Jese debuton me gol dhe i jep një fitore historike Stoke City-t ndaj Arsenal. Dihet që në Premier League Stoke nuk ka një derbi si shumica e skuadrave dhe e konsideron Arsenal-in si një rival lokal çka e bën stadiumin ekstra të motivuar sa heqë që Topçinjtë janë vizitorë.
Dhe të besuarit e Wenger e ndiejnë presionin. Rastet për gol mungojnë, dhe ato pak aksione të rrezikshme ndalen nga mbrojtja ose portieri Butland. Ka raste që ndeshja është e mërzitshme, Stoke mundohet të mbrohet dhe të shfrytëzojë kundërsulmet apo goditjet standarde ndërsa Arsenal e ka shumë të vështirë të krijojë lojë dhe bie në sy mungesa e Alexis Sanchez.
Pas pushimit është Jese ai që zhbllokon rezultatin me një gol të bukur në minutën e 47’. Ai merr një pasim preciz nga Berahino brenda zonës dhe godet me të majtën një diagonale të pakapshme për Cech.
Arsenal pothuajse nuk reagon fare. As zëvendësimet e Wenger nuk e shkundin ekipin dhe i vetmi rast i Topçinjve, në këtë rast të pafat, vjen në minutën e 72’ kur Lacazette shënon një gol potent por arbitri anësor e anulon për pozicion jashtë loje. Por sulmuesi francez ishte në pozicion të rregullt. Vjen fitorja e parë e Stoke City, dhe humbja e parë e Arsenal në këtë sezon.
