Tirana do të ketë një agjenci të posaçme për ruajtjen dhe zhvillimin e parqeve të qytetit. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi dje vendimin për “Riorganizimin e Drejtorisë së Përgjithshme Nr. 1” dhe krijimin e “Agjencisë së Parqeve të Tiranës”.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky vendim bën një riorganizim të strukturës ekzistuese, duke ndarë Drejtorinë e Përgjithshme Nr. 1 në dy pjesë; një që merret me pastrimin dhe gjelbërimin e qytetit, dhe tjetra me zhvillimin e parqeve si hapësira çlodhëse dhe rikrijuese për qytetin.
Kjo pasi, siç theksoi ai, zhvillimi i parqeve të Tiranës do t’i japë mundësi qytetit që të jetë më i pastër dhe i jetueshëm.
“Kemi disa parqe që, tashmë me riorganizimin territorial, siç është parku i Kasharit, parku i Vaqarrit, parqe kombëtare si ai i Dajtit, që po planifikojmë ta kalojmë në menaxhim të Bashkisë, parku i Farkës ku tashmë kemi filluar një pjesë të investimeve”, tha Veliaj.
Duke u ndalur te çështja e ambientit dhe pastërtisë së ajrit në Tiranë, ai ka theksuar se me pak ndryshime në mënyrën e organizimit të jetës së qytetit, mund të kemi rezultate shumë pozitive në këtë drejtim.
“Kemi vënë re se dy substancat më kancerogjene si dioksidi i azotit dhe benzeni kanë rënë 4 herë vetëm si pasojë e bllokimit të trafikut dhe kthimit në pedonale të qendrës së Tiranës në 22 shtator. Kjo do të thotë se edhe në qytetin tonë, me gjithë problematikën që ka, ekzistojnë mundësitë që vetëm me disa lëvizje, disa ditë të caktuara pa makina, disa herë organizime të mënyrës se si funksionon pastrimi dhe gjelbërimi në qytet, kemi mundësi që brenda një dite të shohim diferencë të qartë në mënyrën se sa shëndetshëm mund të jetohet në Tiranë”, u shpreh kryetari i Bashkisë, i cili theksoi se do të propozojë që në mënyrë periodike, ndoshta një herë në muaj, apo në data të shënuara, sheshi “Skënderbej” dhe pjesa e Unazës së Vogël t’i kthehet qytetarëve, ashtu si në ditën pa makina.
Këshilli Bashkiak miratoi gjithashtu, edhe vendimin për shpërndarjen e ndihmës ekonomike dhe përkrahjen për personat me aftësi të kufizuar për muajin shtator, në mënyrë që përfituesit të mos kenë asnjë vonesë në marrjen e saj.
“Ne duhet të fillojmë t’i shpërndajmë që nesër, që secili t’i ketë në llogari, meqë nesër është Bajram, të mos lëmë njerëzit pa ndihmë ekonomike”, tha kryetari i Bashkisë. Gjithashtu, një tjetër vendim ishte edhe ai për t’i dhënë titullin “Simbol i Qytetit”, aktorit të ndjerë Pandi Toçe, i cili humbi jetën duke u përpjekur të shpëtonte një fëmijë që po mbytej në liqenin e Tiranës.
“Sot ndalemi edhe për të falënderuar një prej heronjve të qytetit tonë. Administrata gjithashtu, ka propozuar që ne të bëjmë edhe një pagesë prej 5 milionë lekë të vjetra për familjen e të ndjerit, në shenjë respekti e solidariteti për aktin shembullor qytetar të aktorit”, theksoi Veliaj.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak u miratua edhe vendimi për t’i dhënë titullin “Mirënjohje e qytetit të Tiranës” organizatave “Fondi shqiptaro-amerikan i ndërmarrjeve” dhe “Fondacioni shqiptaro-amerikan për zhvillim”, si një falënderim për punën e kryer në qytetin e Tiranës.
Pjesë e vendimeve të kësaj mbledhje ishte edhe ai për vendosjen e përmendores së heroit tonë kombëtar Dedë Gjo Luli në lulishten e Muzeut Kombëtar.
