Kina paralajmëroi se kushdo që mbështet pavarësinë e Hong Kongut, mund të ndëshkohet. Mesazhi i ashpër vjen pasi aktivistët pro demokracisë, në zgjedhjet e së dielës, kanë fituar disa vende në Këshillin Legjislativ të Hong Kongut.
Qeveria kineze nënvizoi “kundërshtimin e saj të vendosur” për çdo aktivitet për pavarësi, qoftë brenda ose jashtë këshillit. Shumë në Hong Kong janë gjithnjë e më të shqetësuar për ndërhyrjen e Pekinit në politikat e tyre. Tridhjetë kandidatë pro-demokracisë janë zgjedhur në Këshillin Legjislativ, krahasuar me 27 që kanë qenë më parë.
Kjo do të thotë se ata ruajnë mundësinë e vënies së vetos ndaj ndryshimeve të mëdha kushtetuese. Qeveria kineze kundërshton fuqishëm pavarësinë më të madhe politike të Hong Kongut. Hong Kongu është rajon i veçantë administrativ i Kinës, i cili udhëhiqet nën parimin “një shtet, dy sisteme”.
Kjo marrëveshje i jep ish-kolonisë britanike një shkallë të lartë autonomie dhe i lejon të ruajë sistemet e saj ekonomike dhe sociale deri më 2047.
