Këshilli Bashkiak shtyn votimin për familjet që përfitojnë banesa sociale

Dita

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka shtyrë votimin për listën e familjeve që përfitojnë banesa sociale. Këshilltarët e majtë kërkuan dy javë kohë për të parë dosjet e familjeve, duke kërkuar listën e plotë të përfituesve.

Por përfaqësuesit e së djathtës në Këshillin Bashkiak, kanë akuzuar këshilltarët e PS-së dhe të LSI-së për bllokimin e banesave sociale. Bashkia e Tiranës publikoi pak ditë më parë emrat e 177 familjeve që kanë plotësuar kriteret për të përfituar banesë sociale me qira. Në total për këtë program strehimi kanë aplikuar 1970 familje, por nga shqyrtimi i dosjeve të tyre, sipas Bashkisë, vetëm 177 emra kanë dorëzuar dokumentacion të rregullt dhe emrat e tyre janë dërguar për shqyrtim në Këshillin Bashkiak.

Qytetarët që kanë aplikuar, por nuk e gjejnë emrin në listat e publikuara kanë mangësi në dokumentacion, duhet të interesohen për plotësimin e dokumenteve. Në total në banesat sociale që janë ndërtuar në Shkozë janë 385 apartamente. Ndërkohë që numri i familjeve të regjistruara si të pastreha në kryeqytet është mbi 11 mijë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *