Klaudja dhe Era janë motra. Ato janë artiste në cirkun e Tiranës. Dita e djeshme ishte kthim në punë pas pushimeve verore. I gjejmë në përqafime të ngrohta mes kolegëve të tyre në ambientet Teatrit të Metropolit. Edhe pse kanë qenë me pushime zyrtare, ato nuk kanë pushuar nga puna. Ndërsa të tjerët kanë qenë duke marr rreze dielli motrat Duro e kanë “djegur” në të gjithë Shqipërinë sepse profesioni që ato kanë është të xhonglojnë me flakë. Këtë gjë nuk e bëjnë në cirk, por në mënyrë private ky aktivitet është primar për motrat se mbi të gjitha u sjell të ardhura. Sot ato na vijnë në një rrëfim mbi pasionin për rrezikun dhe sekretin se si të punosh mes zjarrit dhe të mos digjesh.
Klaudja Duro është motra e madhe, ajo është 24 vjeç dhe na tregon se është futur në cirk shumë vonë, përpara tetë vjetësh dhe kjo nuk është normale për një artiste që do të merret me akrobaci, por ajo ia ka dal shumë mirë të jetë sot një vajzë e kualifikuar, madje vazhdon studimet e larta për Mjeshtëri Sportive. Era, është me e vogël, ajo është 19 vjeç dhe po ashtu është një mjeshtre cirku e në të njëjtin fakultet me të motrën. Por që të dyja nuk janë rastësisht në ato ambiente, shkak është e ëma, Fitnete Duro e cila na shoqëron në bisedën që bëjmë me vajzat e saj.
Për Fitneten të duash një profesion do të thotë t’i kushtosh gjithçka. Kur e trashëgon tek fëmijët, atëherë nuk është thjesht një profesion, por pasioni i një jete që kalon tek brezi tjetër. Ato janë tri akrobate në një shtëpi. Dy breza artistesh, te cilat nuk i bashkon vetëm gjaku, por dhe tenda e madhe e akrobacive. Të trija, çdo ditë dalin nga shtëpia për t’iu drejtuar ambienteve te Cirkut të Tiranës, ku kalojnë pjesën më të madhe të kohës.
Sot do të flasim me vajzat për zjarrin dhe mënyrën se si e përdorin ato. Duhet theksuar se Klaudia dhe Era janë të vetmet xhonglere profesioniste në Shqipëri. Nëse i shohim me pak vëmendje videoklipet e këngëtareve ku ka edhe elemente zjarri, ato janë të pranishme. Ashtu siç janë edhe në festa të mëdha e të vogla, të thjeshta e moderne të artistëve dhe politikanëve. Njëra prej tyre ka qenë edhe prezenca në ditëlindjen e një prej vajzave të Ilir Metës, ku në ambientet e Hotel “Rogner” ato kanë realizuar disa numra mes flakesh.
Kluadia e nis natyrshëm rrëfimin e saj: “Mua nuk më pëlqen shkolla t’ju them të drejtën, më pëlqen sporti, arti dhe kam punuar shumë, sidomos dy vitet e para të futjes në cirk. Këtu nuk mund të them që kam një profil stabël. Kam realizuar edhe numra ajri e prestigjatori që i realizoj së bashku me motrën”.
Dhe vijmë të pika e tyre e dobët: xhonglimi me zjarr
Era tregon: “Jashtë cirkut unë dhe motra ime jemi të shfaqura si vajzat e vetme të zjarrit në Shqipëri. Është shumë e thjeshtë për të arritur diçka, por është shumë e vështirë për ta mbajtur atë”. 24-vjeçarja Klaudja ka filluar të “luaj me zjarrin” përpara gjashtë vitesh. Ajo ndihet shumë e kënaqur për punën që ka bërë gjatë kësaj kohe dhe deklaron se zjarri është pasioni i saj i pashtershëm.
Kur e pyesim se çfarë ndodh me një person që gjendet vazhdimisht mes zjarrit dhe aq më tepër duke luajtur, Klaudja na tregon një shenjë të saj të djegur në krahun e djathtë, duke na shpjeguar që ishte pasoj e performancës së dy ditëve më parë.
Mjetet e punës?
Era: Veglat e zjarrit janë apostafat për të punuar më të. Duhet t’i mësosh një vit pa flakë dhe më pas të fillosh t’i ndezësh, duke i lyer në fillim shumë pak me solucionin përkatës, pastaj duke ia shtuar dozë.
Vajzat nuk kanë receta dhe formula në realizimin e numrit të tyre. Klaudja në tregon se ajo që bënë ajo quhet Zjarr duke i shtuar kërcim, buzëqeshje dhe performancë, kaq u ka mjaftuar motrave që të lënë me gojë hapur shumë nga ata që i kanë ndjekur në evenimente të ndryshme apo festa familjare që nuk kanë munguar gjatë gjithë këtyre kohëve. Ato kanë marrë përshëndetje edhe nga politikanë të rëndësishëm në vend mes tyre kujtojnë edhe presidentin Nishani, i cili kujtojnë se ai nuk e dinte që edhe ne vendin tonë kishte vajza që bënin këtë punë.
Ato ndihen shumë të kënaqura sidomos për kërkesat e kësaj vere. Klaudja na shpjegon: “Sapo kemi mbyllur një kontratë me “Summer Fest“, spektaklin verorë që u organizua në Top Channel. Gjithashtu kemi performuar me Flor Mumajesin dhe Elvana Gjatën duke qenë pjesë e videoklipeve të tyre”. për këtë profesion të dy motrave vështirësia është e një shkalle të lartë. Por kur vjen puna, jo të gjithë mund të jenë të aftë të realizojnë numra shpejtësie me zjarr. “Është rrezik! Ke shumë njerëz që të ndjekin. Duhet të kesh kujdes se një gram benzinë të pikoj çdo gjë shkon shumë keq. Megjithëse gjithmonë na shoqërinë mami dhe kujdeset për të gjitha performancat tona”, -tregon Era.
Në cirk
Era trashëgon fjongon, por edhe zjarrin
Era është e para femër, pas të ëmës që është e specializuar në numrin e “Fjongos” në cirkun e Tiranës. 19-vjeçarja ekzekuton atë pa rrip sigurim. Ajo është pjesë e pandarë e motrës së sa më të madhe. Ndërsa fjongon e ka trashëguar nga mami, zjarrin e ka “dhuratë” nga motra. Ato janë bashkë ku do që shkojnë. Tashmë janë një çift motrash zjarri. 19-vjeçarja rrëfen se nuk e ka patur shumë të thjeshtë të bëhet pjesë e performancave me flakë dhe tregohet e sinqertë që nuk ka vendosur akoma rrethin me zjarr në bel ashtu siç bën Klaudja. Ato kanë një oborr në shtëpi dhe preson sa të bjer drita e diellit për t’u stërvitur duke u larguar në këtë mënyrë edhe syrit të kureshtarëve.
Trashëgimia
Klaudja, në gjurmët e së ëmës
Është bukur kur arti trashëgohet. Këtë gjë artistja e cirkut e kuptoi herët, që kur vendosi të angazhojë të bijën në të njëjtën fushë me të sajën. Pasi studioi të dhënat fizike, por edhe talentin e Klaudjas, ajo gjykoi se një përfshirje e saj në art do të ishte zgjedhja më e mirë. Fillimi është për të gjithë i vështirë, edhe për të funksionoi njëlloj. Por, me ndihmën e mamasë profesioniste, ajo ia doli mbanë, derisa fitoi besimin në vetvete, e prej tri vitesh ajo është një artiste e mirëfilltë e cirkut që performon shpesh krah së ëmës. “Më ka hyrë në gjak si art, me gjithë rrezikshmërinë që mbart. Në ajër ndihem si pupël, sidomos edhe përkrah mamasë, gjithçka bëhet më e lehtë. E kuptojmë njëra-tjetrën me sy, dhe ky kombinim i lëvizjeve na gjen gjithmonë të plotësuara në çdo numër që japim përpara spektatorëve të vegjël dhe atyre të rritur. Mund të kisha zgjedhur çdo profesion tjetër, por cirku më përmbush, mbase edhe për faktin që jam rritur me të, që e vogël me provat në shtëpi të sime meje apo si vizitore e zakonshme në cirk”, përfundon Klaudja Duro.
Familja
38 vite në cirk
Fitnetja e nisi rrugën e akrobates që në moshën 10-vjeçare, për t’i përkushtuar 38 vite të jetës së saj. Është konsideruar si mjeshtre profesioniste e numrave në ajër, motiv që sot ajo gëzon këtë titull. Nuk ka dashur ta mbyllë me kaq dashurinë për cirkun, por në rrugën e mamasë së tyre janë futur dy vajzat, Klaudja dhe Era.
Profesioni
Dy motra ne…
24-vjeçarja Klaudja Duro, ka 8 vite që punon në cirkun e Tiranës si profesioniste. E reja zotëron numrat e ajrit, ekuilibrit, xhonglerit dhe prestigjatorit. Ajo ka qëndruar shumë vite me mamanë, duke trashëguar dashurinë për lartësinë. Çdo dite e gjen pranë ambienteve të cirkut, ku stërvitet për orë të tëra. Tenda e madhe ka qenë për të si një shtëpi e dytë. Vitet të tëra stërvitje bënë që vajza të rritej profesionalisht teksa mësonte numrat e vështirë. Era është vajza e dyte e Fitnetes. 19-vjeçarja, studente ne vitin e parë te Universitetit te Sporteve, ka 6 vite që stërvitet për t’u bërë akrobate profesioniste. Numrat e ajrit dhe të prestigjatorit janë disiplinat e saj. Ndër performancat më të bukur të Erës, mund të përmendet “fjongo”. Në performancë, Era qëndron e varur mbi një fjongo që varet në lartësi, për të formuar forma të ndryshme gjeometrike. Gjithçka duket kaq natyrshëm për Erën e cila e zotëron plotësisht fjongon. Planet për të ardhmen? Të venë në skenë një numër të vështirë ku të performojnë të trija.
