Çështja e mandatit të deputetit Arben Ndoka do të diskutohet javën e ardhshme në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Imuniteteve.
Kjo u bë e ditur sot nga nënkryetari i Kuvendit, Shpëtim Idrizi, në përgjigje të interesimit të deputetes së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli.
Gjatë seancës së sotme, ish-nënkryetarja e Kuvendit pretendoi se Arben Ndoka, që e ka njoftuar dorëzimin e mandatit në fillim të muajit shtator, zyrtarisht nuk e ka dorëzuar atë në parlament. Topalli kërkoi shpjegime për këtë çështje nga kryeministri dhe drejtuesi i seancës së parlamentit.
Deputeti socialist Arben Ndoka, njoftoi më 7 shtator përmes një letre drejtuar grupit parlamentar, dorëheqjen nga mandati, pas akuzave të përsëritura ndaj tij si i përfshirë në trafikun e prostitucionit në Itali.
