Kishte kthyer lokalin në ‘vatër’ prostitucioni dhe kokaine, arrestohet pronari

Edona Llukacaj

Policia bën me dije se ka arrestuar një 50-vjeçar në Tiranë, pasi dyshohet se e kishte kthyer lokalin e tij në një vatër prostitucioni dhe kokaine.

I arrestuari është  shtetasi me inicialet I. P., 50 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me dashje” të kryer në bashkëpunim.

Sipas njoftimit zyrtar, policia dispononte informacion se personi në fjalë, e përshtaste lokalin e tij në rrugën Industriale, në autostradën Tiranë – Durrës për përdorim e shpërndarje lënde narkotike, kokainë, dhe për prostitucion.

Nga kontrolli i kryer është konstatuar se 50-vjeçari ishte duke fjetur në automjetin e tij në afërsi të lokalit. Gjithashtu, gjatë kontrollit në lokalin në administrim të tij, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë të dyshuar kokainë, një pjatë porcelani me mbetje të lëndës narkotike, një letër me mbishkrim dhe një aparat celular.

Po ashtu në lokal është gjendur edhe shtetasja R. C., e punësuar si balerinë në këtë ambient, e cila u akomodua në një qendër pritëse për viktimat e trafikimit.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore në ngarkim të personit në fjalë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.

e.ll./dita

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *