Procesi gjyqësor kundër ish-yllit politik Bo Xilai ka mbaruar. Partia Komuniste e Kinës ka tentuar t’i japë fund skandalit më të madh politik në dekadat e fundit. Me Bo Xilai-n, pas grillave zhduket bartësi i shpresave të së ashtuquajturës “E Majta e Re”. Por politika neomaoiste e iniciuar nga ai vazhdon të jetojë edhe më tej. Ajo do të vazhdohet pikërisht nga kundërshtari i tij politik, kryetari i ri i Kinës dhe shefi i partisë Xi Jinping.
Në fakt, shefi i ri i shtetit dhe i partisë kineze mbështetet mbi trashëgiminë e Maos si asnjë udhëheqës tjetër kinez që nga vdekja e “kryetarit të madh” në vitin 1976: Xi ka vizituar përmendoren e Maos. Ai doli kundër përpunimit të krimeve dhe gabimeve katastrofike të Maos. Në qershor, Xi iu bashkua një “fushate të madhe korrektuese” në stilin maoist. Kështu për një vit partia duhet të pastrohet nga “ekstravaganca” dhe korrupsioni. Dhe e gjithë partia duhet të “rreshtohet në një linjë”.
Përveç kësaj, sqaron Willy Lam, lidershipi i ri i partisë ka forcuar edhe kontrollin mbi ideologjinë dhe mediat. Gazetari i Hong Kong-ut i referohet në mënyrë të veçantë të ashtuquajturit “Dokumentit Nr 9.” Ky dokument që qarkullon në qarqet e partisë në mbarë vendin paralajmëron nga shtatë kërcënimet për ideologjinë e shtetit. Shtatë tema me të cilat nuk duhet të mirren as shkollat e as mediat: Vlerat universale, shoqëria civile, të drejtat civile, liria e shtypit, pavarësia e gjyqësorit, gabimet e partisë në të kaluarën dhe privilegjet e kuadrove.
Që nga korriku i vitit 2013, shtypi është futur përsëri në kursin e partisë. Për shkak se cilësia e gazetarisë kishte rënë u desh të trajnohen më tepër se 300.000 gazetarë. Bëhet fjapë për “vlerat thelbësore” që përcillen në kurse disaditore, njoftonte shtypi qeveritar “Gazeta e Popullit”.
Sebastian Heilmann sheh në kthimin e botës së mendimit maoist para së gjithash një mashtrim retorik. “Lidershipi politik dëshiron të fitojë mbështetje në spektrin e majtë të shoqërisë.” Dhe kjo nuk është për t’u nënvlerësuar, thekson Heilmann i cili ka parasysh sondazhet kineze:
“Edhe në provincën jugore me bum ekonomik Guangdong 38 përqind e të anketuarve anojnë nga qëndrimet majtiste. Ata gjithashtu kanë një lloj nostalgjie për Mao-n. Po ashtu bëhet fjalë edhe për çështjen e barazisë sociale dhe ato janë forca të fuqishme që nuk mund t’i injorojë asnjë lider kinez”, thotë eksperti i Kinës nga Trieri. (DW)

oooooooooo
tamam si berisha asnje ndryshim ja kjo eshte /// demokraci ////