SEFER PASHA
Poeti dhe studiuesi i letërsisë shqipe Agim Vinca nuk i arriti dot homazhet që iu bënë Arben Dukës në Prefekturën e Tiranës. U ulëm në kafen tonë të preferuar. I fola se si e përcollëm në dalldi poetin Arben Duka për në banesën e fundit. Pastaj e mori fjalën njeriu i kryehershëm i letrave shqipe. E lexova shkrimin tënd në “Dita” për mikun tonë Arben Duka. Ty lajmi i zi i allasojtë i vdekjes të gjeti në Prizren tha ai. Po kishe bërë një gabim. Lumi i Bistricës nuk quhet Lum(a)bardha, por Lumbardha. Pas fjalës lum bie zanorja “a”. I thashë se kështu është në fjalor. Poeti Vinca shtoi se shkrimtari serb Bora Qosiç e ka bërë ushtrinë në Prizren dhe lumin e Bistricës e quante “Lum i pastër loti”.
E lamë çështjen e emrit të lumit të Bistricës, ku unë kisha shtuar një gërmë. Nisa t’i flas Agim Vincës papërshkrueshmërisht për vrumbujt në ceremoninë funebër të varrimit të poetit Arben Duka. Njeriu i letrave nga Kosova kundruall i trishtuar më ndërpreu. Poeti Arben Duka kryekrejti e thënur troç është i veçantë në oazet dhe llojin e tij, theksoi ai i përlotur. Nuk e teproj po të them se ai është një bum në letërsi, sinonim dhe shëmbëlltyrë e gjeniut. Beni me provë ulëritëse solli në poezinë shqipe një opus të një arti autentik të brumëzuar. Në kapërcyellin dhe rrafshin kohor të këtyre viteve të demokracisë nuk ka poet tjetër si Arben Duka. Shpesh më ka ngacmuar thënia e Euripidit, i cili ka shkruar se deti “ia lan botës njollat dhe plagët e saj”. Dhe Arben Duka me magjinë e fjalës që skanonte ishte një det. E thoshte shpesh se fjala është në sfratin e grykës së poetit. Kishte një lloj mllefi e skrupulli në të shkruar. Në apogjeun e vet qysh kaherë thuri një vargmal me poezi të hyjnishme. Në artin e tij kurrë nuk u shpersonalizua kobësisht. Poeti që nuk nazetohej e çprangosej lehtë qe i shqetësuar në çdo sekondë për fatet e atdheut. Dramat në përditshmëri ia përcillte lexuesit me gur e kusur me poezitë e tij të zeherta që u ngjanin cikloneve. Lexohej me një frymë. Zihej radhë për të blerë gazetën. I ndiqja vargjet e tij në çdo rrokje e në çdo milimetër të poezive. Sa i shkonte botës beniane thënia e Hamletit: “Kjo botë u shthur/, O prapësi o dreq,/Që unë paskam lindur të të ndreq”.
Njeriu i letrave shqipe Agim Vinca që fliste për hojet, brojet dhe gurët e qemerit të Arben Dukës bie në mendime. Pastaj Veleshtari dëften e më thotë drejtazi e me zë të lart. E kam studiuar gërmë për gërmë Naim Frashërin. Një jetë të tërë jam përpjekur që autorëve të ndryshëm tua përshtas vargjet e poetit: “Në mes tuaj kam qendruar/ /E jam duke përvëluar/ /Që t’ju jap pakëzë dritë/ /Natënë t’jua bëj ditë/”. Këto vargje të thekura e të ngjyrëzuara të Naimit pikë për pikë i shkojnë poetit sharmant Arben Dukës. Është emri më i kuotuar sot në letërsinë shqipe. Ai ka një jetë në vetmi atje tek Komuna e Parisit, që u bë dhe tempulli i tij. Në dhomën katër me katër në banesë dhe në kafen, që qysh në gjallje mori emrin “Arben Duka”, ai shkroi superbuqeta me mijëra vargje që u shigjetuan kundër maskarenjve të kësaj bote të kalbur. Nuk do të ketë poet në botë që me artin e tij të fiksojë në shënjestër presidentë, kryeministra, ministra e deputetë, më ndërhyri me dhimbje Agim Vinca. Vargjet e kësisojshme që thurte e botonte në majat e mendimit kundër pështymësve, palaçove e ronxhobonxhove me vese këndoheshin udhëve. Dhe “kokat” që e zhvatën Shqipërinë tmerroheshin kur në trotuare e kafene qytetarë të zakonshëm recitonin vargjet, që i ironizonin batakçinjtë.
Kryepari rrëfimet e Agim Vincës që konvergojnë me universin koherent e botën e poetit dinjitar më ngjethin. I them Vincës se pushtetarët “palaço” plot sarahoshëri, të cilët i injoronte Arben Duka me gjuhë sipërore kishin mbështetje financiare, por nuk u mungonin as cubat e errësirave që të hiqnin qafe me dhembët helmues. Vetë Arben Duka më ka thënë i pushëzuar se ai çuditej që ishte gjallë nga ata që gjinkallonin kundër tij mistikërisht. E gjithë jeta ishte një stuhi e pambarimtë plot trauma e beteja dramatike. Vrasësit e paguar e me mllefe nuk i shkrepën koburet. Shpesh e pyesja se si ishte e mundur? Dhe ai më përgjigjej se e mbronin zanat, vitat dhe petritët e malit të Çajupit. Engjëjt mbrojtës i kishte parë dhe në kafenenë atje tek Komuna e Parisit. Zogu i dreqit nuk i qasej kafenesë. Ben Duka e troisi shpatën me teknikë artistike në të gjitha anët e politikës së keqe. Kundër batakçinjve, horrave e barbarëve. Shpirti i tij u trondit kur monstrat prenë pyjet, kthyen lumenjtë nga udha, spostuan detin drejt brigjeve të Italisë, zaptuan tokat e bukës, ndërtuan pallate mbi qendrat arkeologjike, i shitën vajzat shqiptare si të qenë lopë dhe vranë e prenë e bën kërdinë. Sollën gjëma apokaliptike. Pikërisht kundër këtyre banditëve nuk pushoi së shkruari e së demaskuari burri i malit të Çajupit.
Pa i ndërprerë mendimet për thesaret që la pas Arben Duka si simbol e figurë emblematike e letërsisë shqipe sytë i hedh nga Rruga e Kavajës. Sot për çudi homazhet për poetin u bënë pikërisht tek kjo rrugë kur mote më parë vrasësit e hoqën zvarrë dhe e gjakosën poetin e talentuar. E shoqja Pranvera ishte dëshmitare e masakrimit. Dhe ia tregova veleshtarit Agim Vinca vendin ku njerëzit e hurit dhe të litarit me mendjet diabolike e sakatuan poetin. Agim Vinca i trishtuar më thotë se aty ku e dërrmuan Arben Dukën tejet të anatemuar, Bashkia e Tiranës duhet të vendos një pllakë, ku të shkruhet: – “Këtu e masakruan poetin Arben Duka”. Bëmat dhe gjëmat nuk iu ndanë poetit. Biri i gjalmëzesës së Labovës lëngoi kur bandat kriminale i rrëmbyen dritën e syve, djalin e vetëm. Vëllai im Myslim Pasha që gjithashtu ishte në homazhe kishte takuar në shtëpinë e djalit në Amerikë të birin e Arben Dukës. Foli fjalët më të mira për të. Doja që ta dëgjonte dhe Beni kur Myslimi ligjëroi aq bukur për djalin e Benit(Arben Duka kur prezantohej nuk e thoshte kurrë emrin Arben, por Ben Duka).
