Pranvera Kola
Dobësimi dhe humbja e dëgjimit është një problem i rëndësishëm shëndetësor, por edhe mjaft i hasur kohët e fundit si rezultat i zhvillimit të madh të industrisë dhe të teknologjisë. Ky problem mund të ndikojë shumë në cilësinë e jetës dhe të marrëdhënieve personale dhe shoqërore midis njerëzve. Mjekja Ilda Xhelili tregon për gazetën “Dita”, se sipas studimeve të kryera në këtë drejtim, rezulton se rreth 48 milionë amerikanë vuajnë në ditët e sotme nga humbja e dëgjimit. Disa kushte të caktuara, duke përfshirë moshën, sëmundjet individuale dhe gjenetikën, mund të luajnë një rol në humbjen apo uljen e dëgjimit. Po ashtu edhe jeta moderne ka shtuar një listë të elementëve që dëmtojnë veshin, duke përfshirë medikamente të caktuara dhe burime zhurmash të vazhdueshme. Me kaq shumë raste të patrajtueshme të humbjes së dëgjimit që konstatohen, parandalimi është mënyra më e mirë për të mbajtur dëgjimin afatgjatë. Mjekja tregon në vijim të shkrimit gjithçka duhet të dini rreth këshillave se si mund të trajtohet humbja e dëgjimit.
Le të flasim më konkretisht, çfarë e shkakton humbjen, apo uljen e dëgjimit?
Sikundër e përmendëm edhe më lart, mosha e avancuar është shkaku më i zakonshëm i uljes së dëgjimit. Një në tre persona midis moshës 65 dhe 75 vjeç preket nga një nivel i humbjes së dëgjimit. Pas moshës 75 vjeç ritmi shkon një në çdo dy persona preket nga humbja, ose ulja e dëgjimit. Arsyeja ende nuk është plotësisht e qartë, por mendohet të jetë ekspozimi i gjatë, gjatë gjithë jetës ndaj zhurmave dhe faktorëve të tjerë dëmtues të mekanikës delikate të veshëve. Gjenetika ka gjithashtu pjesën e vet në këtë mekanizëm. Qendrat studimore raportojnë se rreth 22 milionë punëtorë amerikanë janë të ekspozuar ndaj niveleve të rrezikshme të zhurmave në punë. Kjo përfshin shumë marangozë, punëtorë ndërtimi, ushtarë, minatorë, punëtorë të fabrikave dhe fermerë. Edhe muzikantët janë në rrezik për humbjen e dëgjimit të shkaktuar nga zhurmat. Ata duhet të përdorin pajisje të veçanta (lloj kufjesh) që lejojnë dëgjimin e muzikës pa dëmtuar mekanizmin e brendshëm të punës së veshëve.

Po medikamentet a ndikojnë në uljen e dëgjimit?
Po. Medikamente të ndryshme janë të njohura për ndikimin e tyre në uljen e dëgjimit. Më shumë se 200 lloje preparatesh kanë një histori të efekteve anësore të uljes së dëgjimit dhe të çrregullimeve të ekuilibrit, përveç aftësive pozitive të tyre për luftimin e sëmundjeve të caktuara. Prandaj çdo preparat duhet përdorur me kujdes sipas këshillimit të mjekut përkatës. Këtu bëjnë pjesë disa lloje antibiotikësh, preparate të caktuara kimioterapeutike, medikamentet që trajtojnë çrregullimet seksuale te meshkujt, preparate që trajtojnë tuberkulozin, malarien, etj.
Shpesh thuhet se sëmundje të caktuara mund të bëhen shkak për uljen e dëgjimit?
Si faktor tjetër që ndikon në humbjen e dëgjimit mund të përmendim edhe sëmundje të tilla, si: sëmundjet e zemrës, presioni i lartë i gjakut dhe në mënyrë të veçantë diabeti që shkakton çrregullime të furnizimit me gjak të strukturave të veshit si rezultat i dëmtimit të mureve të enëve të gjakut. Humbje të dëgjimit mund të shkaktojnë edhe otoskleroza (sëmundje e kockave të veshit të mesëm) dhe sindromi Menier (çrregullime të ekuilibrit, marrje mendsh). Traumat, veçanërisht frakturat (thyerjet) e kafkës përbëjnë një rrezik serioz për uljen, apo humbjen e dëgjimit. Po ashtu, luajnë një rol të madh edhe infeksionet e përsëritura të kanaleve të veshit, si edhe bllokimi i tyre nga dylli. Në shumë raste, dëgjimi venitet kaq ngadalë saqë mund të mos e vini re. Për sa kohë që disa tinguj hyjnë në vesh, mund të supozoni se dëgjimi juaj është në rregull. Por me kalimin e kohës bëheni gjithnjë e më të shkëputur nga bota e fjalës dhe e tingujve.

Si klasifikohet humbja e dëgjimit?
Humbja e dëgjimit mund të klasifikohet në disa forma të caktuara. Së pari kemi humbje të butë të dëgjimit. Në këtë rast bisedat janë ende të këndshme, por është e vështirë të kapni çdo fjalë kur ka zhurma në sfond, ose kur më shumë se një person flasin në të njëjtën kohë. Pastaj vjen humbja e moderuar e dëgjimit, kur ju shpesh i kërkoni bashkëbiseduesit që të përsërisin pjesë të caktuara të bisedës, në mënyrë të veçantë gjatë bisedave telefonike. Shpesh mendoni se njerëzit qajnë apo nuk flasin qartë. Në këto raste mund të keqkuptoni bashkëbiseduesin dhe të mos përgjigjeni në mënyrën e duhur. Në jo pak raste kjo shoqërohet me nervozitet dhe shqetësim. Po ashtu, në këto raste merrni shpesh ankesa nga të tjerët për zërin e lartë të televizorit. Në rastin e humbjeve të rënda të dëgjimit, ndjekja e një bisede është pothuajse e pamundur në rast se nuk keni një aparat dëgjimi, ose implante të kryera nëpërmjet ndërhyrjeve kirurgjikale në vesh.
Si mund të trajtohen problemet e humbjes së dëgjimit?
Trajtimi varet nga lloji dhe burimi i humbjes së dëgjimit. Trajtimi i shpejtë mjekësor për humbjen e papritur të dëgjimit mund të krijojë mundësinë e shërimit. Në rastin e otosklerozës (sëmundja e eshtrave të veshit të mesëm), kirurgjia mund të kthejë humbjen e dëgjimit. Në shumë raste është plotësisht i mundur edhe trajtimi i Sindromit Menier me medikamente dhe dieta të ndryshme dhe rrjedhimisht edhe rikuperimi i dëgjimit. Në rastin e infeksioneve të veshit ato mund të trajtohen mjaft mirë me antibiotikët përkatës (kur janë infeksione bakteriale dhe në bazë të antibiogramës), duke ndjekur me përpikmëri dozimin dhe kohëzgjatjen e mjekimit sipas porosisë së mjekut.
Në të gjitha rastet mund të vijnë në ndihmë aparatet e dëgjimit?
Shumica e njerëzve mund të përfitojnë nga aparatet e dëgjimit të cilat mund të vendosen në brendësi, ose pas veshit për të bërë të mundur kapjen e tingujve dhe të bisedave. Por jo të gjithë pacientët mund të përfitojnë nga aparatet e dëgjimit. Është mjeku specialist otorinolaringolog që do të vendosë për mënyrën e trajtimit. Të jetosh me humbjen e dëgjimit nuk është e lehte. Është e vështirë së pari ta pranosh këtë problem dhe kjo shpesh shkakton nervozizëm.

Sa i takon parandalimit apo reduktimit të rrezikut për uljen dhe humbjen e dëgjimit çfarë këshillash mund të rekomandojmë?
Së pari ekspozimi sa më pak që është e mundur ndaj zhurmave. Kjo është e vështirë kur punohet në vende me zhurma. Në këto raste duhet të përdoren kufje mbrojtëse të posaçme që duhet të sigurohen nga punëdhënësi. Në rastin kur problemet e uljes së dëgjimit janë në fazat fillestare, mundohuni t’i qëndroni përballë bashkëbiseduesit, përqendrohuni të lëvizjet e gojës dhe të shprehjes së fytyrës së tij. Edhe vetë mundohuni të flisni qartë dhe të mos bërtisni. Kur shikoni televizor përqendrohuni tek ekrani dhe qëndroni në një dhomë të qetë duke eliminuar zhurmat në sfond. E rëndësishme është të trajtohen infeksionet e veshit në kohën dhe mënyrën e duhur, si edhe të mbahen nën kontroll të vazhdueshëm sëmundjet kronike të tilla si presioni i lartë i gjakut dhe diabeti të cilat janë të njohura si shkaktarë kryesorë të dëmtimit të dëgjimit. Dhe së fundi do të theksoja të mos përdorni medikamente, për çdo lloj arsye pa rekomandimin e mjekut përkatës.
