Email nga adresa
Kjo qeveri nuk ka kohë për të humbur, ajo duhet të zbatojë programin e saj dhe të ndërhyjë në mënyrë urgjente në administratë, për të larguar nga puna të gjithë militantët e PD-së, që janë bërë me vila dhe llogari bankare, ndërsa shumica e qytetarëve nuk kanë bukë të hanë.
Mesa duket 1 milion shuplakat popullore deri më tani kanë shkuar kot. Ata nuk votuan për të mbajtur në punë njerëzit e korruptuar të Bash-Saliut, por për t’i hequr dhe çuar para drejtësisë. Ndërsa administratorët e aftë të majtë të larguar nga puna, pa të drejtë në harkun kohor 2005-2013, nuk paskan të drejtë të rikthehen në punë, se kështu do PD-ja.
Votuesit kërkojnë nga qeveria që të mos plotësojë tekat e opozitës por të zbatojë Kushtetutën, ligjet e shtetit, verdiktin e popullit për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe e besimit. Me qëndrimet e deritanishme, përfshi edhe disa emërime nepotike që kryhen nga qokat e disa pushtetarëve në qendër e bazë, është lëkundur besimi i qytetarëve, i cili shumë shpejt mund të çojë deri në shpërdorimin e tij. Qytetarët i dhanë votë të cilësuar jo për të mbajtur në punë administratën e PD-së, që është shquar për korrupsion e nepotizëm, por për të qeverisur vendin në respekt të ligjeve, si dhe t’i ndryshojë nëse është e nevojshme, si në rastin e presidentit dhe sistemit të drejtësisë edhe ligjin themeltar të shtetit. Plotësimi i tekave të një opozite destruktive, nuk i shërben askujt, as vetë asaj, veçse djallit.
