Rikthehen alergjitë. Shpërthimet e luleve të pemëve, mbirja e barit, si dhe shkurreve të ndryshme është bërë shkak për shtimin e numrit të pacientëve që iu janë drejtuar poliklinikave për kujdes të specializuar si rrjedhojë e shfaqjes apo rikthimeve të sëmundjeve alergjike. Ndër komplikacionet më të shpeshta të shfaqura gjatë kësaj periudhe pohohet të jenë rrufa alergjike, konjiktiviti alergjik, si dhe riaktivizimet e astmës bronkiale.
Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekja alergologe-imunologe Kleita Elezi (Xhafaj) jep këshillat që duhen ndjekur për të mbajtur nën kontroll shpërthimet alergjike (të cilat gjatë këtij sezoni janë të shumta), duke minimizuar efektet negative që lënë në shëndet. Nëse nuk tentohet drejt kurimit të hershëm të alergjive, pacienti vihet përballë rëndimeve të mëtejshme që kërkojnë kujdes të specializuar mjekësor përgjatë gjithë jetës.
Cilat janë komplikacionet që shfaqen gjatë kësaj periudhe sa i takon alergjive?
Shfaqjet e alergjive në periudhën e pranverës janë të shumta. Ndër më të shpeshtat është rrufa alergjike, e cila shkaktohet nga qarkullimi masiv në ajër i poleneve prej shpërthimit të luleve, barit, shkurreve, duke shfaqur ngacmime të drejtpërdrejta në rrugët e frymëmarrjes tek persona me imunitet të ndjeshëm. Krahas rrufës, të tjera komplikacione alergjike janë edhe astma bronkiale, edhe kjo e shkaktuar nga polenet, si dhe rastet e konjuktivitit alergjikë. Këto komplikacione janë të shumta gjatë këtij sezoni dhe kur nuk marrin ndihmën e duhur në kohë, kalojnë në stade kronike. Dalja e poleneve në ajër, të cilat tashmë qarkullojnë lehtësisht edhe nëpërmjet erës, bien në kontakt me rrugët e frymëmarrjes duke shfaqur ngacmimet e para alergjike. Siç e thamë edhe më lart ndër komplikacionet më të shpeshta që hasim gjatë kësaj periudhe janë rrufat alergjike.
Si mund ta kuptojë një pacient që vuan nga rrufa alergjike? Konkretisht me çfarë simptomash të dukshme shoqërohet?
Si rrjedhojë e shkaktarëve të përmendur shfaqet rrufa alergjike, e cila prek pjesën e sipërme të rrugëve respiratore. Një pacient i prekur nga rrufa alergjike shfaq simptoma të tilla, si: rrufë, rrjedhje të sekrecioneve të ujshme në rrugë nazale (hundët). Rrufa manifestohet me bllokime të hundës tështimat në breshëri të shoqëruara dhe nga sekrecionet që rrjedhin gjatë gjithë kohës. Në shumë raste pacienti vuan ndjesinë e kruarjes, skuqjes dhe irritimit të hundës. Të tjera simptoma dalluese janë edhe skuqja e lotimi i syve. Të gjitha këto shenja duke u rënduar edhe më shumë çojnë më pas në nxitjen e dhimbjeve të kokës, acarimit dhe irritimit të personit, i cili gjatë gjithë stinës së pranverës është i ngarkuar nga simptoma bezdisëse.
Në prani të rrufës këta pacientë nuk arrijnë të flenë lirisht apo të bëjnë gjumë të qetë. Që të gjitha këto simptoma ndikojnë në gjendjen e pacientit, i cili përballet me ngacmime në shëndet, mbart një kosto të lartë pasi nuk punon dot i qetë. Në rast se shkon në shkollë apo është student nuk përqendrohet dot në ndjekjen e mësimit apo kryerjes së detyrave që i janë caktuar.
Po astma bronkiale me çfarë simptomash të dukshme shoqërohet?
Shfaqja e këtyre simptomave është më e dukshme veçanërisht në sezonin mars-qershor, kur ndodh edhe shtimi i alergentëve, ose siç njihen ndryshe faktorët e riskut. Ndryshe nga sa përmendëm tek rrufa alergjike, tek të sëmurët me astmë bronkiale ndodh rëndimi i frymëmarrjes. Këta pacientë vazhdimisht përballen me vështirësi të shumta ca i takon frymëmarrjes. Ndërkohë që astmat bronkiale mund të shoqërohen edhe me kollë, e cila përveçse shtohet me kalimin e kohës, është e thatë dhe në shumë raste shoqërohet me gëlbazë.
Tjetër simptomë karakteristike në këto raste është edhe ndjesia e fishkëllimave në gjoks, e cila rritet me kalimin e kohës. Në përgjithësi këto simptoma bëhen shumë të dukshme gjatë orëve të natës kur pacienti bie për të fjetur gjumë.
Referuar simptomave që ju përmendet, vërehet një ngjashmëri e madhe me virozat e stinës dhe gripin? A ndodh shpesh që pacientët të ngatërrojnë praninë e rrufës alergjike dhe ta trajtojnë atë si gjendje gripale? Nëse po, sa e dëmshme është?
Ngatërrimi i simptomave është një ndër gjendjet më të shpeshta që shfaqet tek pacientët me rrufë alergjike. Fakt ky që në të vërtetë mbart nga pas dëme të shumta shëndetësore për të. Nuk janë të pakta rastet kur pacientët i ngatërrojnë simptomat e para të rrufës alergjike me ato të virozave të stinës dhe gripit për shkak të ngjashmërive të shumta ndërmjet tyre. Situatë kjo që i çon ata drejt përdorimit të barnave dhe qetësuesve të ndryshëm për gripin apo virozën (në pjesën dërrmuese të rasteve pa u këshilluar më parë me mjekun specialist).
Pas marrjes së këtyre barnave pacienti për disa ditë ndjehet i qetë. Por duke qene se nuk bëhet fjalë për viroza dhe gjendje gripale, pas disa ditësh komplikacionet kthehen sërish dhe bëjnë që rrufa të jetë më e dukshme. Trajtimi i këtyre rasteve është i vështirë dhe kërkon kohë pasi barnat e përdoruara për qetësimin e virozës së supozuar mund të kenë ndikuar në shfaqjen e efekteve anësore.
Pas marrjes së trajtimit specifik në këto raste duhet pak kohë që të shmangen komplikacionet, pasi në organizëm duhet të luftohet dhe efekti i barnave të përdorura për qetësimin e efekteve të virozave, të cilat në të vërtetë nuk i kemi pasur. Ndryshe nga virozat dhe gripi simptomat e rrufës alergjike mund të vazhdojnë edhe për më shumë se një muaj, ndërkohë që mund të mos shoqërohen me temperaturë të lartë.
A mund të bëjmë dallime sa i takon kategorive që janë më të predispozuara për t’u prekur nga rrufa apo problemet e tjera alergjike?
Komplikacionet alergjike rrezikojnë të gjitha moshat. Nuk mungojnë rastet e shfaqjes së tyre që tek moshat pediatrike. Megjithatë, së fundmi është vënë re një shtim i numrit të pacientëve që vuajnë nga shqetësime të ndryshme alergjike e që i përkasin moshës 20- 25 vjeç. Ndërkohë që sëmundjet alergjike dominojnë edhe në moshat më të mëdha ku në shumë raste shfaqet astma.
Si ndikojnë faktorët e tjerë ambiental në shfaqjen e rrufës alergjike ?
Krahas poleneve që janë në ajër, edhe ndotja e ambientit ndikon shumë në shfaqjen e problemeve alergjike. Tymrat e duhanit apo pluhuri janë nxitës jo vetëm të rrufës, por edhe astmës duke i çuar ato drejt formave më të rënduara. Kjo gjë shihet më së miri tek fakti që numri më i madh i pacientëve që vuajnë nga problemet alergjike janë në zonat e urbanizuara se sa në ato rurale. Kjo pasi qytetet janë më tepër nën ndikimin e këtyre faktorëve të dëmshëm, duke shtuar mundësitë jo vetëm të riaktivizimit të komplikacioneve tek pacientë të caktuar, por duke shfaqur edhe shumë raste të reja.
Gjithashtu, ndikon edhe stili i jetesës në shfaqjen e këtyre komplikacioneve. Nëse e vëmë re, pas viteve ‘90 konstatohet shtim i numrit të pacientëve që vuajnë nga komplikacionet alergjike si rrjedhojë e faktorëve të përmendur.
Ndaj, për të mbajtur larg këto shqetësime duhet të jemi të kujdesshëm që të minimizojmë qëndrimet në ambiente të ndotura, si dhe të pastrojmë vazhdimisht ambientet e banimit në mënyrë që të largojmë alergentët që ndikojnë në shfaqjen e gjendjeve alergjike.
Po dieta ushqimore a nxit shfaqjen e këtyre komplikacioneve?
Ndodh ndonjëherë tek pacientët që kanë alergji nga polenet të kenë dhe reaksione të kryqëzuara nga disa ushqime të caktuara. Por këto janë raste të rralla. Në vija të përgjithshme cilësia e ushqimit apo mënyra se si ekuilibrojmë çdo ditë dietën ushqimore nuk ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në nxitjen e problemeve alergjike. Duke përjashtuar këtu rastet të caktuara në të cilat tek individë të ndryshëm ushqime të caktuara mund të shfaqin ndikime të drejtpërdrejta në rëndimin e komplikacioneve të alergjive.
Sa të shpeshta duhet të jenë vizitat tek mjeku specialist alergolog?
Është e rëndësishme për kategoritë që vuajnë nga sëmundjet e ndryshme alergjike, veçanërisht ata të formave të rënda apo astmat, që të bëjnë kontrolle të vazhdueshme te mjeku specialist, në mënyrë që të përcaktojnë diagnozën kuruese të saktë, e cila gjatë këtij sezoni ndryshon nga ajo dimrit. Në rast se këta persona gjatë stinës që lamë pas kanë qenë mirë dhe nuk kanë pasur komplikacione, e për rrjedhojë nuk kanë përdorur pompat, duhet patjetër të bëjnë një vizitë te mjeku, për të përcaktuar mjekimin përkatës në varësi të ecurisë së sëmundjes.
Pavarësisht se edhe gjendja mund të jetë e mirë, ky pacient detyrimisht duhet të bëjë kontrollin te mjeku alergolog, për të përcaktuar më pas vijimësinë e trajtimit. Ndërsa pacientët që janë për herë të parë, nëse kanë kollë dhe marrje fryme të shpejtë, si dhe në rastet kur kolla i kalon të tri javët, duhet menjëherë të bëjnë një vizitë te mjeku alergolog për të identifikuar alergjinë nga sporet.
Cilat janë këshillat që nuk duhen neglizhuar e që ndihmojnë në frenimin e efekteve negative që shfaqin në shëndet prania e astmës, rrufës apo komplikacioneve të tjera alergjike?
Në momentin që shohim një rrufë nga polenet apo nga pluhurat këshilla bazë që duhet të ndiqet nga të gjithë është mënjanimi i kontaktit me faktorin shkaktues. Ky është dhe hapi i parë që rekomandohet nga mjekët. Më pas veprohet me terapinë trajtuese, si dhe hapi i tretë është imunoterapia, e cila realizohet përmes vaksinimit. Kjo vaksinë këshillohet të behet tek individë të caktuar në varësi të gjendjes shëndetësore.
Vaksina nuk duhet bërë ansjëherë pa marrë më parë rekomandimin e mjekut. Kujdes i veçantë duhet treguar edhe ndaj ambienteve me ajër të kondicionuar. Për të tilla raste duhet bërë shpesh pastrimi dhe ajrimi i dhomës. Përgjithësisht, mënyra më e mirë për të shmangur acarimin e gjendjes së pacientëve është shmangia në maksimum e kontaktit me shkaktarin shpërthyes: polenet e luleve. Duke qenë se një gjë e tillë shpesh herë është e vështirë për t’u ndjekur, këshillohet shmangia e kohëzgjatjes së ekspozimit ndaj tyre, veçanërisht në oraret e pikut: “mëngjes deri në drekë, si dhe në ditët ku era është e fortë”, në të cilat prania e poleneve në ajër është shumë e lartë krahasuar me orët e tjera të ditës. Gjithashtu, këshillohet larja e shpeshtë e duarve, fytyrës e sidomos flokëve për të larguar polenet që mbeten në trup. Duhet të shmangen shëtitjet dhe qëndrimet e gjata në ambiente të gjelbëruara dhe me lule nga këta pacientë, si dhe duhet bërë kujdes edhe me aktivitetet fizike që kryhen.
Simptomat
Rrufë
Kollë e shoqëruar me sekrecione
Bllokime dhe kruarje të hundëve
Sekrecione të ujëshme në hundë
Vështirësi në frymëmarrje
Probleme me përqendrimin
Irritim dhe lotim i shpeshtë
Skuqje e syve
Dhimbje koke, etj
Këshillat parandaluese
1. Mbajini fëmijët në vende të ajrosura mirë.
2. Eliminoni lagështirën, sidomos në dhomat e gjumit.
3. Eliminoni ambientet e paajrosura mirë dhe me myk.
4. Ushqeni me gji fëmijët, të paktën deri në moshën 1 vjeç.
5. Shmangni sterilitetin e tepruar në rritjen e fëmijëve.
6. Shmangni mbipërdorimin e detergjentëve.
7. Shmangni përdorimin e ushqimeve që përmbajnë alergentë.
8. Shmangni ekspozimin ndaj poleneve të luleve.
9. Gratë shtatzëna nuk duhet të qëndrojnë në ambiente me tym duhani.
10. Fëmijët e vegjël nuk duhet të qëndrojnë në ambiente ku pihet duhan.
11. Ndjekja te mjeku specialist dhe zbatimi me përpikëri i rekomandimeve të tij.
Edhe djali im ka alergi prej lules gresa per momentin ka puqrra ne fetyreshre 8 vjet lu lutem me keshilloni qka mund te perdor