Seanca e djeshme kuvendore, ku diskutohej për buxhetin faktik 2012 është kthyer në një debat të ashpër mes Ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe paraardhësit të tij në këtë detyrë, Ridvan Bode. Shkak për këtë është bërë renditja e fakteve nga Cani për gjendjen e financave të trashëguara nga qeveria e kaluar, duke u marrë si argument kryesor se pse është në këtë situatë ekonomike Shqipëria. “Ekonomia është e sëmurë, madje rëndë. E sëmurë dhe pa mjekim prej vitesh, por doktori i paaftë as e mori vesh, por edhe po ta kuptonte, përsëri nuk do dinte ta shëronte”, u shpreh Cani dje në kuvend, duke fajësuar kryekëput 2B siç i cilësoi ai çiftin Berisha-Bode. “Përkundrazi, për të dytën herë çifti 2B me sharlatanizëm e paaftësi e ka çuar ekonominë në buzë të greminës. Sot ekonomia rritet 6 herë më pak se mesatarja e dy dekadave të kaluara. Për 8 vite nuk mundi t’i shtonte gjë punësimit. Borxhi ka kapur qiellin dhe i deklaruar apo i fshehur ka shkuar mbi 73% e PBB (sot është në borxh të frikshëm shteti, biznesi, shtetasi, shkurt i madh e i vogël, por jo ish pushtetarët). Rezervat e qeverisë në para dhe në ushqime, edhe pse dimri është përpara, u boshatisën me qëllim nga ish qeveritarët. Nuk u ngopën në makutërinë e korrupsionit, por edhe pilafin e groshët në shtëpi i bëjnë me rezervat ushqimore, që duhej të ishin në dispozicion të qytetarëve për ndonjë fatkeqësi, që urojmë të mos ndodhë. Dhe me mbështetje të plotë të këtyre ish-qeveritarëve, që nuk lenë kënd pa përfolur, janë grabitur para nga buxheti në dogana e tatime, prona në hipoteka etj”. Këto ishin disa nga fajësimet që Cani bëri për paraardhësit e tij, duke gjetur përgjigjen e menjëhershme të Bodes. “Në të gjithë mandatin e shkuar Qeveria e përzënë nuk realizonte të ardhurat me mesatarisht mbi 300 milionë dollarë çdo vit”, u shpreh Cani. “Në fakt kjo situatë, me borxhe të krijuara ndaj biznesit, nuk ishte e keqe për të gjithë. Kjo situatë i dha një kuptim tjetër fuqisë së ish-ministrit të Financave. Ai kishte në dorë për të përzgjedhur dhe të futur pa radhë, në shpërdorim të detyrës, në sistemin e thesarit pagesat e atyre faturave të cilat i trajtonte jo pa arsye si urgjente”, ishte një ndër akuzat e drejtpërdrejta të Canit për parardhësin e tij. “Vetëm një investitor, kuptohet mik i ministrit, ka marrë brenda ditës me urdhër të tij, pagesa për 220 milionë lekë apo 2.2 milionë dollarë, kuptohet pa qenë fare prioritar. Në 8 muaj në 2013 ka paguar jashtë rradhe dhe me shkelje, jo pak, por 3.7 miliardë lekë ose 35 milionë dollarë”, tha Cani. Por përgjigja e Bodes ka qenë e prerë dhe e qartë për Canin. “Ndiej dhimbje sesi në një situatë të vështirë, vendi ka një njeri kaq diletant dhe të papërgjegjshëm sa parafolësi. Keni baltosur punën e qeverisë së mëparshme. Jeni të tmerruar nga paftësia juaj për të menaxhuar ekonominë shqiptare në një vit të vështirë. 2012 ishte vërtet viti me rritjen më të ulët, kur vendet e Europës u zhytën në krizë. 2012 dëshmon përpjekjen vigane të njerëzve të përgjegjshëm për të mos lejuar rënien në krizë. I nderuar parafolës, je marrë me rrënimin, spiunimin dhe falsifikimin e paraardhësve të tu. Rrëmo sa të duash, nuk ke për të gjetur asnjë shkelje ligji, asnjë kushëri në Dogana. Ja ku më keni, prokuroria dhe gjykatat janë të hapura”, tha Bode. “Deputetët dhe publiku kujtojnë këmbënguljen e ish-ministrit që nuk kishim borxh të fshehur. Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe ‘Deloitte’ vërtetojnë se në vitin 2012 borxhi i fshehur vetëm ndaj biznesit ka qenë gjysmë miliardë dollarë”, tha Cani. “Nëse ju thoni që ne kemi mashtruar me borxhin, përse po votoni sot atë që ne kemi thënë, që borxhi i Shqipërisë, deficiti i Shqipërisë në vitin 2012 është më i ulëti historik i arritjeve”, tha Bode. Kreu i Financave deklaroi në Kuvend se fshehja e borxhit u përdor nga paraardhesi i tij edhe për qëllime korruptive.
