Investimi i njeriut më të pasur në Kinë sot, do të quhet “Qingdao Oriental Movie Metropolis” dhe do jetë versioni kinez i qytetit të kinematografisë amerikane, Hollivud. Për ndërtimin e tij (që pritet të përfundojë në vitin 2017) do të investohen 8.2 miliardë dollarë
Hong Kong – Një Hollivud i ri, por më i madh dhe më i pasur se Hollivudi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës: ky është projekti i lançuar një muaj më parë e që ka filluar të konkretizohet, nga Wang Jianlin, presidenti i grupit më të madh imobiliar dhe kinematografik në Kinë, “Dalian Wanda”, i cili vitin e kaluar bleu zinxhirin e sallave kinematografike amerikane “AMC”.
Me krijimin e Hollivudit të ri aziatik, Wang ka vendosur t’i japë një impakt të ri ekspansionit të tij të investimeve në rang global. Që tani “Wanda” zotëron 72 dyqane dhe 40 hotele të mëdha plus 6.000 salla kinematografike dhe më shumë se 9 milionë metra katrorë në fushën imobiliare të shpërndara nëpër botë.
Yje ndërkombëtarë si Leonardo Di Caprio e Ewan McGregor, Catherine Zeta Jones e Nicole Kidman u mblodhën një muaj më parë në festën e përurimit të lindjes së “Qingdao Oriental Movie Metropolis”, ku nuk mund të mungonin edhe ato kineze si Zhang Ziyi e Tony Leung, Vicki Zhao e Jet Li.
Hollivudi kinez alias “Qingdao Metropolis “ do të bëhet aktiv në vitin 2017, në qytetin me të njëjtin emër Qingdao, një vend bregdetar në pjesën veriqendrore të Kinës. Ambicia e producentëve është që në të, të prodhohen 30 filma të huaj dhe 100 të tjerë kinezë brenda vitit. Investimi për një total prej 8.2 miliardë dollarësh, është gjithçka tjetër veçse modest dhe synon të krijojë lidhje gjithnjë e më të ngushta me Akademinë amerikane. Gjithashtu ai do të ketë çmimet e tij “Oscar” me të cilët do të nderojë më të mirët e kinemasë.
Studiot e reja do të kenë një sipërfaqe prej 10.000 metra katrorësh dhe do të kenë me motive identike me ato të kompanisë “Universal Studios” në Hollivud. Por do të ketë edhe shumë të tjera më të vogla që shkojnë nga hotelet e baret te sallat e spektakleve të përhershme, nje qendër jahtesh, madje edhe një spital ndërkombëtar.
Presidenti i Wanda-s, Wang Jianlin, që u cilësua këtë vit si njeriu më i pasur i Kinës, me një trashegimi personale prej 14 miliardë dollarësh, shfaqet si një promovues i pamenduar i këtij Hollivudi të ri, që sipas tij do të jetë i pari në botë.
Ish-anëtar i Ushtrisë Kombëtare, aktualisht anëtar i Partisë Komuniste, në të cilën mbulon një rol të rëndësishëm, Wang është një nga këshilltarët e paktë të saj. Prej disa kohesh ka shfaqur dëshirën për të zgjeruar industrinë kinematografike kombëtare dhe prej atëherë askush nuk ka qenë në gjendje ta ndalojë./D.Gjuzi

i lumte