Profesor Agim Vinca shfaqi interes për ata që bën homazhe mbi arkivolin e poetit. Iu përgjigja pa e mitizuar. Ishin tiranasit e thjeshtë, miqtë e familjes së madhe të Dukajve, por me lule në duar ishin poetët, kompozitorët dhe këngëtarët me të cilët kishte bashkëpunuar poeti. Kishte artistë dhe nga Kosova. Këngëtari Petrit Lulo qante si fëmijë. Agim Vinca dëgjonte i tronditur. Një Drin me tekste ka shkruar poeti Arben Duka tha ai. Investoi si askush tjetër. Do të mjaftonte vetëm kënga “Një komb, një flamur”. Kjo këngë këndohet në rrugë, në dasma, në festa, në takime miqsh e në mitingje. Është një këngë që në rrafshin kombëtar të bën me krahë. Kur u publikua kjo këngë u ndodha në një stan të malit të Sharrit. Me barinjtë do të bisedoja për të pasuruar motivin e këngës së moçme të Prizrenit: – Ç’u këputë një këmbë e Sharrit/ /Zuri tre barinj/. Kisha biseduar me një kompozitor në Prishtinë dhe më duhej që vargjet tragjike t’i ktheja në një tekst kënge. Pa u futur në stan dëgjova që të gjëmonte kënga “Një komb, një flamur”. Gjatë gjithë bisedës barinjtë e malit nuk e hiqnin nga goja emrin e poetit Arben Duka. Ai e kishte shkruar këngën. Nuk u fol fare për motivin e tekstit për të cilin isha munduar që nga Prishtina. Sa me fat që është poeti Arben Duka, thashë atë ditë në stanin e malit të Sharrit. Mbaj mend që i erdha rrotull stanit. Vështrova lart. Këngën “Një komb, një flamur” e dëgjonin shqiponjat, gjeraqinat dhe bash korbat e bjeshkës. Sa herë që e dëgjoj këtë magji kujtoj thënien e Nikolla Pashiqit, i cili pat thënë “S’ka komb shqiptar, ka vetëm fise shqiptare”. Kudo e kam dëgjuar, kënduar dhe kujtuar vijoi poeti Agim Vinca. Edhe kur u përkula mbi varrin e Krishtit në Jerusalem më dukej sikur këndohej kënga: – “Një komb, një flamur”. Shqiptarët janë të lidhur me këngët e prijësave. Kur Adem Jasharit po i shuhej familja nga serbët ai me armë në dorë këndonte këngën për Çerçiz Topullin. Me këngën e Çerçizit i mbylli sytë. Sot jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por kudo ku ka shqiptarë këndohet kënga: – “Një komb, një flamur”. Për herë të parë po e them. Kjo këngë këndohet dhe në burgje. Dreq o punë e këndojnë dhe vrasësit.
***
Merakun më të madh Agim Vinca e kishte për arkivin e poetit Arben Duka. I thashë se është në duart e sigurta të bashkëshortes, Pranverës. Asnjë rresht nuk ka për të humbur në udhën e mëtutje pambarim të poetit. Agim Vinca përsëri më ngacmoi. Po kujtimet e poetit, tha ai. Heshta. Pastaj i kujtova atë që ka thënë Esenini: – “Përsa i përket të dhënave të tjera autobiografike, ato janë në vjershat e mija”. Arben Duka ishte vet një Esenin. Çmendej pas tij. E dinte përmendësh. Gjithsesi bota beniane është një pyll i pashkelur me kujtime. I tregova studiuesit Agim Vinca se me Arben Dukën punuam bashkë disa vite në Gjirokastër. Beni ishte i madh që kur shkruante në Fushën e Çajupit 11 vjeç. Para pandemisë Arben Duka në një nga takimet tona ma rrëfeu dhe njëherë atë që i ndodhi librarit Ermir Alizotit në librarinë e tij në Qafën e Pazarit në Gjirokastër. Librari ishte tek dera e librarisë. Prej udhës së përpjetë kthehet sekretari i komitetit të partisë Sotir Koçollari. E hodhi këmbën tek pragu i derës dhe deshi të futej në librari. Librari Emir Alizoti ia zë derën me të dyja këmbët. Sekretari ndaloi. Në këtë moment një zog që nga çatia e gurtë lëshon një glasë në supin e majtë të pardesysë së sekretarit. Sekretari që e pa nxori nga xhepi i pardesysë shaminë dhe deshi ta fshinte glasën. Mos i tha librari Emir Alizoti! Zogu i çatisë të mëshiroi. Ai ta bëri glasën në sup. Po të isha unë do ta bëja topin në shesh të kokës. Ke një jetë në komitetin e partisë e nuk je futur në librari që të blesh një libër.
Agim Vinca pasi më dëgjoi më pyeti nëse në jetën e poetit kishte shumë tregime e kryetituj të tillë. Të mbushësh një lum patregueshmërisht me derexhe iu përgjigja. Kur ishte me hënë të mirë i pëlqente të rrëfente atë legjendën, që e kishte dëgjuar në fëmini në malin e Çajupit prej lunxhiotëve, të cilët veronin në stanet e tyre. Ishin dy vëllezër, molloiste Beni. Qe qershor dhe ata po qethnin tufën e deleve. Në një çast u ngatërruan dhe në grindje e sipër njëri vëlla e qëllon tjetrin me gërshërën që qethte dhentë. Goditja qe fatale për vëllanë që quhej Gjon. I vëllai i vdes në stan. I tmerruar që i vdiq vëllai ai klithi fort Gjoooon dhe u bë shpend. Dhe qysh prej asaj dite ai endet pyll më pyll e fshat më fshat dhe kërkon të vëllanë dhe ja bën Gjooo…..Gjoooo…. Ky shpend vinte dhe në Labovë dhe nëpër porta thërriste Gjooo….. Labovasit delnin në penxhere dhe dëgjonin vajtimin e vëllait vrasës. Kur Arbeni e mbaronte tregimin unë sërish e ngacmoja se ku do të delte me legjendën që tregonte. Gjithnjë korrja të njëjtën përgjigje. Vëllai po vret vëllanë në Shqipëri më kthehej ai. Dhe recitonte një varg të një poeti që kishte vdekur: -Po u vramë për çdo fjalë/ /Vetëm vdekja mbetet gjallë.
***
Një radiografi e ashpër Arben Dukën qysh në agun e parë e nxjerr atë rebel e në shumicën e herës shungullues. Poeti i pabarabartë e aspak ledhatar i kurthëruar u përplas në Gjirokastër. Asohere mes tallazeve e transferuan në Fier. Pastaj në minierën e qymyrgurit në Memaliaj. Vetë Arbeni në sy të vëllait Sofokli Dukës numëronte dramat. Poezia “Lulet e majit çelin në janar” u krahasua nga Simon Stefani me dramën “Njollat e Murrme” të Minush Jeros. Aparatçikët me pamëshirshmërinë e tyre çfarë nuk dërdëllisën. Qysh në Fier poeti sqimatar fillojë të pijë alkool mes hoveve poetike. “O delja o gërshëra” u thoshte miqve. Në minierë kuptoi një gjë. Socializmi ishte ciflosur. Aty shkroi poezinë “Askund” e cila ra në duart e punëtorit operativ të Divizionit të Fierit. U bë shumë zhurmë. Poetin e mbrojti Komandanti i Divizionit, i cili qe dhe vet poet. Por poezia “Askund” humbi qorthi. Arben Duka vetëm e kujtonte. Provoi dhe nuk e rishkroi dot më. Poezia “Askund” gërthiste kundër burokratëve.
Studiuesi Vinca i rrudhi vetullat kur unë i thashë se me përjashtim të Fatmir Xhafës, nuk u panë politikanët e tjerë me doza ligësie. Është e kuptueshme tha Agim Vinca dhe citoi Gëten, i cili ka thënë për Shilerin: “Edhe kur priste thonjtë qëndronte më lart se këta zotërinj”. Dhe Vinca vazhdoi. Në Veleshtë ka ca lisa të moçëm. Rrufetë edhe pse shkarkojnë mbi ta lisat nuk gremisen. Kam parë në një kreshtë që në periudhën e verës mbi pishat e gjata gjithashtu bien tonelata me rrufe. Ato i xhveshin pishat. Ua heqin lëkurën. I linin si hosten të ngulur drejt qiellit. Por në prill me ardhjen e pranverës në majat e pishave çelin sythat, të cilat për çudi nuk ishin prekur nga rrufetë që vijnë prej së larti. Kështu ndodhi dhe me Arben Dukën. E goditën nga të katër anët. Por ai nuk u rrëzua. Askujt nuk ia mbajti yzengjitë. Turp t’u vijë politikanëve. Një politikan modern vendos tufa me lule dhe mbi trupin e atij që nuk është më, por veset dhe çmenduritë i ka goditur me të drejtë. Lulet më të mira janë ato që vijnë prej atyre që kaluan në sitën e Majakovskit (Arben Dukës) mes krizash dhe intrigash.
Gjatë bisedës i tregova Agim Vincës disa fotografi nga ato ku kishim dalë së bashku. Vinca i pa me radhë dhe u ndal tek njëra. Është një fotografi ku Arben Duka me gishtin tregues më pyet për diçka. I përgjigjem. Jam kthyer nga vendlindja e poetit Labova. Dhe pasi i fola për shtëpitë e atit dhe për gjithçka që më zunë sytë unë i tregoj dhe një fotografi. Kur po pija kafe në qendër të fshatit përballë meje në majën e një ftoi ndaloi një shpend i bukur. Zbriti nga mali i Çajupit. I shpjegova Arbenit se mua më tronditi ai shpend. Nuk lëvizte nga maja e ftoit. Vështronte drejt kafenesë ku unë po e pija kafen fillikat. I thashë gjithashtu Arben Dukës se ai shpend i rrallë i ardhur nga Çajupi ishte shpirti i Sofokli Dukës. Poetit iu mbushën sytë me lot. Vëllai i tij i shtrenjtë nuk kishte shumë kohë që kishte vdekur. Sofokliu ishte pagjumësia e Arben Dukës. Shpendin në majë të ftoit e fotografova dhe kur u ktheva foton ja tregova Arbenit, i cili e vështronte me mall. Me fotografinë në dorë Arben Duka më bëri dhe shumë pyetje për të dy labovat, për udhët, yrtet, krojet, gjirizet e vreshtat radhë – radhë. Ishte pranverë dhe unë i solla një tufë me lule. I numërova disa. Lulja e Akshamit, e Akullit, e Alles, e Argjendit, Arushës, Balsamit, Beharit, Bletës, Borës, Buallit, Deles, Diellit, Djathit, Filxhanit, Floririt, Gjarpërit, Këmborës, Kungullit, Lepurit, Mbrëmjes, Mosmëharro, Mosprek, Qumështore, Shpate, Shqerre, Vedre, Zjarri, Ylli dhe Zogu. Arbeni gjithashtu më pyeti dhe për ndonjë këngë që e prura prej andej. Ti Beni i thashë je bërë pronar i këngëve të Lunxherisë. Unë e mbajta shënim të plot këngën: – /Gruaja që fshinë odanë/ /Me një degë manxuranë/. Përshtypjet nga vendlindja e Arben Dukës gazeta “Dita” i botoi në dy numra. Labova mbeti Itaka e poetit të papërsëritshëm.
Agim Vinca asëll – asëll më dëgjonte me piskamë i menduar. Më vjen keq që vetëm një herë e kam takuar Arben Dukën tek kafeneja e tij tek “Komuna e Parisit” thotë ai dhe psherëtin. Mitet kalojnë përsëpari përmes shumë sprovave. E vazhdova më tutje mendimin e poetit Vinca, i cili tha se të gjitha tekstet e këngëve të Arben Dukës janë të thukta dhe ka dramë. Kjo ishte e vërtetë edhe për faktin se vet jeta e poetit qe e ngarkuar me ngjarje tronditëse. Beni nga natyra ishte rebel dhe nuk e duronte dot padrejtësinë edhe tek pika e vesës. Shtova duke grahur dhe një motiv të cilin nuk e kisha ndarë me asnjeri. Zgjodha Agim Vincën për t’ia thënë. Në një shkrim për Benin që u botua para pandemisë në “Dita” unë rrëfeva historinë e një vajze të bukur nga Gjirokastra, që në rini qe e dashuruar marrëzisht pas poetit të ri (Arben Duka kur kalonte në Qafën e Pazarit në Gjirokastër vajzat e kthenin kokën). Ato thoshin me gërvëlitje se dy njerëz të pashëm kanë kaluar në Qafën e Pazarit këto kohët e fundit. Arben Duka dhe Bekim Fehmiu. Aktori nga Kosova qe kthyer nga Hollivudi dhe kishte vizituar edhe Gjirokastrën. Sa shumë që ngjajnë thoshin yjet e qytetit të gurtë. Unë e njihja vajzën bukuroshe për të cilën pata shkruar. Kur u takova me Benin ai ma kërkoi me këmbëngulje që t’ia thoja emrin e asaj që e kishte dashuruar dikur fshehtësisht dhe lumturisht. Iu shmanga. Edhe mundet që t’ia kisha thënë. Le të shërbente si një detaj autobiografik. Ai e donte misterin në jetë. Atëherë Arbeni qe martuar me Pranverën. E kisha harruar këtë mesele, por u habita kur pashë në homazhe bukuroshen e dikurshme të Gjirokastrës. Në ato mote ajo e thoshte hapur se “diamanti” i Divizionit Arben Duka, të cilin e kishte simbol të shpirtit, i shërbente si anestezi. Bukuroshja kur u afrua tek arkivoli i Arben Dukës e përkëdheli atë me të dyja duart. U mahnita. Bukuroshja qe thinjur. Më erdhi keq kur e pashë ashtu të çngjyrosur dhe të plakur. Tek vështroja sokoleshën e dikurshme të Gjirokastrës pranë arkivolit të Arben Dukës mu kujtuan vargjet e Borhesit. – Vdekja është jetë që u jetua/ Jeta është vdekja që do të vijë.
Më bënte përshtypje që kur unë tregoja për Arben Dukën, studiuesi AgimVinca me mprehtësi vëzhgimi mbante dhe ndonjë shënim. I thoja se Arben Duka fëmininë e kaloi në Fushën e Malit të Çajupit. Poeti i ardhshëm së bashku me prindërit Pilon dhe Lenën në pranverë ashtu si të gjithë labovasit ngrinin nga një kasolle për verim. Qysh në moshën 11 vjeçare Arben Duka “atyre hënave” shkroi këngët dhe poemzat e para të bekuara. Qenë poezitë bredharake. Kur e pyesja se ç’donte të thoshte me togfjalëshin “këtyre hënave” ai më përgjigjej se në Fushën e Çajupit pasi hëna del në mal gjatë rrugës ajo të mashtron. Ti e shikon në mes pyllit, por pak më tutje ta bën me sy një hënë tjetër. Pamja e malit shfaq disa hëna si sorkadhe, paçka se është e njëjta. Prandaj labovitët thoshin “këtyre hënave”. Arben Dukën instinkti i visareve të malit e ngacmoi prerazi gjithë jetën. Regjistri i fjalëve që përdorte në artin e tij poeti barazohen me melhemin magjik të luleve të Fushës së Çajupit. Ai qe një mister ligjërimi brenda legjendës dhe mitologjisë poetike të malit. Poezitë e mira pikonin pikë -pikë. Ato poezi që ishin leshko e shatra – patra i flakte në humnerë. Kasollja e Çajupit mbeti muza, lajtmotivi dhe duhma e poetit në çdo fjalë e rrokje të majme. Në Çajup thoshte Arbeni në pesë vetë tre vrapojnë dhe dy qeshin. Erërat e malit qenë violinat që do t’i shërbenin si melodi kur shkruante e përshtaste tekstet e këngëve. Motivet e Çajupit qenë protoorigjnali vidhë pas vidhe. Arbeni qe dhe një kompozitor i mirë. Kasollja qe biblioteka e “vila” të cilën ai nuk e zëvendësoi me asgjë tjetër.
