Një operacion i urdhëruar nga prokuroria e Napolit ka mundësuar arrestimin e 57 të dyshuarve për bashkëpunim me mafien në Campania, Lazio, Emilia dhe Sicili. Të akuzuarve për vepra penale financiare dhe tatimore iu janë sekuestruar pasuri me vlerë qindra milionë euro
Një operacion i quajtur “Normandia 2” kundër klanit të Kazalezëve nisi mëngjesin e së enjtes në disa rajone të Italisë. Karabinierët e Rosit dhe të komandës së Casertas bashkë me policinë tatimore dhe policinë e shtetit, vunë në zbatim rreth 57 urdhër-arreste, të nxjerra me kërkesë të Prokurorisë së Napolit kundër anëtarëve të këtij grupi mafioz: funksionarë, përkrahës dhe titullarë të rremë që mbulonin bizneset e Kamorrës. Gjithashtu u konfiskuan pasuritë e luajtshme e të paluajtshme me vlerë qindra milionë euro.
Arrestet u ekzekutuan në provincat e Napolit, Casertas, Frosinones, Modenas, Reggio Emilias dhe Catanias. Veprat penale që rëndojnë mbi 57 të dyshuarit janë: pjesëmarrje dhe bashkëpunim në akte mafioze, ushtrim abuziv të aktivitetit të kazinove e të basteve, konkurrencë e paligjshme e ushtruar me anë të dhunës dhe kërcënimeve, mashtrime të rënda kundër shtetit, mashtrime kompjuterike, pastrim parash dhe ripërdorim të këtij kapitali, regjistrim i rremë i pasurive, grabitje dhe krime të tjera të rënda.
Hetimi lindi pesë vite më parë kur një proces i prokurorit Antonello Ardituro çoi në burg më shumë se 40 persona. Midis tyre, të pandehur ishin edhe dy prefektët e Casertas, Maria Elena Stasi e Paolino Maddaloni, të cilët u dënuan dhjetorin e kaluar për favorizim të disa kompanive në pronësi të klanit të Kazalezëve, si p.sh “Orion” firma që operonte në kontrollin e ajërit në Caserta.
Nga hetimi fillestar lindën më pas dy procese të tjera: i pari përfundoi një vit më parë me dënimin e ish-këshilltarit rajonal, Nicolo Ferraro. I akuzuar se kishte favorizuar kompanitë e kontrolluara nga Kazalezët duke shfrytëzuar pozitën e dyfishtë të biznesmenit (në sektorin e riciklimit të mbeturinave) dhe politikanit në dobi të agjencive të tij, ai u dënua me 9 vjet e 4 muaj.
Qindra kompani në Napoli dhe në rajone të tjera të Italisë së Jugut i janë konfiskuar mafies, duke u vënë nën kontrollin e Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Aseteve të Konfiskuara, e cila angazhohet në rimëkëmbjen e më pas shitjen e këtyre bizneseve te pronarë të ndershëm.
Kreu i Kazalezëve, Mikele Zagaria, ka qenë për një kohë të gjatë një ndër personat më të kërkuar në Itali derisa u arrestua një vit më parë, i fshehur në një bunker shumë afër kompleksit “Euromilk” (firmë e tij) që më pas u konfiskua./ D. Gjuzi

Kontrolli i mafiozeve te Kazalezeve, duhet te shtrihet edhe ne Shqiperi, se nuk do te dalin pa gje, me pasurite qe kane vene pushtetaret e qeverise se Berishes dhe te miqeve te familjes se tij. Ketu kemi te fresket rastin ku kunati i Ministres Majlinda Bregu ishte i lidhur me familjen mafioze te Prodentinos. Plehrat qe vine nga Napoli dhe jugu i Italise qe riciklohen ne Shqiperi eshte nje rast i mire verifikimu, ku dihet qe me perpunimin dhe eksportimin e plehrave ne Itali jane aktivitete te rendomta qe kontrollohen nga mafiozet, sic edhte rasti ne fjale.
Te gjithe koncesionet e hidrocentraleve me pronar italian jane nga ky lloj?