Letër e nënshkruar
Agim Likaj
Ka do kohë që nuk marr guximin të shfletoj – le, më, të lexoj – ndonjë libër të letërsisë së huaj, të përkthyer nga ndonjë emër i pazëshëma, më keq, profan në fushë të përkthimeve. Më vjen ndot, gjithashtu, të shoh reklamat e tamtamta televizive, të kumtuara me një biçim gjuhe, të cilën skifterçe a skifterisht mund ta quajmë, por shqipe, jo se jo. Kjo brengosje që përjetoj së thelli, nuk e ka shkakun vetëm te numri i pahesaptë i gabimeve drejtshkrimore ndër libra, gazeta e revista, apo të keqshqiptimeve belbane nëpër ato reklama, që na e ndërpresin arrogantshëm ndjekjen e ndonjë
programi a filmi interesant; nuk e ka as te mania harbutshëm idiote e të kumtuarit të pahesaphertë të fjalëve e terminologjive joshqipe. Mua po më ligështon frikshëm cenimi dhe, më kob, shëmtimizimi,
që po i shkaktohen morfosintaksës së shqipes sonë, virusimi i organizmit të saj, i cili, deri më sot, ka
qenë mëse i shëndetshëm. E, këtë virus çnatyrimi, përçudnimi dhe zhbërjeje po ia injektojnë, as më shumë e as më pak, po ca bandillëpërkthyes e bandillkapërkthyese, ca përdhosës me shtetësi dhe kombësi shqiptare! Jemi ende në kohë për ta ndalur këtë përdhosje atavizuese, asfiksuese e vdekësuese, që po e kërcënon rrezikshëm gjuhën tonë. Si? Së paku, redaksitë e gazetave, revistave, librave, radiove dhe televizioneve ta shoshitin krejefund cilësinë e përkthimeve, përpara se të vendosin t’i botojnë a t’i transmetojnë
