Kjo (nuk) është Saranda!

redaktor

Këto ditë gushti Saranda zjen, është prush prej masës së pushuesve gjithëfarlloj, që ja kanë çuar në maksimum gjakimin stinor qytetit, duke e bërë të vështirë imagjinatën për një qytet që pas tre javësh do jetë i braktisur, i vetmuar, si një provincë e rëndomtë shqiptare, që thjesht ledhatohet prej valëve të paqta të Jonit. Zulma e njerëzve dhe e automjeteve, arrin kulmin në ngjeshjen dhe kërleshjen e tyre, aty nga ora 20.30 e mbrëmjes, me pikën më të nxehtë fundin e shëtitores pedonale, që përkon me sheshin para Vilës Duraku  dhe Hotel Butrintit. Po ta shohësh në ca projekte të Bashkisë së drejtuar nga ish-kryebashkiaku Edmond Gjoka, aty, pedonalja kohës së Jashar Mezenxhiut, zgjatet në drejtim të Kanalit të Çukës, por kjo vetëm virtualisht, nëpërmjet një letre e lapsave me ngjyrë. Në realitet, aty janë dhënë pa limit leje ndërtimi, duke e bërë të pamundur ndonjë pedonale, që të mund të ishtë natyrshëm një vepër e atraksionit turistik, në raport me zgjerimin e ububushëm të Sarandës. Ky qytet, është jo vetëm simbol i degradimit urban, por dhe simbol i paradoksit që në raport me investimin e miliardave për afro një dhjetëvjecar në fushën e ndërtimit, veprat publike në funksion të turizmit, i ka në nivel minor. E kjo ka sjell një kolaps të dhimbshëm në ndërtim, që rezulton me mijra apartamente ta pashitura, ku pronarët e tyre më tepër duan të shesin hyrje për të shlyer kestët e kredive sa sa për të nxjerrë fitime të mirëfillta nga investimet që kanë ndërmarrë. Mungesa e investimeve publike dhe e politikave të mirëstudiuara urbane në funksion të zhvillimit, ka sjellë dispropocion të frikshëm të dinamikës së aktivitetit njerëzor në qytet. Gjithçka është e përnqëndruar ne shëtitoren pedonale, rrugën e parë, të dytë e të tretë. Rruga e katërt dhe e pesta (duhet thënë e vetmja vepër publike në Sarandë në kuadër të zhvilimit urban), nuk kanë hiç lidhje me profilin dinamik të këtij qyteti në kohë sezoni turistik. Kjo pamje, është shprehi e qartë e faktit se zhvillimi i këtij qyteti, si kudo Shqipëria, është më tepër inercik se sa i bazuar mbi politika. Nëse do ishte ndryshe, nuk do kishte kurrë mundësi që Saranda, të kishte hyrjen më të shëmtuar të mundshme se çdo qytet shqiptar, pavarësisht profilit dhe statusit që gëzon.

 

Rruga hyrese, biznes gelqerejeSaranda, mirësevini në tregun e gëlqeres, çimentos dhe materialeve të ndërtimit!

Në një shkrim të paradisavitesh, kam evidentuar faktin se ky qytet ka afro 20 barka (kryesisht peshkimi) e mbi 200 automjete të rënda, mes tyre skrepa, eskavatorë, çekiçë, betoniere, trajlera etj. Veç kësaj, Saranda mund të jetë i vetmi qytet bregdetar me status turistik, që nuk ka asnjë barkë me vela. Ataku i parë vizual me Sarandën, duke ardhur nga Gjirokastra, është më pasoja tramuatike. Përballë janë kodrat me lagjet parahyrëse Metoq e Qafë Gjashtë, tërësisht të degraduara prej stilit bathorizues në ndërtime, ta zhveshura, të shëmtuara e aspak mirëkpritëse. Duke gjarpëruar në tatpjetën nga ura e Gajdarit deri në majë të Qafë Gjashtës, nëse nuk je i sigurt se pas disa minutash do shfaqet Saranda, plazhet, deti i saj, pasuria trashëgimore, futesh në dyshime nëse po shkon drejt qytetit më të dëshiruar  për pushime të hapësirës mbarëshqiptare, apo se po shkon në kantierin më gjigand të ndërtimit, ku në vend mbathjeve të banjës e të aksesorëve të tjerë për plazh si: kapele, krem kundër djegjes, kamerdare, top, raketa tenisi etj., duhet të kesh me vete kombinoshe puntorie, çizme pune, ose kokore plastike; e nese je me makinë e ke lëshuar kondicionerin, duhet më patjetër të aktivizosh qarkullimin e ajrit të brendshëm, për t`i bërë ballë pluhurit mbytës që ngrihet nga rruga e dëmtuar e nga makineritë që ngjajnë si ca dinosaur të frikshëm e kërcënuës, kudo që shkelin.    Anës rrugës hyrëse, të ofrohet  çdo gjë që ka të bëjë me  ndërtimin, në mënyrën më të vrazhdë, më fshatarëske, më turpëruese për një qytet turistik, deri tek serviset osë vendparkimet e zetorave e skrepave. Ca qiparisa në të djathtë,  janë veshur me një tis pluhuri çimentoje dhe ngjajnë të ekzekutuara në atë fushëbetejë ku së bukurës i është shpallur luftë në emër të fitimit, pangijshmërisht.  Dhe më përmbledhëse e kësaj panorame të çmendur është rrethrrotullimi i Gajdarit, aty ku lë Sarandën, për të shkuar o në Delvinë, ose drejt Gjirokastrës, ku vijon rruga kryesore drejt Tiranës.

 

Rruga hyrese, shkaterrim ambjentalDelvina, turizëm me njerëz që kanë gabuar rrugën!

Kur vjen sezoni turistik në Sarandë, diç ndodh dhe në Delvinë, qytezën prej më shumë se 15 km larg, pa kurfarë identiteti, profili apo cilësie jete. Dhe ajo që ndodh, është të ndodhurit rastësisht aty të ca njerëzve që, duke ikur nga Saranda, në mungesë të një tabele që t`u tregojë se nga shkon rruga për Tiranë e nga jo për në Tiranë, ja mbajnë hipotetikisht, duke mbërritur…..në Delvinë. Ndodh kjo me shqiptarë e të huaj bashkë. Ndodh ditën e natën. Por zgjidhja ka ardhur. Jo nga shteti, por nga një anonim,  pa përgatitjen e duhur gjuhësore por me një shpirt human, i cili ka ngjitur me anë të një copë dërrasë fiksuar në një shtyllë, u shërbën njerëzve për t`u orientiuar, si një shenjtor i qarkullimit rrugor në mungesë të shtetarëve trushkulur dhe pa ndjeshmërinë më minimale, jo për t`u shërbyer qytetarëve, por thjesht për të përligjur sadopak rrogën që marrin.

Tabele orientuese ne te dale te SarandesÇ`do të bëhet më Sarandën?

Një fllad ledhatonjës vizioni ndryshe për bregdetin e turizmin po fryn këto kohë prej atyre që nesër do e vërtetojnë me prova atë që thonë me fjalë: që do e Rilindin këtë vend. Nëse ështe fjala për të postuar  foto e video me ndonjë ndërtim pa leje në adresën www.stoprrenimit.com, më mirë posto gjithë Sarandën, n`daç qendrën e n`daç periferitë. Por sa për gallatë, mund të postosh një impjant zhavorri majë një kodre në hyrje të qytetit, një prej çibanëve anti-ambjentalë që gëlojnë këtyre anëve, majë së cilës valëvitet flamuri i Rilindjes (!). Më mirë të krijohej një site www.propozo.com; dhe ndër të parët propozime do jepja atë për prishjen e një pjese ndërtimesh me leje apo pa leje anës rrugës hyrëse për në Sarandë, duke nisur më të parin objekt: impjantin që bën karshillëk me flamurin e Rilindjes. Largimin e çdo lloj biznesi me materiale ndërtimi apo servisi makinash. Ripyllëzimin e kodrave në pjesën hyrëse të qytetit. Sigurimin e furnizimit 24-orë me ujë të këtij qyteti, edhe në funksion të pastrimit të të gjithë taracave të pallateve nga depozitat dhe zhdukjen përfundimisht kësilloj puçrave në kurriz të këtij qyteti. Eliminimi i të gjithë fitilave të hekurit sipër ndërtimeve të ndryshme, si shprehi e pangopshmërisë për kate e shtesa. Krijimin e një kuadri ligjor urban, specifik për qytetet bregdetare, që do u mundesonte atyre një status të veçantë në të gjithë veprimtarinë jetësore, ku të përfshiheshin dhe detajet më të imta, sidomos në stilin e ndërtimit dhe mënyrën e ndërtimit. Nëse Saranda ngjan tëpke me Burrelin, ajo nuk është Saranda por Burreli me det. Dhe më pas nuk mbetet veçse ky qytet të shenjohet si qyteti i Turizmit të paradokseve!

Share This Article
3 Comments
  • Shkrim perfekt.
    Me pelqen kombinimi i fakteve me tisin e lehte ironik te autorit.
    Shto tek idete edhe ligjet per mbrojtjen e turisteve qe ripen nga te panginjurit.

  • Ironia i gudulis Saliun e Tosin…..
    Familjet e tyre me pjestar te ardhur e te vetet u gezohen fitimeve qe kane nxjerre nga qytetaret budallenj te Sarandes…!Ata bejne plazh diku me tutje……deri ne Costa Smerlda…..

  • E sakte.sot mbrrita ne sarande.te gjitha qendrojne.pike e presje.vlora ime eshte lule ne krahasim me saranden.lopa buze detit ne kazan mbeturinash.hajd mish i fresket me ushqim bio.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *