Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi Planin Kombëtar Sektorial për projektin e gazsjellësit Transadriatik, që përbën edhe dokumentin final të autoriteteve shqiptare për konsorciumin që ndërton këtë gazsjellës. Miratimi i këtij dokumenti i hap rrugë nisjes së punimeve për ndërtimin e linjës së gazit ndërsa e bën vendin tonë, vendin e parë që përmbush këtë detyrim.
Në mbledhje, kreu në ikje i Këshillit Kombëtar të Territorit, Sali Berisha tha se punimet nisin vitin e ardhshëm për të përfunduar në vitin 2019, kur do të nisë edhe transporti i gazit nga Azerbajxhani drejt Europës. “Gazsjellësi TAP është projekti më gjigant. Për herë të parë në histori peshku i madh nuk ha të voglin. TAP fillon me 40 miliardë dollarë investim fillestar, sepse fusha të tjera të mëdha gazi nga Turkmenistani dhe zona të tjera do ti bashkohen në të ardhmen. Projekti është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët. E vendos Shqipërinë në një pozicion të rëndësishëm në problemet energjetike evropiane. Është një rast për të falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në përzgjedhjen e këtij projekti,” tha kryeministri në detyrë.
TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në tregjet më tërheqëse të Europës. Me një gjatësi përafërsisht prej 870 kilometrash, TAP do të ndërlidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit greko-turk në Kipi, do të përshkojë Greqinë dhe Shqipërinë, si dhe Detin Adriatik duke dalë përsëri në tokë në Jug të Italisë. Korridori i TAP mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Europës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, etj. Dalja e TAP-it në Itali, tregu i tretë për nga madhësia në Europë, siguron shumë mundësi të mëtejshme për transportimin e gazit natyror nga rajoni Kaspik në disa nga tregjet më të mëdha europiane si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria. Duke qenë i projektuar për të zgjeruar kapacitetin e transportimit nga 10 në 20 mmk në vit, TAP-i do të hapë të ashtuquajturin Korridor Jugor të Gazit, i cili do të përforcojë sigurinë e energjisë së Europës duke siguruar një burim të ri gazi. Efekti i rëndësisë së këtij investimi, sipas Berishës, do të ndjehet direkt që në nisje të punimeve. Gazsjellësi Trans Adriatik do të kalojë në 3 qarqe të vendit; Korçë, Berat dhe Fier. Më shumë se 10 mijë hektarë tokë i janë nënshtruar procesit të shpronësimit, nga të cilat rreth 80 për qind kanë qenë pronë private. Nga ky projekt pritet të hapen më shumë se 20 mijë vende pune ndërsa zonat ku do të kalojnë tubacionet pritet të njohin zhvillim, duke e kthyer gjurmën e gazjellësit në një korridor ekonomik.
