Bazat i kanë marrë në Shqipëri, por shkëlqimin e kanë patur jashtë vendit. Edhe pse jemi një vend i vogël, përsëri kemi disa artist xhevahir që na përhapin namin e mirë në botë dhe një pjesë e tyre, janë duke e bërë këtë gjë momentalisht. Ajo, e ndrojtura, e heshtura, por me një zë kumbues, Ermonela Jaho, ka disa ditë që bënë xhiron e uebeve me intervistën e dhënë për “Financial Times”.
Mësohet se Jaho ndodhet për një koncert në Londër, në një nga të shumtat e saj në skenat e mëdha të Evropës dhe Amerikës.
“Zëri i saj kumbues dhe i pasionuar fluturon në dhomën e provave, teksa po përgatitet për operën “Zaza” të Leoncavallo. Jaho u lind në vitin 1974 në Shqipëri, në periudhën e diktaturës së Enver Hoxhës”-shkruan gazeta, “ndërsa u zhvendos në Tiranë ku ishte dy vjeçe”. “Është shumë e trishtë”, thotë më pas sopranoja.
“Kur Zaza këndon për fëmijërinë e saj pa nënë e pa baba, më kujton veten dhe përvojën e nënës sime”. “Si fëmijë, e shihja dhimbjen e mospërmbushjes në sytë e nënës sime, por nuk e kuptoja shkakun e pikëllimit të saj”. Jaho ka trashëguar, jo vetëm dashurinë e nënës së saj për muzikën, por edhe ndjenjën e melankolisë. Shqiptarët, thotë ajo, në përgjithësi janë të zhurmshëm dhe plot pasion. Por Jaho ishte një fëmijë i turpshëm. “E mbaja gjithçka përbrenda”, thotë ajo.
Më pas Jaho hyri në të famshmen Akademia Kombëtare e Santa Cecilias në Romë. Për të mbajtur veten gjatë studimeve, fillimisht punonte në një familje italiane e mandej, me paratë e fituara në një konkurs kënge, u vendos në një hostel që drejtohej nga disa murgesha.
“Herë-herë nuk kisha para për bukë, por kurrë nuk i tregova njeriu. Kuptova që për të realizuar ëndrrën për të kënduar në opera, duhej të bëja sakrifica. ‘Ermonela’, i thashë vetes, ‘duhet t’i kapërcesh këto vështirësi’”, kujton ajo. Një tjetër pengesë qe fakti që ajo ishte shqiptare. “Ishe bërë për t’u ndier qytetare e dorës së tretë”, shprehet Jaho. Pasi u bë e famshme, thekson ajo, gjërat ishin ndryshe. “Të gjithë duan të të kenë mik”.
Më pas, ajo ka vazhduar jetën në Shtetet e Bashkuara, ku udhëtoi në vitin 2003, ku jetonte së bashku me prindërit e bashkëshortit. “Në Shqipëri është traditë që prindërit të jetojnë me djalin, dhe unë i respektoj shumë”, thotë ajo. Pengu më i madh për të është që e ëma nuk e dëgjoi dot kurrë të këndonte në skenë. “Shkoja në Shqipëri, por vendi i saj është përherë bosh”, kujton ajo. Jaho mendon se e ëma mund ta kishte pasur tepër të dhimbshme ta shihte atë në skenë, për shkak të ambicieve të veta të papërmbushura, megjithëse nuk e pati kurrë mundësinë ta mësonte të vërtetën. “U mundova t’i shkruaja e ta pyesja pse, t’i thosha sa shumë e doja dhe se më mungonte, por ajo u shua para se të mund t’ia dërgoja atë letër”.
Saimir Pirgu
Një tjetër emër, i cili njofton daljen e albumit të tij dhe një ardhje në Tiranë për të kënduar për publikun kryeqytetas është Saimir Pirgu. Nëpërmjet rrjetit social Facebook ai thotë se data 5 Mars do e gjejë atë në Tiranë. Por përpara se të mbërrij në vendlindje ai do të jetë sërish në Operën Mbretërore të Britanisë së Madhe. Ai do interpretojë Alfredon në operën “Traviata”, në datat 16, 19, 22, 27, 30 Janar dhe 4 e 6 Shkurt. Nuk është hera e parë që artisti i njohur shqiptar gjendet në “London Royal Opera House”. Më tej, në muajin Shkurt do të jetë në Paris, mandej në Firence dhe më 5 Mars vjen në Tiranë për koncertin “Il Mio Canto”.
Deri më tani, ai ka vënë në skenë 23 role të ndryshme, ku përmendim opera të ndryshme si: “Don Xhovani”, “Lucia di Lamermoore”, “Manon”, “Makbeth”, “Xhani Skiki”, “Romeo e Zhuljeta”, “Falstaff”, “L’elisir D’amore”, “Ballo me maska”, “Werther”, etj.
I duartrokitur tashmë dhe i respektuar nga publiku dhe kritika e mbarë botës, Saimir Pirgu konsiderohet si një nga artistët që ka patur ngjitjen më të shpejtë në karrierë në qarqet operistike dhe koncertale, duke u konsideruar sot si një nga tenorët më të shquar në peizazhin e lirikës ndërkombëtare.
Vlerësuar për autoritetin dramatik dhe skenik të interpretimeve të tij, ai është cituar në shtypin ndërkombëtar si “një nga zërat më të bukur që mund të dëgjohen sot” (Seen And Heard International), si “një nga interpretuesit më të rëndësishëm botërorë të roleve të tenorit lirik” (Opera Today) “Një yll në rritje” (Opera Now). “Interpretimi i tij vokal tingëllon spontan, krejtësisht i pa sforcuar, duke u zgjeruar vazhdimisht në një lojë intuitive dritë-hijesh me një prekje të mëndafshtë” (The New York Times), “Teknika e tij është e shkëlqyer dhe cilësia lirike e zërit të tij është po kaq e bukur” (Plácido Domingo), “Vetëm qielli mund të jetë kufiri i tij”, (The New York Sun).
Ndërsa shfletojmë për Pirgun e madh sot, historia e tij ngjan nga ato të stisurat prej shkrimtarëve me fantazi të bollshme. Në këtë mes ai është personazhi. Djaloshi që prek një ëndërr. E vërteta e tij nis diku në lagjet e Elbasanit, kur ende 6-vjeçar, Saimir Pirgu, sot një tenor që ngjit skenat e botës, i lidh ditët me violinën.
Me mundësitë modeste të familjes normale, prindërit vendosin t‘u japin gjithnjë shtysë dëshirave të tij. Nga violina në këngë, skenat e festivaleve për fëmijë janë të parat ngjitje të djaloshit që nuk dinte se ku do mbërrinte.
Veç kërkonte. Lëvizja e parë ishte nga Elbasani në Tiranë, nga liceu artistik “Onufri” në atë “Jordan Misja”, qoftë edhe me koston e një jetese në konvikt. “Im atë mendonte ndryshe. Ai është jetim. Më tha se nuk dëshironte që edhe unë, djali i tij, të rritesha vetëm, duke jetuar në struktura publike, një përvojë të cilën ai e kishte kaluar vetë. Kështu, për të mbështetur aspiratat e mia, prindërit shitën apartamentin tonë në Elbasan dhe të gjithë familjarisht u transferuam në Tiranë. Jetuam në një shtëpi me qira në periferi, në zonën e Qytetit të Nxënësve“, kujton ai.
Nuk mund të ndahet nga e shkuara. Ditët që jeton sot nuk ngjajnë aspak me të dikurshmet, por i përkasin atij. Sakrificat po ashtu. Pas diplomimit në vitin 2000, Instituti Italian i Kulturës, shpërndan formularë që orientonin studentët për shkolla të mundshme jashtë shtetit. Mes Romës, Milanos, Torinos, Pirgu zgjedh Bolzanon. Kërkoi të bëjë një hap më të vogël, por të sigurt.
Koha tregoi se zgjedhja ishte e duhur. Atë kohë, që ai e kujton me moton “të ikim nga Shqipëria“, më shumë sesa përsosja si muzikant, kishte më shumë rëndësi largimi.
Edhe nëse nuk do ta kishte fituar atë konkurs, sërish kishte parashikuar të mos kthehej. Ditët si student nuk ishin nga më të mirat. Pirgu, një i ri shqiptar, ndonëse dallonte mes studentëve të tjerë, provoi të bënte edhe pjatalarësin, të pranonte të këndonte në koncerte modeste sa për të fituar diçka. Këtë rrugëtim mund ta kenë përshkruar edhe shumë të tjerë, atë kohë edhe sot.
Por pas një suksesi kërkohet gjithnjë të gjendet diçka. Në këtë mes e shkuara është ajo që ndriçohet e para. Tenorit shqiptar i është dashur të flasë shpesh për të.
Viti 2002 nis ta shpërblejë për këmbënguljen. Fiton dy çmime të rëndësishme, “Enrico Caruson” në Milano dhe “Tito Schippan” në Leçe ndërsa vetëm një vit më vonë vjen bashkëpunimi me mjeshtrin Claudio Abbado, për operën “Cosi fan tutte”.
Audicione, ftesa, bashkëpunime, do ta çonin në të ardhmen në skena operash të njohura, në krah të emrave më të mëdhenj të operistikës. Edhe vetë pranon se fati i solli një karrierë të pasur, në një moshë ende të re. Këto ditë ka veshur petkat e Alfredos të Verdit. Pirgu mendon se Alfredo është një nga ato role që i shkojnë për shtat karakterit të tij. Ashtu si edhe Duka i Mantovës në operën “Rigoletto”. Deri më tani pjesë e repertorit të tij janë personazhe të operave të njohura si Ferrando te “Cosi fan tutte”, Don Ottavio te “Don Giovanni”, Nemorimo te “L‘elisir d‘amour”, Fenton te ‘Falstaff”, Edgardo te “Lucia di Lammermoor”, Romeo te “Romeo e Juliette” etj. Lista pret të shtohet në të ardhmen. Skena e bashkëpunime të tjera do të shënohen në jetën e tij artistike. Nisur nga vetja, ka një këshillë për ata të rinj që duan dhe ëndërrojnë t‘i bëjnë të vërteta sukseset: Të mos hiqni kurrë dorë. Secili ka fatin e tij dhe vendin e vet në botë. “E rëndësishme është të japësh maksimumin dhe të arrish maksimumin e asaj që të lejojnë aftësitë e tua“- thotë Pirgu.

Aman ere gazetar,po per ate me te turpshin e te gjithe langaraqeve,Kastriot Tushen,kur do shkruani?
Aman ere gazetar,po per ate me te turpshin e te gjithe langaraqeve,Kastriot Tushen,kur do shkruani?
Me fal moderatori,nuk e kam perseritur asnjehere,sot po e them per here te pare.
Shume shqiptare jashte atdheut perparojne, brenda jo, si spjegohet?