Këta politikanë, aktivistë, militantë, ish-kryetarë, ish-kandidatë për kryetarë, kandidatë për ish-kryetarë, të përjashtuar, gati të përjashtuar, të ripërjashtuar e të ripranuar; këta themelues e rithemelues, themeltarë e themelvënës, të gënjyer e të zhgënjyer, njerëz që kanë parë të vërtetën në sy, njerëz që kanë parë të vërtetën me sy, njerëz që kanë hequr të zitë e ullirit; ish-të mërguar, të degdisur, të dëbuar, të shkelmuar, të syrgjynosur, të ikur nga sytë këmbët; fëmijë dje haram e plangprishës, sot të falur e të rifalur; të gatshëm për të rifilluar, për të marrë e rimarrë hak e shpagë; njerëz të kthyer, të rikthyer e të riatdhesuar; të lindur sërish, born again homunculi, që kanë gjetur e rigjetur aspiratën, shpresën, dritën në fund të tunelit, busullën në këtë kohë stuhish; personazhe këmbëngulëse të një telenovele që rrotullohet ngadalë, ferris ëheel në horizontin e ndryshkur të politikës në Tiranë…
E pra, nuk më kujtojnë veçse një takëm lojëtarësh profesionistë futbolli, të cilëve deri edhe kombësia e skuadra amtare u është harruar; që kalohen dorë më dorë mes klubeve, si letrat e bixhozit në lojën e “derrit”; që riciklohen pa prerë, pse të zotët në çfarë bëjnë, me kofshë të plota si zinxhirët e tankut; njerëz që ndajnë tryezat e gostive me arbitrat dhe gazetarët e mikrofonit dhe presidentët e klubeve; që dinë të llapin e të flasin rrjedhshëm para kamerës, me theksin folklorik të ruajtur për batutat me kripë; besnikë ndaj rrogës që marrin, por edhe më besnikë ndaj rrogës që do të marrin, si kompromis midis planifikimit për të ardhmen dhe tradhtisë epike; mercenarë të kulluar, në kuptimin më të mirë të fjalës, qenie që e kanë kuptuar se çfarë i kërkohet mallit në treg, është të rrijë ekspozuar me durim në raft si nusja, deri sa ta blejnë…
Kështu edhe këta silura të harruar në ujë nga kushedi ç’betejë detare e lënë përgjysmë, piranha dhëmbëkrimbur të politikës, sot me PS-në nesër me PD-në pasnesër kushedi të kthyer përsëri 180 gradë, 360 gradë, të kthyer mbrapsht si xhaketa në dimensionin e katërt, madje të gatshëm për të nisur diçka të re, virgjine dhe të paparë; nga internacionalizmi në nacionalizëm; dje me dylbi, sot me sy të lidhur; një ditë duke hedhur valle, të nesërmen në karrige me rrota; herë me zë të hollë e herë me zë të trashë; pragmatikë në principialitetin e tyre, parimorë në pragmatizmin e tyre; ekspertë për ta shndërruar fjalën e fundit në të parën; me gjunjët të bërë kallo, nga dyshemetë e ashpra të pallateve të pushtetit…
Më kujtojnë vërtet futbollistët profesionistë, ata që i shënojnë gol pa entuziazëm klubit të tyre të djeshëm dhe që ngrihen pastaj në qiell prej të gjithëve; e bëri si burrat, atij i lumtë, të kisha qenë unë në vend të tij, sa merr ai në një ditë, mos ia qaj hallin kalorësit; sepse ditën ta vënë kacidhen para zemrës – qoftë edhe me kusht që të nxirrnin fitime dhe nga vetë falja, si kapital mallëngjimi, sikur kjo të ishte e mundur; futbollistë yje shtegtarë që kalojnë nga një yllësi tek tjetra kur ndërron stina, me emra ndonjëherë të pashqiptueshëm, por nofka të shkurtra, infantile, Niki, Fiki, Liki, si prostitutat e lagjes…
Por të paktën këta futbollistë një gol edhe e shënojnë ndonjëherë, nga distanca, më shumë për të treguar se mund të shënojnë akoma sesa nga etja për golin vetë; shembëllzim të teknikës së përkryer, syrit të pagabueshëm, sensit taktik dhe gjakftohtësisë prej ujku që qimen e ndërron; e shënojnë, qoftë edhe vetëm si kapar për shitblerjen e ardhshme në fund të stinës, ose për t’i lënë shteg arsyetimit për talentin e pashoq të lënë qëllimisht të vyshket, për atë nuk e do ai…
E shënojnë pra golin e duhur, në momentin e duhur të stinës; ndryshe nga profesionistët tanë të politikës, që shkëlqejnë e shquhen vetëm për aftësinë e ndërrimit të fanelave, të sponsorëve, të modelit të flokëve e të ngjyrës primare të kravatës; dhe golin e tyre të stinës e shënojnë pikërisht duke ndërruar “teserimin”; ose duke u riaktivizuar si forcë e freskët, ideatore, rigjallëruese, në palestrat e plogëta të politikës partiake, atje ku s’thahet kurrë djersa, pa çka se trajnerët e masazhatorët e heqimët e pije këtë i kanë lënë pa paguar prej vitesh…
Këta politikanë të zanatit, virtuozë të kamatës politike, aristokratë të leshit të deles, miq të miqve, njerëz me dy e ndonjëherë tri palë dosje, viktima dhe autorë shantazhesh të vjetra e të reja, bartës dy-tre pseudonimesh për dje, për sot dhe për nesër; që dalin në krye të turmave duke tundur shtizat e tyre pa flamuj, kur nuk dalin të veshur e pispillosur me flamujt e tyre pa shtiza; veteranë tuhafë betejash që nuk i luftuan kurrë, të gjithë aq miq me njëri-tjetrin, sa të mos e lënë kurrë miqësinë t’u prishet nga përkatësia, e dikurshme, e tanishme, e mëvonshme, në kampe të kundërta; njerëz që e kapërcejnë ditën duke ecur pezull mbi harkun e një shkeljeje syri; ekipi i madh i pathyer i futbollistikës sonë politike, ku të gjithë fitojnë, me përjashtim të publikut.
Peizazhe të Fjalës

Analize e shkelqyer, krahasimi i spikatur ‘një takëm lojëtarësh profesionistë futbolli’, larg vulgaritetit qe perdoret rendome nga gazetare dhe analiste ne faqet e shtypit.
Pergezime
Ka disa momente ne shkrimin Vehbiut,njerit nder perkrahesit e “aleances se qelbesirave”, qe duhen vene ne dukje,sepse, vete i thekson,pavaresisht se i mbulon gjoja me indinjaten ndaj “ketyre te sotmit” ne pergjithesi, me nje perrua fjalesh te kota.
E para, “keta te sotmit” sipas Vehbiut jane ata deputetet socialiste qe iken nga PS-ja tek PD-ja.Per Vehbiun,keta te bejne te vjellesh,por rrufjani “harron” se veprimi i ketyre deputeteve ishte pasoje e maskarallekut me te madh qe ka njohur politika e ketyre 22 viteve,”aleances se qelbesirave”,sepse,kjo qenef aleance eshte ngritur mbi gjakun e kater te vrareve,qe u perdoren si mish per top nga psikopati i politikes Edi Rama per te rrezuar Ilir Meten.Por,rrufjanet duan ta kalojne ne heshtje kete tragjedi,ideatori i se ciles ishte E.Rama.
E dyta, nacionalizmi “me dylbi”, “me syte e lidhur” etj etj (eshte fjala per AK-ne,per te cilen ka nje urrejtje te verber). Eshte e njohur urrejtja e Vehbiut per AK-ne ,per arsyen se kjo parti eshte e para si e tille qe ka kerkuar bashkimin me Kosoven,kunder te cilit bashkim, A.Vehbiu me servilet e blogut te tij, eshte kategorikisht kunder( arsyet se pse, jane nga me te uletat por, nuk eshte vendi ketu) .
E treta, politikanet me dosje,me pseudonime te shumta ne to(eshte fjala ,padyshim per te djathtet ). Kjo ka te beje me nje akuze shume te ndyre ,te ulet te poshter sa ska ku te veje me ,qe i’u behet sistematikisht politikaneve te djathte, nga kundershtaret ,por edhe nga rrufjane si Ardian Vehbiu. Keta te poshter ,ne fakt,mbeshteten mbi gjysme te verteta,prandaj edhe aludimet,akuzat dhe shpifjet e tyre jo rralle zene vend.
Po cilat jane keto gjysme te verteta?? – Ne kohen e diktatures, Sigurimi i Shtetit,ndiqte nje taktike te njohur per sherbimet e fshehta ne vendet ish -socialiste,ku target i rekrutimit te bashkepunetoreve te tij ishin klasat e permbysura.Qellimi shume i lig dhe shume i qarte: me nje gur te vriteshin dy zogj; edhe sherbimi te behej,edhe t’u jepej goditja perfundimtare,nepermjet kompromentimit,ketyre armiqve te sistemit. Deri diku ka funksionuar,sepse,metodat kafsherore qe perdoreshin kane thyer shume njerez te mjere. Por,edhe ata qe refuzonin bashkepunimin,ju hapej dosja.Ka shume te tille.
Por,ironia e e ironive,ligesia e ligesive,poshtersia e poshtersive,te asaj kohe dhe e e zuzareve qe shfrytezojne ligesite e saja per perfitim politik, qendron ne faktin qe, besniket e regjimit,komunistet, “tonet” ,nuk “kompromentoheshin” nga dosjet e sigurimit,sepse,nuk kishte nevoje,sepse,ata ishin spiune publik,dmth ,sherbimin e tyre e benin publikisht ne kolektivet e tyre !
Vehbiu i di shume mire keto gjera,por ben sikur nuk di,sespe,eshte ne mendesine e “tonit” qe te veproje keshtu,sepse,fundja jemi ne kohe fushate,dhe u duhet dhene nje ndihme me stil “toneve”…
Kurse perroi i fjaleve te tjera eshte thjeshte nje zhurmues,per te nanurisur ata qe mund te nanurisen.Flm.
Vehbiu duhet vleresuar,si nje njeri me vizion te madh!
Mendimi im per te,esht se ndahet nga te tjeret,bashke me Adrian Thanon!
Shkrimet e ketyre te dyve,per mendimin tim ,jane per te perfituar dicka, nga cdo klas politike qe Shpalos idet e saja!
Se fundi, Vehbiu esht Realist e jo Nacionalist!
Bukur!