Këshilltarët e LSI-së kanë bashkuar votat me këshilltarët socialistë për të miratuar buxhetin e vitit 2013 në Bashkinë e Beratit. Miratimi i buxhetit është bërë i mundur me 23 vota pro dhe 6 kundër. “Ne jemi në opozitë, por nuk jemi për të penguar dhe ato pak lekë që i janë dhënë Bashkisë. Ne votuam për kalimin e buxhetit, për arsye se presin shumë familje për t’u ardhur në ndihmë, presin fëmijët e çerdheve, kopshteve, pret infrastruktura që është në pikë të hallit. Nuk është koha që ne të bëhemi pengesë përpara një varfërie të madhe që ka pllakosur Beratin. Këto dhe shumë arsye të tjera bënë që këshilltarët e LSI-së të votonin buxhetin”, ka thënë për gazetën “Panorama” njëri prej këshilltarëve të LSI-së, Artur Çepani. Bashkia e Beratit ka miratuar një fond prej 220 milionë e 693 mijë lekësh për vitin 2013.