Policia italiane ka arrestuar 25 shtetas nga Eritrea, 12 nga Etiopia dhe një italian, si pjesë e një organizate kriminale që trafikonte mijëra emigrantë nga Afrika në Europë.
Arrestimet janë kryer në 10 qytete italiane sipas policisë siçiliane, teksa të arrestuarit akuzohen për kontrabandë të qënieve njerëzore, trafik droge dhe krime të ndryshme financiare.
Operacioni është rezultat i dëshmisë së një skafisti të penduar nga Eritrea, i arrestuar në 2014.
Në një deklaratë zyrtare, policia thotë se i penduari kishte bërë një rindërtim të plotë të aktivitetit kriminal të një prej grupeve më të rrezikshëm të trafikimit të njerezve në botë që veprojnë në Afrikën e Veriut dhe Itali.
Dëshmia e tij i mundësoi policisë italaine të zbulonte bazën e grupit kriminal në një dyqan parfumerie në qendër të Romës më 13 qershor, ku sekuestruan 526 mijë euro dhe 25 mijë dollarë dhe një bllok shënimesh me të dhëna për anëtarë të tjerë të bandës.
Hetuesit thanë se grupi ka përdorur një sistem transferimi të parave me emrin hawala, një sistem bankar që operon duke përdorur ndërmjetës jashtë kanaleve tradicionale.
Kriza e emigrantëve, më e rënda në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore, ka detyruar qindra-mijëra njërëz të paguajnë kontrabandistët për të udhëtuar drejt Europës ose tokës së premtuar.
Në shumicën e rasteve me barka jo të përshtatshme, të vjetra dhe të mbushura përtej kapacitetit, shumë prej tyre kanë humbur jetën në Mesdhe dhe Egje.