Pas një pauze Agim Vinca më pyeti për mendimin e poetit Arben Duka për Enver Hoxhën. Ju përgjigja me të shpejtë. Arben Duka i thashë kurrë nuk hodhi baltë mbi figurën e Enver Hoxhës. E vlerësonte edhe pas qametit. Shkroi poezi të ndjera për të.
Arben Duka botoi mbi 50 libra e shkroi qindra tekste këngësh. Në Çajup ati i tij Pilo Duka mbante dhe një kal të bardhë. Kalin Arben Duka e ka kujtuar gjithnjë deri në të fundmen orë të jetës. Ka qenë pasuria më e madhe e jetës së tij. Beni eci në jetë e nuk pati një mjet si maskarenjtë që kanë makina luksoze me miliona euro e dollar. Kur sëmurej rëndë shkonte tek urgjenca me taksi. Këtë detaj e tregonte me dhimbje. Këndonim dhe recitonim poezinë: – “O Çajup o vend i bukur o baçe e luleve”. Kjo këngë më ka rritur thoshte ai. E ka shkruar poeti Shefqet Peçi dhe jo Selim Hasani. Por shpesh belbëzonte dhe këngën: – /Dola në Muzinë//Vrap mora dylbinë/ /Pashë Lunxherinë/. Ishte kënga e preferuar e atit të tij Pilo Dukës. Kur poeti u sëmur ai donte të arratisej në Labovë ashtu si Pablo Neruda në fshatin e tij Isla Negra me muzat e tij. Por qe e pamundur.
Po e mbyll këtë ese me merakun e Arben Dukës. Shpesh ai më citonte thënien e Markesit, i cili ka shkruar: “Po shkoj drejt të njëqindave dhe kam parë të ndryshojë gjithçka, deri dhe pozicioni i trupave qiellorë në gjithësi, por akoma s’kam parë të ndryshojë gjë në këtë vend”.

Personalisht e falnderoj studjusin e shquar Agim Vinca , per vleresimin objektiv , qe shprehu , per poetin e talentuar te kombit , Arben Duka . Arbeni i perket kombit , se per kombin ka qene i shqetesuar dhe i perkushtuar Ne rubriken e tij te hapur nga “Dita ” , gjithnji lexusit shkruajne me objektivitet , per krijimtarine e vecante te ketij poeti te shquar . Nuk kam pare ndonje pronocim nga kolege te tij ,krijuse , pervec kete te sotmin nga dijetari Vinca dhe nga dijetari tjeter , S. Pasha .. E konsideroj skandal , mos pjesmarrjen e autoriteve shteterore , ne funeralin e ketij poeti te jashtzakonshem . Eshte nje nga turpet , qe regjistrohet , per qeverrine Rama . . Per kur e do kohen qeverrisese z. Ministre , kur nuk i dedikon nje lamtumire poetit te madh te kohes ? E treguaan veten fodulle mesjetare . Arbeni u perket lexusve , jo ketyre guvernatoreve te fandaksur me vetenn e tyre . Ne emer te lexusve te shumte ane mbane kombit , falnderoj kritiket S. Pasha dhe A. Vinca, si dhe deputetin e ditur , qe mori pjese ne funeral . Zgalem