Në një shkrim të gjatë në gazetën “Dita”, datë 31.08.2014, titulluar “Si do të shkojë më tej në Kosovë?”, njohësi e analisti më i mirë i problemeve të faktorit shqiptar në Ballkan, Bedri Islami, bën një parashtrim të gjatë të situatës pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila e ka konsideruar jo kushtetues zgjedhjen e Isa Mustafës në krye të Kuvendit, dhe e çon situatën edhe një herë në fillim të procesit të konstituimit të Kuvendit e të zgjedhjes së drejtuesve të tij.
Mendoj që futja e Kosovës edhe njëherë në zgjedhje të reja do të kishte pasoja të rënda për të tashmen e të ardhmen e saj. Serbët e duan dhe e ushqejnë një “zgjidhje” të tillë. Ata duan që këto institucione të mos krijohen kurrë, më e pakta të vonohen sa më shumë. Sido që ta analizosh situatën në Kosovë, sado të thuash se është normale të bësh zgjedhje të reja, se zgjedhjet e reja do të zgjidhin ngerçin politik, një proces i tillë në përgjithësi më shumë se të mira sjell dëme, sjell pasoja të padëshirueshme.
Kush është rruga më e mirë e zgjidhjes së këtij ngërçi paszgjedhor? Eshtë krijimi i një koalicioni me bazë të gjerë. Një zgjidhje e tillë nuk është as risi, as përvojë e patestuar. Gjermania, të paktën në dy mandate të Angela Merkelit ka krijuar qeveri me bazë të gjerë. Edhe në mandatin e fundit qeveria gjermane është rezultat i koalicionit të gjerë mes Kristian Demokratëve të Merkelit dhe Social Demokratëve të Shtajnmajerit. Madje udhëheqësi i socialdemokratëve, Shtajnmajer, është zëvendës kancelar dhe ministër i Jashtëm në kabinetin e Merkelit. Pse ndodh kjo në Gjermani? Atje ndodh se të gjitha partitë, të gjithë liderët e tyre në qendër të programeve të tyre kanë GJERMANINE, ata ndryshojnë vetëm në taktika, në elemente elektorale e çështje të tjera jo kapitale. Për hir të Gjermanisë ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjitha forcat politike, veç atyre që nuk u përmbahen parimeve kushtetuese, siç janë partitë e ekstremit neonazist. Kështu duhet të ndodhë edhe në Kosovë. Nëse në qendër të programit të PDK-së, të LDK-së, të AAK-së, të Nismës, të Vetvendosjes e partive të tjera, është Kosova, ahere është i mundshëm edhe një koalicion i gjerë qeverisës. Kështu është më mirë për Kosovën. Nëse nuk paqtohemi mes veti është e vështirë të paqtohemi me të tjerët, madje me persekutorët tanë, çka është një nga kërkesat primare të samitit të vendeve të Ballkanit Perendimor, në Berlin, më 28 gusht 2014.
Letër e nënshkruar
Gani Elezi
