Kisha Ortodokse, me anë të një njoftimi për shtyp sqaron debatet pas zgjedhjes së Imzot Andonit, si Mitropolit i Elbasanit. Sipas tyre, individi tjetër, i vetëshpallur klerik, Nikolla Marku nga Elbasani, nuk ka asnjë lidhje me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe nuk njihet si klerik. Më tej shtojnë se e vetmja lidhje që Nikolla Marku ka me Kishën Ortodokse është fakti se për vite me radhë dhe në mënyrë sistematike ka sulmuar, fyer dhe denigruar me shpifje të paturpshme.
“Ditët e fundit në disa media, pas zgjedhjes dhe fronëzimit të Imzot Andonit, si Mitropolit i Elbasanit, janë bërë përpjekje të hidhen dyshime rreth një konflikti të paqenë në gjirin e Kishës Ortodokse. Individi i vetëshpallur klerik, Nikolla Marku nga Elbasani, nuk ka asnjë lidhje me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe nuk njihet si klerik nga asnjë Kishë Ortodokse, nga asnjë Kishë e Krishterë dhe nga asnjë Komunitet tjetër fetar, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Shteti shqiptar njeh zyrtarisht vetëm Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
E vetmja lidhje që Nikolla Marku ka me Kishën Ortodokse është fakti se për vite me radhë dhe në mënyrë sistematike ka sulmuar, fyer dhe denigruar me shpifje të paturpshme Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe drejtuesit e saj. Tregues i karakterit dhe i nivelit të tij të ulët është gjuha vulgare dhe e papërgjegjshme që karakterizon të gjitha deklaratat dhe veprimet e tij.
Madje, kësaj here ai shkon edhe më tej, duke sulmuar e denigruar klerikët e nderuar të Komuniteteve të tjera fetare, duke cenuar kështu harmoninë fetare me të cilën krenohemi si vend.
Gjatë gjithë këtyre viteve Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë vazhdon me unitet të palëkundur të zhvillohet e të përparojë, pavarësisht sfidave e vështirësive me të cilat i është dashur të përballet”, thuhet në njoftimin zyrtar.
