Killeri italian, negociator për drogën e Kamorra-s në Tiranë

Bledar Lumani

32-vjeçari italian Salvatore Letticia, i arrestuar pas vrasjes së trefishtë në zonën e Trenit në Tiranë, ka ardhur disa herë në Shqipëri si negociator i një sasie të konsiderueshme drogë që do trafikohej e shpërndahej për llogari të “Kamorra”-s.

Ky është një nga dyshimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila edhe pse fillimisht e ka klasifikuar ngjarjen si vrasje për gjakmarrje, në fokus kryesor ka pistën e trafikut të narkotikëve, raporton Mapo.

Sipas verifikimeve të kryera në sistemin TIMS rezulton se shtetasi italian, pjesë e një klani mafioz i lidhur me “Kamorra”-n, për herë të parë ka ardhur në Shqipëri në datën 8 prill, dy ditë pasi në Roterdam të Holandës u qëllua me plumb në kokë Durim Sulku, vëllai i Besnik Sulkut, një nga atentatorët e Mentor Lufit në ngjarjen e 27 majit në Tiranë.

Vrasja në Holandë duket se ka vënë në lëvizje pronarët e lëndës narkotike të zhdukur, e destinuar për trafik dhe shpërndarje, çka ka bërë që drejt vendit tonë të udhëtojë 32-vjeçari Letticia, i njohur në Itali si pjesë e një grupi mafioz.

Çelësi i historisë sipas hetuesve dyshohet se është një sasi e konsiderueshme lënde narkotike në pronësi të grupit të Salvatore Letticia, e zhdukur nga shtetasit shqiptarë të përfshirë në historinë që përfundoi me katër të vrarë dhe tre të arrestuar.

Për të hedhur më shumë dritë mbi historinë tragjikë, prokuroria shqiptare u ka dërguar një letër-porosi autoriteteve holandeze lidhur me të dhënat e mbledhura prej tyre mbi vrasjen e shtetasit shqiptar, Durim Sulku.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *