Ajo është këngëtare e muzikës popullore. Sigurisht, përveç kësaj pune ka edhe një pasion të veçantë, dhe nuk bëhet fjalë më për art, por për… sport. Dhe çfarë sporti do të thoni ju!? Merr çiften dhe del për gjah… Nuk na kishte ndodhur më parë që të takonim një vajzë që të kishte pasion gjuetinë. Sapo dëgjuam për të, kërkuam që ta takonim e të zbulonim më shumë rreth këtij pasioni të veçantë që ajo e ushtron pa droje. Për shumë është një emër i njohur i muzikës popullore shqiptare. Është Mira Janji, ka përfunduar studimet e larta në Akademinë e Arteve për Kanto. Këtu mund të themi me plot gojë që ndërsa është duke gjuajtur turtullin e radhës, ia merr edhe këngës së famshme: Do marr çiften do dal për gjah… Në këtë periudhë ajo është në kohë pauze për shkak edhe të moratoriumit që është vendosur për ndalimin e gjuetisë. Ne folëm më Mirën, e cila na ka treguar më shumë për këtë pasion të sajin. Ajo ka thyer një tabu, në mes qindra anëtarëve të federatës së gjuetisë ajo është e vetmja femër e cila aktivizohet në aktivitete të ndryshme që organizon kjo federatë dhe sigurisht, në sezon gjuetie, merr zagarët e çiften dhe del për gjah.
Mira, si fillim na tregoni pak për muzikën?
Unë jam këngëtare e muzikës popullore. Pasioni për të ka nisur që në fëmijëri. Doja gjithmonë të bëhesha një këngëtare e famshme. E kam filluar si çdo fëmijë, në orën e muzikës në shkollë, e më pas në Liceun Artistik ku në atë periudhë kam fituar edhe dy çmime në Pallatin e Kulturës në Berat. Për ta çuar deri në fund e për ta kthyer më pas në profesion. Vendosa të shkollohesha për muzikë. Studimet e larta i vazhdova në Akademinë e Arteve në Tiranë për kanto e më pas ndoqa studimet pas universitare.
Nga ana tjetër ajo që na habiti është pasioni juaj për gjuetinë…
Janë të shumtë ata që habiten kur mësojnë se unë marrë çiften dhe dal për gjah sa herë që dua të bëj diçka ndryshe. Në fakt, për mua personalisht është kthyer në rutinë. Edhe kjo ka filluar herët, pasi e kam traditë të trashëguar nga familja. Është një sport shumë i bukur ku i harron gjithë angazhimet preokupimet dhe më pëlqen shumë. Dua të theksoj se kam një traditë familjare me këtë sport. Babai im prej shumë vitesh e ka ushtruar atë, ndaj edhe unë jam bërë pjesë e tij që në fëmijëri.
Jeni një shënjuese e mirë?
Më thonë që jam e mirë dhe patjetër që kam shenjë. Unë vazhdoj ta ushtroj këtë sport shumë të bukur për mua dhe për këtë më ndihmojnë aftësitë që kam. Rrallë më ndodh të gaboj kur marr shenjë, megjithëse është bërë shumë e vështirë për gjahun në Shqipëri. Rezervatet e tyre janë shkatërruar tërësisht që nga jugu e deri në veri.
Duket si një sport i vrazhdë, sidomos për femra, të relakson?
Jo, nuk është aspak i tillë. Ecën me orë të tëra në kërkim të gjahut. Sfida jote është të biesh në gjurmët e tij. Besoj si çdo sport është qetësues. Gjatë ushtrimit të tij ka dhe raste humori e situatash të këndshme. Është një shkëputje nga realiteti ndërsa vesh rrobat, i hipën makinës dhe nisesh për gjah. Sigurisht dua të theksoj që qëllimi i gjahtarit nuk është të vras kafshën, por kënaqësi është momenti për të shkuar deri ta kafsha apo shpendi. Gati duket si filozofike, por më beson është kështu.
Ju jeni keni armën tuaj personale?
Patjetër që kam sepse është diçka e domosdoshme. I kam të gjitha mjetet e nevojshme që i duhen një gjahtari, që nga veshja e deri tek arma e fishkët rezervë. Nuk mungojnë as qenët zagar që janë shoqëruesit më të mirë në një udhëtim drejt gjahut.
Ka raste interesante në udhëtimet tuaja?
Ka raste humori pafund. Më ka ndodhur që të rrëzohem në rrugë të vështira. Po ashtu ka raste që bëhem gati të gjuaj dhe gjahu më shpëton pa e goditur.
Jeni aktive në konkurset që organizon Federate e Gjuetarëve?
Gjithmonë jam aktive në konkurse sepse është organizim shume i rregullt dhe i bukur. Kam marrë pjesë në garat e qitjes me pjatelë. Unë jam e vetmja femër në radhët e gjuetarëve dhe nuk dua të flas këtu për performancën time, por siguroj që jam një qitëse e mirë. Kam fituar shpesh edhe certifikata në këto konkurse që më kanë dhënë shtysë që ta vazhdoj edhe më tej pasionin tim për këtë sport të bukur.
Nuk ju duket vetja ndryshe me këtë lloj sporti?
E drejt, më duket vetja ndryshe. Njerëzit habitem që unë i përkushtohem kaq shumë këtij sporti. Besoj që në një të ardhme sa më të afërt edhe këtu në Shqipëri me kalimin e kohës do bëhet si kudo në botë. Sporti i gjuetisë do të jetë një gjë normale edhe për femrat.
Çfarë pëlqen më shumë të gjuani?
Shpendët, turtujt.
Ju Mira hyni tek ata gjahtarë që respektoni sezonet e gjuetisë?
Patjetër që i respektoj, duhet.
Ku shkoni për të gjuajtur?
Në zonat fushore dhe kodrinore janë dhe zonat e preferuara. Në rezervatet e gjuetisë. Kam shkuar edhe në Lezhë edhe në malin e Tomorrit. Në disa vende…
E vetmja femër mes gjahtarëve
Për shoqatat e gjahtarëve është kthyer në debat të ditës pyetja: Përse nuk kemi gjahtare femra?! A është vetëm hobi i gjuetisë ai që i mungon figura femër apo ka edhe sporte të tjera?! Përse në radhët e tyre ka vetëm meshkuj? Mos vallë vazhdon të ruhet zakoni i të parëve, kur meshkujt dilnin për gjueti dhe femrat ishin vetëm amvisa shtëpie?! Nuk ka sesi të ndodh sepse femrën e ditëve të sotme e shohim të angazhuar tërësisht në shoqëri, ajo ia del për bukuri të përmbush detyrat e saj si drejtuese, nënë, bashkëshorte, artiste, veprimtare në të gjitha fushat e jetës. Mos ndoshta gabohemi që në momentin kur themi sport për burra, “punë burri”, “punë grash” etj., duke i ndarë në aktivitete burrash e ky tjetri i grave.
Në bisedat e bëra midis femrave, të cilat kanë një pozitë të caktuar në shoqëri, kanë një punë me të cilën ndihen vërtetë të zonjat, kur i pyet se çfarë mendojnë për hobin e gjuetisë, shprehen se nuk është ide e keqe, por nuk u ka shkuar në mendje për një gjë të tillë. Ne, thonë ato, jemi mësuar me ritmin e zakonshëm, e shtuna edhe e diela zakonisht shihen si ditë pushimi, takim mes miqsh e jo ndonjë gjë tjetër interesante. Shumë të tjera habiten duke thënë: “Pse më imagjinon dot mua me çifte duke gjuajtur!?”
Këtë tabu e theu këngëtarja Mira Janji, që rrjedh nga një familje me breza gjahtarësh ku rrënjët fillojnë në Verri të Fierit, dhe që në garat e pjatelit në rrethin e Beratit konkurroi denjësisht krahas profesionisteve të këtij lloj sporti. Jo vetëm kaq, por doli edhe fituese. Por ç’është gjuetia për artisten? Me shumë dashuri Mira tregon: “Gjuetia është diçka që përshkon shpirtin e atij që e ndjenë, që mbush ditët me shpresa e kujtime, projekte e dëshira. Gjuetia është pritja me ankth duke menduar të shkuarën, është kënaqësia dhe vuajtja duke u ndjerë pjesë përbërëse dhe jetësore e natyrës që na rrethon, është vetmi dhe miqësi, është shëtitje me mendimet e tua, është konfidencë me atë që të shoqëron. Gjuetia është të ftohtët ndër duar të mpira nga ngrirja, është vesa e mëngjesit që lag gjunjët, është bryma e mbrëmjes, gëzimi i mëngjesit rrëzëllues të një dite me diell, është trishtim i një ditë me mjegull, është vitalitet i mëngjesit, lodhje e mbrëmjes. Gjuetia është ikje nga e përditshmja, dimension i ndryshëm nga e zakonshmja, lojë dhe lodhje, liri dhe impenjim, ëndërr dhe shpresë. Mjerisht shumë nuk mund ta kuptojnë këtë dimension të qenies sonë…”- tregon ajo.
***
Muzika nuk i lë kohë për dashuri
Në skenë e ndjej veten më mirë se kudo tjetër, mbase është ëndrra ime që realizohet.
Po të mos ishe këngëtare, çfarë do të doje të bëheshe?
Nuk e kam menduar kurrë sepse kam vetëm këtë pasion, por tani po e mendoj ndoshta mund të isha bërë edhe prezantuese në TV pse jo.
Cili është vlerësimi juaj për këngëtarët e brezit tënd?
Secili nga artistët vlerësohet nga publiku dhe është ai që i përzgjedh më të mirët. Unë kam mendim pozitiv për të gjithë.
Ka diçka të re në dashuri te ju?
Është profesioni i tillë që nuk të lë shumë kohë t’i përkushtohesh jetës private. Unë jam duke i dhënë më shumë rëndësi karrierës muzikore dhe kështu që edhe jetën time private jam duke ia kushtuar karrierës.
Çfarë është më e rëndësishme për ju në jetë?
Të bëj një jetë sa më të mirë, punë, pushim dhe të sjellë gjëra të reja për publikun dhe fansat e mi. Më pas dëshiroj të krijoj edhe një familje të lumtur.
Gjëja më e fortë dhe më e dobët te ti?
Gjëja më e fortë është energjia e pashtershme që më shoqëron për profesionin tim. Ndërsa ajo më e dobët është që shpenzoj shumë nga ana financiare, nuk di të jem e kursyeshme.
Sa është muzika juaj komerciale?
Këngët i kam realizuar në mënyrë që të jenë sa më të pëlqyera nga publiku dhe gjithmonë do vazhdoj kështu.
Ne cilin dollap kendon,pasi nuk e kam degjuar kurre!