Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson se ngjarja e ndodhura në burgun e Shënkollit në Lezhë dhe në Vaqar pasditen e së shtunës (30 korrik) cenojnë jetën dhe sigurinë e të burgosurve.
Duke i konsideruar si institucione të rëndësisë së veçantë, KHSh-ja kërkon që të merren masa për të parandaluar incidente të tilla, duke shtuar se këto masa nuk duhet të privojnë personat që u është kufizuar liria.
“KShH vëren se edhe në të kaluarën në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale janë raportuar incidente sporadike (të ngjashme ose të ndryshme) të cilat e kanë cenuar sigurinë në burgje. KShH vlerëson se, raste të tilla duhet jenë kambanë për autoritetet përgjegjëse, e cila dikton nevojën për të përmirësuar sigurinë në këto institucione”, thuhet në reagim.
KShH i bën thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe strukturave të policisë së shtetit të reflektojnë sa duhet për këto incidente, duke marrë masat e nevojshme.
“Gjithashtu, i bëjmë thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të bëjë inspektime tematike në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për të mbikëqyrur dhe vëzhguar të gjithë elementët e sigurisë në këto institucione si dhe për të evidentuar gjithashtu problematikat masat që duhet të merren për përmirësimin e kësaj sigurie”, thuhet më tej.
