Eshtë bërë zakon që për çdo gjë të ankohemi. Ankohemi, nervozohemi, qurravitemi se dokumentet e traditës mijëravjeçare na janë zhdukur në labirinthet e shekujve. Po mbi këto ankesa, çfarë bëjmë? Sa bëhen përpjekje për të zbuluar këto tratita dhe për t’i ruajtur ato?
Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar u vunë themelet e arkeologjisë sonë. Duke gjurmuar e zbuluar në rrënojat e shekujve, dolën në dritë vendbanime, qytetërime, vegla e mjete pune, numizma, shkrime…Në punë e sipër u rritën dhe u formuan edhe shkencëtarët tanë që i dhanë edhe arkeologjisë fytyrën e vendit të tyre. Me gjetjet jo të pakta ndërtuan muzeun arkeologjik kombëtar dhe sektorët e arkeologjisë në muzeumet e rretheve.
Nën drejtimin shkencor të Institutit të Kulturës Popullore u bë e mundur që të ndërtohej një muze etnografik dinjitoz,në të cilin gjeje elementet më të mira të kulturës sonë nga të gjitha trevat. Nën drejtimin e shkencëtarëve të fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës gjithë florën dhe faunën e vendit tonë i gjeje në muzeun përkatës.
Në vitet e demokracisë ato u zhytën sërish në llumin e harresës.Muzeu arkeologjik është shndërruar vetëm në një depo objektesh të zbuluara,pa vizitorë e pa u propoganduar tradita jonë.Muzeut etnografik nuk i gjendet as nami e nishani,kurse atë të shkencave të natyrës po e zë tavani dhe në ditët tona po muroset gjithë ajo pasuri e madhe kombëtare.Edhe kopështi botanik e zoologjik që ishte një muze më vete me vlera të admirueshme u përgjysmua në këto vite të mjegullta për kulturën dhe traditën tonë.
Me sa duket edhe në objekte të tilla,unikalë për vendin,njerëzit e pasionuar janë zëvendësuar me karrigengrohës,shkencëtarët janë konvertuar në politikanë dhe tradita humbet sërish.
Thua se shteti i sotëm është më i varfër se sa ai i dikurshmi?Vështirë ta besojë njeri. Thua se mungojnë shkencëtarët?Edhe më pak e besueshme,kur titujt e gradat shkencore janë me kosha. Dikur ato merreshin vetëm me punë,sakrifica,përkushtim, arritje. Në ditët e sotme,si një refren ofurzi,vazhdojmë të ankohemi,të dënojmë të kaluarën dhe të theksojmë pa kuptim “Kishim po nuk kemi;janë të domosdoshme po mungojnë”.
Natyrshëm lind pyetja: Shkencëtarët e vërtetë a do të munden që të dalin mbi politikën e ditës,mbi përfitimet materiale të çastit dhe t’i shërbejnë me përkushtim dinjitetit të tyre dhe atdheut? Ministritë përkatëse a do të jenë në gjendje të heqin dorë nga reformat fasadë dhe problemeve të tilla me vlerë për kombin t’u kushtojnë vendin,kohën dhe fondet e duhura?A do të jenë në gjendje që t’i motivojnë shkencëtarët për detyrën e tyre atdhetare? Le të shpresojmë !
Letër e nënshkruar
Veledin Abazi

Edhe Xhelal Mziu eshte Prof. Doktor.