I riu Kim Jong Un u rrit me këshillat e të atit, për të mos pasur mëshirë kur bëhej fjalë për pushtetin, por edhe me mësimet për drejtimin e vendit të transmetuara nga burri i hallës. Këtë të fundit vetë i ati, Kim Jong Il, ia kishte caktuar si tutor. E megjithatë disa ditë më parë nipi Kim e ekzekutoi dhe e varrosi me damkën e tradhtarit reaksionar. Agjencia shtetërore e lajmeve e cilësoi Chang Song-Thaek si tradhtarin më të madh të të gjitha kohërave. Nga larg duket më shumë një çështje midis liderit të ri të konsideruar qesharak dhe një figure autoritare si Thaek që e ulte edhe më tej pozitën e Un. Në fakt, disa nga krimet për të cilat iu desh të përgjigjej në gjyq ishin qesharake: I fiksuar pas femrave, drogës, bixhozit, ngrënies në restorante të shtrenjta dhe kurimit mjekësor jashtë vendit, me pak fjalë një “qelbësirë njerëzore” siç e cilësoi regjimi
Gjithçka me nxitim
Burri i hallës së diktatorit u vu përballë një gjyqi të veçantë ushtarak dhe me një seancë të vetme të zhvilluar më 12 dhjetor, u dënua. Një ditë më pas nuk jetonte më. Drejtësia vepron me shpejtësinë e dritës kur kështu e kërkon lideri i Koresë së Veriut. Ndërsa analistët e kishin konsideruar Chang Song-Thaek si mbajtësin e vërtetë të pushtetit në kurriz të nipit të tij, shumë të ri dhe frikacak, bindja e tyre u përgënjeshtrua nga Un i cili shtrëngoi edhe më tej frenat e aparatit represiv që e përdor pa asnjë ngurrim. Në fakt, kjo ishte kuptuar muaj më parë kur ekzekutoi ish të dashurën duke bërë masakër edhe mbi bandën muzikore me të cilën ajo këndonte dhe mbi disa të afërm të saj.
Nuk përfundon këtu
Tani priten spastrime të rënda, sepse Song-Thaek u akuzua se kishte ngritur një fraksion brenda partisë, krim shumë i rëndë që ndëshkohet me dënim maksimal në shtetin komunist. Si gjithnjë, kur flitet për Phenianin nuk është e lehtë të penetrosh në misterin që rrethon çështjet e brendshme të tij: të gjurmosh origjinën e spastrimeve në masë apo motivet ku mbështeten eliminimet individuale, por ajo që mbetet e sigurt është se përdorimi i terrorit është një ndër pikat mbështetëse. E vetmja e dhënë që mbetet konstante nga regjimet koreanoveriore është rreziku i vazhdueshëm që qëndron mbi të gjithë qytetarët. Kushdo, përveç Kim Jong Un, duket i cenuar e një ditë mund të zhduket nga faqja e dheut bashkë me familjarët e të afërmit e tij. Pjesës më të madhe të “shokëve që gabojnë”, fati iu rezervon kampe pune të detyruar, poshtërime publike dhe ndëshkime të tjera.
Cilado qoftë bërthama e pushtetit që mban në këmbë këtë regjim të egër e shtypës, asgjë nuk del në sipërfaqe përtej bindjes së verbër ndaj familjes në pushtet, e cila që nga krijimi i republikës popullore e ka drejtuar vendin me metoda tiranike dhe gjakatare./D.Gjuzi

Ramiz Alia, per te miren tone, megjithse in ndenji prane Enverit per dekada te tera, nuk kuptoi dot ate qe Kim Jong Un, megjithse shume i ri e mesoi per nja 2 vjet: Ne sistemin komunist (stalinist) pushteti nuk mund te mbahet ne qofte se nuk vret bashkepunetoret me te ngushte.