomandimeve të mjekut specialist.
- Këto çrregullime kanë gjithashtu një nevojë të madhe për një mbështetje të fortë, si nga ana e familjarëve, ashtu edhe nga ana e shoqërisë.
p.k/dita
