Kirurgu i famshëm i trurit, vjen në shqip me bestsellerin e tij “Mos bëj dëm”

Ornela

Entela Resuli – DITA

“Çdo kirurg mbart brenda vetes, një varrezë të vogël, ku shkon të lutet kohë pas kohe-një vend hidhërimi dhe pendese, ku mund të kërkojë një shpjegim për dështimet e tij”, Rëne Lërish, Filozofia e kirurgjisë, 1951.

Paraditen e djeshme ishim mes kirurgëve dhe jo vetëm, në ambientet e Akademisë së Shkencave. Arsyeja e këtij takimi miqësor ishte promovimi i një prej librave më të komentuar të një prej mjekëve më të shquar në botë, Henry Marsh i cili përshkruan jetën e një mjeku përmes ngjarjeve autobiografike.

Këtë libër me titull “Mos bëj dëm” e solli në shqip Dr. Mentor Petrela dhe Florian Dashi.

Marsh ka një lidhje me vendin tonë, pasi ky autor solli në Shqipëri The New York Times që botoi në 2016 një reportazh, “The Terrible Beauty of Brain Surgery” mbi operacionet e kryera në Tiranë.

Ai ka studiuar politikë, filozofi dhe ekonomi në Universitetin e Oksfordit para se të diplomohej në mjekësi te spitali Royal Free në Londër. Henry Marsh u bë anëtar i Kolegjit Mbretëror të Kirurgëve në 1984 dhe u emërua këshilltar neuro- kirurg te spitali Atkinson Morley’s St George në Londër në 1987, ku vazhdon të punojë me kohë të plotë. Ai ka qenë tema e dy filmave dokumentarë të rëndësishëm, “Jeta e tyre në duart tuaja” , i cili fitoi Royal Television Society Gold Medal, dhe “The English Surgeon”, i cili paraqiti punën e tij në Ukrainë, dhe fitoi çmim Emmy. Ai u bë CBE Comander of British Empire. Është i martuar me antropologen dhe shkrimtaren Kate Fox.

Dr. Petrela nuk i rezistoi dot tundimit për të sjell këtë vepër të veçantë për lexuesit shqiptarë.

“Ai na tregon për ardhjen e këtij autorit të librit në Shqipëri… “ ardhja e Henry Marsh në Shqipëri është një koincidencë e një tumori diplomatik, ashti si Viola në Ilirinë e Shekspirit. Mister Marsh, siç preferojnë britanikët t’i quajnë kirurgët në dallim nga doktorët, solli bashkë me kirurgjinë, pragmatizmin ishullor dhe humanizmin e përtejoqeanit. Shkruar thjesht, me shumë mesazhe për jetën, të vërtetën, vdekjen, ku balancat janë të çuditshme, ndonjëherë lexuesit do t’i dalin pyetje në raport me veten, qoftë ky mjek, student, pacient, i afërm, mik apo kushdo tjetër që është i interesuar në divulgimin e shkencës. Shumëkush kërkon të dijë për jetën e tjetrit, vuajtjet, sëmundjet, profesionin ose për projektin që kërkon të krijojë. Henry marsh është modeli frymëzues me narracunin e jetës së tij.

Formimi i tij në Dragon School, PPE Westminster School, përpara se të “dashurohej”  me mjekësinë, e bën atë që humanizmin në shërbim të pacientëve ta këqyrë në pafundësi, ashtu si historia.  Realiteti i përditshëm i neurokirurgut me narcisizmin, hipokrizinë që na rrethon, ambicien, sfidat, indiferencën, harresën, paktin e heshtur me vdekjen, është trajtuar me mjeshtëri.

Në kohët kur  shpesh mediat, edhe jo vetëm, mundohen të satirizojnë duke shpërfytyruar  shpirtin e profesionit, autori, me humorin tipik të situatave të ngjashme nxjerr në pah vlerat humane që qëndrojnë mbi profesionet e tjera.

I edukuar të ndiqte politikën nga filiacioni i të atit, Norman Marsh, jurist i të drejtave të njeriut dhe një nga themeluesit  e Amnesty International, autori, për rastësi, gjatë nj udhëtimi dhe jo i shtyrë nga libri, i dedikohet mjekësisë. Janë këto cilësi të “Sailor Man” që i bëjnë anglezët të veçantë?

Celine, shkrimtari i shquar francez, i cili nga mjekësia u hodh e përqafoi letërsinë, thotë: duhet të gënjesh ose të vdesësh, Unë nuk kam mundur të vetëvritem”. Henry Marsh, në letërsinë e tij, të lë përshtypjen e kundërt”- shprehet Doktor Petrela, i cili e ka shumë përzemër këtë libër.

Shumë nga ajo që ndodh nëpër spitale është çështje fati

“Kur sëmuremi dhe jemi në spital, me frikën për jetën, duke pritur të tmerruar operacionin, ne duhet më së paku t’u besojmë mjekëve që na trajtojnë; në të kundërt, jeta bëhet shumë e vështirë. Nuk është çudi që ne i veshim mjekët me cilësi mbinjerëzor, si për të mbështetur frikën tonë. Kur operacioni shkon mirë, kirurgu është hero, por, kur ai dështon, atëherë është i poshtër”- thotë autori në parathënien e librit.

Sipas tij realiteti është krejt ndryshe.

“Mjekët janë njerëz, njëlloj si të tjerët. Shumë nga ajo që ndodh nëpër spitale është çështje fati, i mirë ose i keq; suksesi dhe dështimi janë shpesh jashtë kontrollit të mjekut. Të dish se kur nuk duhet të operosh është po aq e rëndësishme sa të dish të operosh dhe kjo aftësi nuk mësohet lehtë.

Jeta e një neurokirurgu nuk është kurrë e mërzitshme dhe mund të jetë thellësisht e vlerësuar, por jo pa një çcmim. Ju nuk mund t’i shmangni gabimet dhe duhet të mësoheni të jetoni me pasojat e rënda. Duhet të mësoni të jeni objektivë për atë që shihni dhe, në të njëjtën kohë, të mos humbni humanizmin tuaj gjatë procesit. Tregimet në këtë libër flasin rreth përpjekjeve të mia, herë-herë të dështuara, në kërkim të peshores midis indiferencës dhe përkushtimit me shpirt që karriera kirurgjikale e kërkon, peshores midis shpresës dhe realizmit.

Nuk dua të lëkund besimin e njerëzve te neurokirurgu apo, për të njëjtat arsye, te profesioni mjekësor, por shpresoj që libri im t’i ndihmojë njerëzit të kuptojnë vështirësitë, – më shpesh njerëzore sesa teknike- me të cilat përballen mjekët”- shprehet autori.

Çdo kush nga ne, të paktën njëherë në jetë ka patur kontakt me doktorin, ndaj, një libër e tillë, që të zhytë në botën e vdekjes dhe të jetës, duhet lexuar.

“E para, mos bëj dem …” Frazë që shpesh i atribuohet Hipokratit të Kosit, c 460 BC.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *