Kirchner fiton gjyqin me “Corriere della Sera” për shpifje

anazapta

Presidentja argjentinase,  Cristina Fernandez de Kirchner, ka njoftuar se ka fituar gjyqin e hapur ndaj gazetës italiane “Corriere della Sera”, për shpifje. Procesi gjyqësor u hap pas një shkrimi të publikuar në vitin 2008, në të cilin flitej për pazare me çmime të çmendura që presidentja e Argjentinës mendohej të kishte bërë në Romë gjatë qëndrimit për një samit të FAO-s.

Artikulli i “Corriere”-s u mor më pas nga mediat argjentinase, të cilat e përdorën për të treguar se “ja çfarë shpenzimesh bën kryetarja e shtetit në një takim ndërkombëtar ku flitet për urinë në botë”.

Pavarësisht se gjykata i ka dhënë të drejtë presidentes Kirchner, ky nuk është rasti i vetëm kur ajo ka përfunduar në faqet e gazetave për shpenzimet marramendëse për rroba dhe bizhuteri.

Në shtator 2011, “New York Post” tregoi përmes një shkrimi luksin e shfrenuar të diplomatëve e pranishëm në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, mes të cilëve edhe Kirchner. Presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner, sipas “New York Post”, është paraqitur në asamblenë e OKB-së në Nju Jork, pasi ka kaluar nëpër Paris, ku ka blerë 20 palë këpucë Louboutin me 5 500 dollarë palën, për një shumë totale 110 mijë dollarë. Ndërsa një site online “Hispanically speaking news”, shkruante se presidentja së bashku me të bijën, Florencia, as nuk kanë dalë nga dhoma e hotelit “George V” në Nju Jork, pasi një person i paguar i ka sjellë atyre në dhomë këpucët dhe çantat e markave luksoze si Hermes e Louis Vuitton që t’i provonin në komoditetin e dhomës, prej të cilave ka blerë të paktën 20./ Gazmira Sokoli

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *