Funksionet e kalciumit në organizëm janë të shumta, veçanërisht në drejtim të mbrojtjes së kockave. Por, duhet bërë kujdes pasi përqendrimi më i lartë i kalciumit në gjak mund të shoqërohet me probleme të shumta shëndetësore. Probleme që më së shumti dëmtojnë veshkën, e cila kur nuk funksionon normalisht, çon edhe në dëmtimin e organeve të tjera. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekja infeksioniste Ilda Xhelili këshillon që të bëhet kujdes, dhe të hiqet dorë nga orientimet e gabuara për marrjen e dozave të kalciumit nëpër farmaci pa bërë më parë ekzaminimet përkatëse. Në vijim të shkrimit mjekja shpjegon se cilat janë simptomat dhe ndërlikimet që shfaqen si pasojë e teprisë së kalciumit në organizëm. Krahas, trajtimeve të përshkruara nga mjeku pas ekzaminimit të kryer, në shmangien e ndërlikimeve ndikon edhe dieta e kujdesshme ushqimore, e cila duhet të jetë e orientuar rreth fruta perimeve, si dhe konsumit të vazhdueshëm të lëngjeve, çka ndihmon në një funksionim më të mirë të veshkës.
Çfarë është hyperkalcemia ?
Hyperkalcemia është një gjendje në të cilën organizmi ka vlera të kalciumit në gjak më shumë sesa vlerat normale të lejueshme. Vlerat e lejuara llogariten midis 9 dhe 10.5 mg/dl ose e shprehur në një sistem tjetër referimi midis 2.2 dhe 2.6 mmol/L. Kalciumi kryen funksione të rëndësishme për organizmin dhe kur nivelet e tij në gjak janë më të larta se ç’duhet të jenë, atëherë vështirësohet edhe puna e tij. Hyperkalcemia nuk është e shpeshtë si fenomen, ajo përfshin rreth 1 për qind të njerëzve.
Po në rastet kur niveli i kalciumit në gjak është i ulët, çfarë ndodh?
Në jetën e përditshme kemi dëgjuar të flitet më shpesh për hypokalceminë (niveli i ulët i kalciumit në gjak nën normat e lejuara) e cila është më e zakonshme te gratë gjatë periudhës së menopauzës. Gjatë kësaj periudhe, në fakt ulet niveli i kalciumit në gjak për shkak të ndryshimeve të bilanceve hormonale dhe pothuajse të gjitha gratë vrapojnë të marrin kalcium. Kjo nuk duhet bërë asnjëherë pa kryer ekzaminimet përkatëse dhe pa këshillimin e mjekut.
Marrja e kalciumit pa ekzaminimet përkatëse, çon në një përdorim të tepruar?
Nuk janë të pakta rastet kur gjatë kësaj periudhe të jetës së gruas teprohet me marrjen e kalciumit duke shkaktuar kështu nivele të larta të tij në gjak (gjendjen e hyperkalcemisë). Gjatë menopauzës ka një çrregullim të disa faktorëve që ulin fiksimin e kalciumit në kocka ndërkohë që në matjet e gjakut ai mund të dali në normë, por edhe me tepricë. Prandaj problematika nuk mjafton që të pimë kalcium pa kriter, por të rregullojmë gjithë mekanizmat që kalciumi të qëndrojë i fiksuar në kocka dhe të kryejë gjithë funksionet e tij metabolike. Gjithashtu nuk mjafton të pihet vetëm kalcium kur kemi mungesa të tij, por ka edhe medikamente shoqëruese që ndihmojnë në përthithjen e tij. Prandaj, kjo bëhet domosdoshmërish me këshillimin e mjekut dhe jo duke shkuar direkt në farmaci. Pra, marrja e kalciumit me tepri përbën një nga shkaqet e hyperkalcemisë.
A ka shkaktarë të tjerë që ndikojnë në shtimin e nivelit të kalciumit në gjak?
