Kina bllokon importin, Hong Kongu pushtohet nga plehrat

Ornela

Pirgje të tëra gazetash, kutish e dokumentesh të flakura kanë mbushur plot e përplot pikat e grumbullimit të mbeturinave në Hong Kong.

Kjo, pasi Kina vendosi dy muaj më parë ndalimin e importit për 24 lloj mbeturinash, si pjesë e fushatës kundër “plehrave të huaja” dhe ndotjes mjedisore.

Hong Kongu është një eksportues i rëndësishëm i letrës për riciklim në Kinë dhe arsyeja përse detyrohet të kërkojë një zgjidhje të tillë lidhet me mungesën e hapësirës në qytet, që nuk ia lejon ngritjen e fabrikave të veta të riciklimit.

Çdo ditë, në qendrat e tij të grumbullimit mblidhen 2.500 tonë letër e hedhur. Pjesa dërrmuese e kësaj sasie dërgohej më parë në provincën jugore kineze të Guangdongut, ndërsa ngarkesa më të vogla niseshin drejt Azisë jug-lindore.

“Shpresoj që qeveria e Hong Kongut të komunikojë e të arrijë një kompromis me Pekinin, në mënyrë që të shohin bashkë sesi mund të zgjidhet sa më mirë kjo situatë. Shqetësimin tim kryesor e përbën mungesa e hapësirës për letra dhe materiale që nuk mund të riciklohen”, ka deklaruar mr. Ng, pronar i një pike grumbullimi.

Ndërkohë, drejtori i Shoqatës së materialeve të riciklueshme dhe riprodhimit, Jacky Lau, ka thënë se nga gjendja e krijuar kjo industri po humbet gati 350.000 dollarë në ditë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *