Letër e nënshkruar
Izet S. Çulli
Kam vënë re shpesh diçka të çuditshme. Kur merret në intervistë një pushtetar i lartë, intervistuesi na shfaqet si gjykatës, ndërsa i intervistuari, si i paditur. Kjo ndodh sipas parapëlqesave politike që ka njëri apo tjetri intervistues, i cili në kësi rastesh, tregohet i njëanshëm, kur detyra e tij është të bëjë pyetje e të presë përgjigjen e jo të kënaqë përparësitë apo shijet e veta dhe të televizionit ku punon. Dhe kur ai nuk është i qartë, mund të bëjë pyetje shtesë e jo t’i kundërvihet shpesh egras e pa takt atij që interviston.
Po, ju lutem, më thoni, ç’status ka gazetari, ta zëmë Fevziu, që pa pritur përgjigjen, madje duke i prerë fjalën pa takt, përpiqet me çdo kusht të çojë ujin në “mullirin” e partisë që simpatizon?
Gazetarë të tillë veprojnë si më lart me “kundërshtarët” e tyre politik, ku realisht, ata duhet të jenë të paanshëm dhe të zhveshur nga politizimet e tejskajshme. Këta na ngjajnë si zëdhënës politikë duke shkelur kështu statusin e mediave dhe të shtypit të lirë e demokratik. Kjo pamje na shpërfaq para syve rolin “e hetuesve” të kohëve të mëparshme.