Sigurisht që ka. Një nga shkaqet kryesore mbetet çrregullimi i funksionit të gjëndrave paratiroide. Këto janë katër gjëndra të vendosura në afërsi të gjëndrës tiroide në qafë. Këto gjëndra prodhojnë parad’hormonin, një hormon ky i cili së bashku me hormonin kalcitoninë rregullojnë nivelet e kalciumit në gjak. Kur të paktën njëra nga gjëndrat e paratiroides bëhet hiperaktive, atëherë kemi shfaqjen e hyperparatiroidizmit që përbën një nga shkaqet themelore të hyperkalcemisë, sidomos në gratë e moshës mbi 50 vjeç. Normalisht parad’hormoni rritet kur niveli i kalciumit në gjak bie dhe ulet kur niveli i kalciumit në gjak rritet. Kur gjëndrat e mësipërme pësojnë çrregullime, atëherë nuk zbatohet ky mekanizëm vetërregullator. Shkaktarë të tjerë mund të përmendim tuberkulozin, kancerin e mushkërive, kanceri i gjirit, kanceret e gjakut, përdorimin e disa medikamenteve, (si për shembull disa barna diuretike, kripërat e litiumit), marrja me tepri e vitaminës D, dehidrimi i organizmit për arsye të ndryshme etj.
Cilat janë shenjat klinike të hyperkalcemisë?
Nëse hyperkalcemia është e butë mund të mos kemi prezantim klinik, por, nëse ajo thellohet atëherë të parat që vuajnë janë veshkat. Konkretisht kemi dhimbje mesi në nivel të veshkave, urinim të shpeshtë, ndjenjën e etjes, dhimbje barku, ulje të oreksit, të përziera, të vjella, kapsllëk. Gjithashtu nivelet e larta të kalciumit mund të shkaktojnë probleme të kockave si dhimbje, përkulje të supeve, të shpinës, fraktura. Këto gjendje mund të shoqërohen edhe me simptoma psikologjike si depresioni, dobësimi i kujtesës dhe nervozizëm. Hyperkalcemia konsiderohet urgjencë mjekësore kur pacientët janë të prekur nga një lloj kanceri. Rastet e rënda mund të çojnë në formimin e gurëve në veshka, pamjaftueshmërinë e punës së veshkave (insuficienca renale).
Si matet niveli i kalciumit në gjak?
Nivelet e kalciumit maten nëpërmjet testeve specifike të gjakut. Pasi gjenden nivele të larta të tij mjeku kërkon ekzaminime të tjera për të gjetur shkakun e hyperkalcemisë. Duke trajtuar shkakun bëjmë trajtimin e duhur të hyperkalcemisë. Prandaj ky është një moment që i takon vetëm mjekut.
Po gjatë përditshmërisë çfarë duhet të kemi kujdes, në mënyrë që të mos lejojmë grumbullimin e tepërt të kalciumit në gjak?
Ajo që do të rekomandoja për përkujdesjen tuaj është që të përdorni sa më shumë ujë dhe lëngje në jetën e përditshme për të parandaluar formimin e gurëve në veshka. Sigurisht që sasia e lëngjeve duhet të jetë e shpërndarë gjatë gjithë ditës. Pra pini shpesh dhe nga pak deri në 2-3 litra në ditë, për të siguruar një punë të rregullt të veshkave. Pirja e duhanit gjithashtu luan rol në nivelet e larta të kalciumit në gjak. Prandaj duke mos pirë duhan keni vetëm përfitime shëndetësore. Ushqehuni në mënyrë të shëndetshme dhe të shumëllojshme duke i kushtuar më shumë rëndësi proteinave bimore se sa atyre shtazore. Pra përdorni sa më shumë perime dhe fruta të freskëta. Kryeni aktivitet fizik në raport me gjendjen tuaj shëndetësore për të mbajtur në tonusin e duhur sistemin muskulo-skeletik.
