Mbi 800 mijë persona janë evakuuar nga zonat bregdetare në lindje të Kinës, në kuadër të masave për t’i paraprirë një tajfuni të fuqishëm që pritej të zbarkonte në jug të Shangait në orët e vona të së shtunës duke u gdhirë e diela.
Në prag të mbërritjes së tajfuni “Chan-hom”, erërat kanë fryrë me një shpejtësi prej 187 kilometrash në orë, ndërsa rreth 400 fluturime janë anuluar.
E njëjta stuhi u mori jetën pesë personave më herët gjatë javës në ishujt Filipine, ndërsa preku edhe Tajvanin dhe Japoninë, duke çrrënjosur pemë dhe duke plagosur persona të shumtë.
Instituti meteorologjik kinez paralajmëroi se “Chan-hom” mund të jetë stuhia më e keqe që godet rajonin që prej vitit 1949.
Tajfuni parashikohet të zbarkojë fillimisht në provincën Zhejiang, në afërsi të qytetit-port Ningbo, përpara se të lëvizë drejt Shangait.
I dërguari i BBC-së në Shangai thotë se qyteti ka filluar ta ndiejë tashmë ardhjen e stuhisë, me erëra të forta dhe shira të dendur.
Autoritetet në lokalitetin Zhejiang kanë thirrur në port 29 mijë varka peshkimi, për shkak të rrezikut nga dallgët, bën të ditur agjencia e lajmeve “Xinhua”.
Ndërsa televizioni kinez ka transmetuar pamje të rajoneve bregdetare të përfshira nga moti i keq, në prag të ardhjes së tajfunit.