Çfarë gjeti qeveria e re në shtator?
Të ardhurat e humbura në Buxhetin e Shtetit për këtë vit nga ndërhyrjet e paplanifikuara të qeverisë deri në shtator ishin më shumë se 11 miliardë lekë të reja, ose 80 milionë euro. Qeveria e ikur në prill 2013 ndryshoi ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, duke propozuar që të ardhurat nga paga dhe bonuset nga 0-30,000 lekë të reja të mos jenë të taksueshme dhe pagat mbi këtë nivel të taksohen 10 për qind të pagës bruto. Ndryshimi hyri në fuqi më 1 maj 2013 dhe ndikimi negativ tek të ardhurat, për periudhën qershor-dhjetor 2013 do të jetë 1.5 miliardë lekë, ose mbi 12 milionë euro. Po kështu u ndërhy dhe në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Përjashtoi pagesën e TVSH-së për importet e makinerive dhe pajisjeve që përdoren për investime të mëdha (për investime që fillojnë nga 50 milionë lekë të reja e më lart); përjashtimin nga TVSH për makineritë dhe pajisjet e importuara në industrinë përpunuese, agrobiznes dhe bizneset që janë subjekt i taksës së biznesit të vogël, gjithashtu dhe përjashtimet për pagesën për TVSH-në e hekurit dhe çimentos së importit ose vendas që përdoret si lëndë e parë në ndërtimin e hidrocentraleve. Ligji ka hyrë në fuqi në janar 2013 dhe vendimi i Këshillit të Ministrave për zbatimin e tij në mars 2013. Gropa në të ardhurat buxhetore nga ky ndryshim ligjor për gjithë këtë vit është vlerësuar në 4 miliardë lekë, ose 29 milionë euro. Po kështu qeveria ndryshoi edhe ligjin “Për taksat kombëtare”. Ndryshimet e fundit të bëra në ligjin e taksave kombëtare lidhen me përgjysmimin e taksës vjetore për makinat e përdorura. Ligji ka hyrë në fuqi në maj 2013. Efekti negativ i vlerësuar është 2.7 miliardë lekë për periudhën e mbetur të 2013-s nga 6 miliardë lekë që ishte parashikuar për gjithë 2013-ën. Por ashtu siç Cani deklaroi dje më problematikja e një situate të tillë, kur burimet e buxhetit mungojnë ndjeshëm është se ato çuan në krijimin e një sërë detyrimesh të prapambetura të qeverisë ndaj sektorit privat. “Në fakt borxhi i raportuar në këtë buxhet që pret miratimin tuaj asnjëherë nuk ka qenë reali, me nivelin e tij është mashtruar. Më së paku një borxh 700 milionë dollarësh nuk është raportuar me urdhër të çiftit “2B”, duke falsifikuar realitetin. Por, ka qenë po ish ministri që të njëjtën gjë ka realizuar me falsifikim edhe në buxhetin e vitit 2013 me të ardhurat nga privatizimi i katër H/C (duke e bërë rrugë mashtrimeve me shifrat). Pra është shkelur ligji, është manovruar për t’a fshehur borxhin real nga ish-qeveria”, cilësoi ai. Po kështu vitin 2012 e cilësoi si ndër më të rënduarit me vjedhje masive e barbare në tatime e dogana “me fatura false për rimbursim TVSH apo lloje të tjera hajnish, me të cilat po merremi dhe po i denoncojmë në prokurori”.
Portretizimi i ekonomisë 2012 sipas Canit
• Viti i katërt radhazi i dështuar në ekonomi e financa, ku të ardhurat e buxhetit nuk realizohen ndjeshëm. Kur them ndjeshëm kuptoni që në pesë vitet e fundit ish qeveria nuk ka futur në buxhet (përjashto xhepat e tyre) 1.3 miliardë dollarë. Viti 2012 i la stafetën 13-s me synim të qartë për ta groposur, kurrsesi për ta ndihmuar.
• Çdo buxhet është rishikuar në ulje afro dy herë në vit, meqë ish kryeministri personalisht ka menaxhuar një situatë mashtrimi të publikut me shifra të manipuluara se medemek ekonomia shqiptare ka qenë më e mira në botë (kuptohet, pas Gjermanisë!).
• Viti 2012 do të kujtohet si viti ku qeveria e rriti borxhin tej çdo limiti (në fakt e hoqi kufirin ligjor, por pasi e kishte shkelur ligjin). Deputetët dhe publiku kujtojnë këmbënguljen e ish ministrit që nuk kishim borxh të fshehur. Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe “Deloitte”, vërtetojnë se në vitin 2012 borxhi i fshehur vetëm ndaj biznesit ka qenë mbi gjysmë miliard dollarë. Po ashtu buxheti la jashtë shtresat në nevojë për mbi 6 miliardë lekë dhe një mori serë detyrimesh të tjera dhe siç do të shohim në ditët e ardhshme, janë në vlera jashtëzakonisht të larta.
• Viti 2012 e futi ekonominë e vendit, ashtu si në vitin 1996, në pritën e një ekonomie piramidale (me po të njëjtin çift 2B, por pa Suden).
• Në vitin 2012 (më tej më shumë në vitin 2013) ish-ministri i Financave ka shpërdoruar detyrën duke paguar jashtë radhe, gjoja për urgjencë investitorë e shoqëri tregtare, edhe pse la pa paguar afro 10 miliardë lekë në thesar. Vetëm një investitor, mik i ministrit, ka marrë brenda ditës, me urdhër të tij, pagesa për 220 milionë lekë apo 2.2 milionë dollarë, kuptohet pa qenë fare prioritare. Kjo kompani ka qenë me fat se “rastësisht” ish-ministri e ka paguar jashtë radhe edhe herë të tjera për rreth 453 milionë lekë ose mbi 4 milionë dollarë. Por ish-ministri nuk është ndalur dhe në vitin vijues. Në 8 muaj ka paguar jashtë radhe dhe me shkelje jo pak, por 3.7 miliardë lekë, ose 35 milionë dollarë.
Çfarë (nuk) bëri qeveria e kaluar
- Arkëtimin e duhur të të ardhurave tatimore dhe doganore për nëntëmujorin janar-shtator 2013, duke i lënë Buxhetit të Shtetit një vrimë 280 milionë euro. Për herë të parë në historinë e tranzicionit shqiptar, tatimet në një vit me rritje ekonomike nuk morën më shumë para se sa nëntëmujori i vitit paraardhës;
- Pagesën e mbi 285 bizneseve të mëdha që kishin kryer punë për qeverinë, duke krijuar ngërçin më të rrezikshëm për ekonominë shqiptare, me bllokime aktiviteti biznesi dhe kreditimi nga bankat;
- Matjen e detyrimit shtetëror ndaj biznesit, premtimin që ky borxh do të shlyhej, duke krijuar klimen më të pasigurt dhe të amulltë mes shtetit dhe biznesit privat të vendit;
- Mbajtjen e borxhit publik në kufij të papranueshëm nën 60 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit, duke e çuar atë në 71 përqind të PBB-së, ose duke mbajtur fshehur një borxh të ri rreth gjysëm miliardi euro;
- Mbajtjen e defiçitit buxhetor në 3 përqind te PBB-se, duke e çuar këtë defiçit në mbi 7 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit,
- Mbajtjen e borxhit tatimor nën kontroll, duke e rritur atë me mbi 70 përqind të sasisë që ishte në vitin 2012, ose në rreth 560 milionë euro, duke grryer kështu financat shtetërore dhe forcën e ligjit në sistemin fiskal;
- Vjeljen e duhur të të ardhurave për sigurimet shoqërore, duke mbajtur një raport paradoksal kontribuesish nga sistemi publik dhe ai privat gati të barabarte, kur dihet që afro 80 përqind e ekonomisë shqiptare është e privatizuar dhe raporti duhej të kishte qenë 4 me 1 në favor të kontribuesve nga sektori privat. Ky dështim ka sjellë një borxh kolosal dhe të rrezikshëm të sistemit të pensioneve;
- Kufizimin e shkrehjes zgjedhore të administratës publike, sidomos të doganave, tatimeve dhe forcave të rendit, duke prodhuar administratë publike të papërgjegjshme para, gjatë dhe pas zgjedhjeve në historinë e Shqipërisë Demokratike;
- Mbajtjen e ritmit të duhur të harxhimit të fondit rezervë të qeverisë, duke lënë vetëm 18 mijë dollarë, nga të paktën 18 milionë dollarë që duhej të linte për periudhën shtator-dhjetor 2013;
- Mbajtjen korrekt të rezervave të Shtetit në mallra, duke i boshatisur magazinat shtetërore gati më keq se rrënimi dhe plaçkitja e tyre në mars 1997;
Buxheti faktit miratohet me 109 vota pro
Buxheti faktik i vitit 2012 është miratuar pas debatesh dhe akuzash të ashpra në parlament me unanimitet. Seanca maratonë ka filluar paraditen e djeshme, dhe për 8 orë me radhë deputetët kanë diskutuar rreth shpenzimeve që janë bërë gjatë 2012. Minuta e heshtjes për Sokoll Olldashi, ishte e vetmja minutë e qetë e parlamentit ku akuzat për shpërdorim parash erdhën nga të dyja palët. Me 109 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, parlamenti miratoi buxhetin faktik të shtetit për vitin 2012.
Plotësojani dëshirën Ridvanit ose heshtni në seancën e radhës
REDAKSIONAL
Ka pasur një shkëmbim replikash dje në Kuvend mes ministrit të Financave Shkëlqim Cani dhe paraardhësit të tij në atë zyrë Ridvan Bode. Ndryshe nga sa jemi mësuar me replikat në Kuvend mes “Financiarëve”, kësaj here nuk ishin debate të lodhshme të mbushur me shifra dhe terma shpesh bajatë për rritjen apo zbritjen ekonomike për taksimin, eksportet, doganat apo vendet e punës. Kësaj here Cani dhe Bode u futën në një debat krejt të papritur: Shkëlqim Cani nisi të lexojë se si paraardhësi i tij kishte akorduar në kompani të favorizuara prej Bodes(sipas Canit) shuma të rëndësishme parash, në miliona euro, në ditët e fundit të qeverisjes së demokratëve. Këto lloj akuzash nuk janë shaka, aq më pak kur bëhen nga njeriu më i rëndësishëm pas Kryeministrit në një qeveri, nga ministri i Financave, personi që ka çelësat e “qypit me m…jalt” në Republikën tonë. Nëse akuzat e Canit ishin të rënda dhe të papritura, kundërpërgjigja e Bodes ishte spektakolare. Bode sqaroi se këto fonde i kishte akorduar bazuar në prioritete të shlyerjes së pagesave dhe bazuar në kërkesat prioritare dhe emergjente të ardhura nga institucione dhe ministri të tjera. Pra tha se thjesht kishte bërë detyrën si ministër i Financave. Pak më tej…Bode lëshoi dhe batutën që i sfidonte të gjithë: Ja ku më keni, më hetoni. Ishte ndoshta batuta dhe fjalia me më shumë kuptim në të gjithë atë shkëmbim akuzash e kundërakuzash. Një ish-ministër Financash demokrat, me një fjali të vetme na tregoi të gjithëve, përfshirë dhe ministrin socialist të Financave, se si në fakt duhen bërë punët dhe debatet në këtë vend. Askush nuk mund të thotë se Bode nuk kishte të drejtë, përkundrazi ai pati aftësinë të kanalizonte në rrjedhë logjike debatin e mbushur me akuza dhe demagogji. Nëse e shikon ftohtë të gjithë atë që ka ndodhur dje mes Bodes dhe Shkëlqim Canit, natyrshëm lind një pyetje: Ministri Cani, është kronikan i shkeljeve dhe korrupsionit, është vëzhgues i tyre, apo është funksionar i lartë publik që e ka për detyrë t’i japë drejtim ligjor cilësdo shkelje që konstaton? Nuk do mend që është funksionar publik dhe si i tillë ka vetëm dy pritshmëri mbi të: 1. Të na tregojë se si dhe kur ka futur në kanale ligjore të hetimit të shkeljeve që ka konstatuar. 2. Të na njohë me situatën, problemet, vështirësitë dhe nëse ka edhe sukseset e punës që ëhstë duke bërë sa i përket administrimit financiar në këtë vend. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të jetë kurrsesi “Shqipëria e Fevziut”, arenë debati në hava dhe inflacion akuzash e kiametesh mes njerëzve që denoncojnë bëmat e njëri tjetrit. Ka vetëm një rrugë të thjeshtë për tu matur gjërat: Bode ka kryer krim, duhet të ndëshkohet. Bode nuk ka kryer krim nuk duhet të ndëshkohet. Retorika në parlament është një humbje e lodhshme kohe për të gjithë, minimalisht na tregon se ministrat aktualë nuk kanë ç’të na thonë për të ardhmen dhe kanë qejf të gërricen me të kaluarën me debate në hava. Duke u marrë me fjalë në hava, na jap dhe një sinjal negativ, duket sikur nuk kanë fare ndërmend të merren konkretisht, me emra, me shkelje konkrete, me përgjegjës konkretë të atij korrupsioni që e ndjenë për 8 vite shqiptarët mbarë duke mandatuar me 1 milionë vota e me një numër ekstra-Kushtetues mandatesh qeverinë e majtë. Fjalët në hava nuk i bëjnë punë askujt, as ekonomisë së lodhur të Shqipërisë e aq më pak atyre që kanë miliona në xhepa si pasojë e këtij varfërimi të shqiptarëve. Shqiptarët nuk i kanë lënë asnjë mundësi për justifikim kësaj maxhorance, nëse keni problemin me hetimin e paraardhësve për shkak të influencës së tyre mbi organin e hetimit apo gjykata, më mirë dilni e thojani shqiptarëve këtë hall, sepse ndaj ua kanë dhënë mandatin ekstra-Kushtetues, që të ç’bëni cilëndo pengesë për të rivendosur autoritetin e shtetit dhe të qytetarëve në vend. Përralla me korrupsion nuk kemi më nevojë të dëgjojmë, nëse keni konstatuar implikime penale, na tregoni rezultatin e aksionit dhe jo grimca rrëfenjash në hava.

me dru plepi behet vetem shkrepse
per te bere tavolina duhet dru arre
kjo eshte gjendja e shoqerise shqiptare
do duhet nje kohe e gjate qe te latohet
Aloooooo Cimiiiiiiiii
Po he more macok
Ne anet tona ka 1 fjale te urte popullore Qeni qe leh nuk te ha
ose edhe fjala tjeter qe thote Burri o flet e ma ose dhj.t e ha
Prandaj mos bej gam gam kot po coji dosjet e plotesuara ne prokurori