Materiali i mëposhtëm është përbërë nga fragmente nga procesverbali i mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të mbajtur më datë 29 prill 2015, pra rreth dy javë më parë. Është një tekst që pasqyron veprimtarinë normale të KLD-së, një mbledhje nën drejtimin e presidentit Bujar Nishani.
Çështja që duam të ekspozojmë është se vendimet që merren në këtë “normalitet” dhe arsyetimet që jepen për to, vetëm normale nuk mund të quhen.
Në çdo hap bien në sy shkelje ligjore, anashkalime, moskompetencë skandaloze e disa anëtarëve, që me fjalë të tjera nuk mund të jenë veçse mënyra për të bërë qokat e rradhës, ose për të kryer bllokimet e qëllimshme të rradhës.
Bllokimi kryesor që bie në sy, siç do ta vini re, është asfiksimi i rolit të zv.kryetarit të KLD-së, përmes ndërhyrjeve qesharake dhe antiprofesionale, duke e nxjerrë atë jashtë loje, edhe pse fizikisht nuk ekziston pasi KLD nuk e ka zgjedhur.
Në tekst, do të vini re edhe një president që thotë “në rregull, vazhdojmë”, ose “mirë”, pa e marrë vesh se çfarë ka ngjarë, ose më saktë, pa e çarë kokën. Materiali, që në fakt është mjaft i ngarkuar për shkak të terminologjisë, shoqërohet nga komente sqaruese, që hedhin dritë mbi mënyrës sesi funksionon ajka e jurisprudencës dhe drejtësisë shqiptare.
Nuk mungojnë, madje janë të qarta meraqet e anëtarit të KLD-së Gjin Gjoni, që çështja e emërimeve të mos ndërpritet apo të pengohet nga budallallëqe ligjore, por të rrjedhë vaj. Padyshim, presidenti është dakord dhe refrenin e tij të vetëm ka, “në rregull, ta hedhim në votë.Miratohet.Çështja tjetër”.
Populli ynë për raste si ky ka shumë shprehje, por po përzgjedhim: “Ku të thërret qameti!”. Më poshtë, procesverbali bashkë me komentet tona në germa kursive. Nënvizimet dhe germat bold janë vendosur për pjesët më të rëndësishme të tekstit.
RENDI I DITËS: 5. Zhvillimi i procedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës.
Bujar Nishani: Pika 6 e rendit të ditës (sipas procesverbalit i bie pika 5): Zhvillimi i procedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës.
Komisioni, para se të fillojmë, Dritan Caka një informacion të shkurtër.
Dritan Caka: Po, atëherë në emër të komisionit po ju lexoj raportin. Mbështetur në vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë nr. 227/2, datë 28.03.2008 “Për funksionin drejtues në gjykata”, i ndryshuar, është ngritur Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Kryetar Gjykate. Komisioni, pasi u njoh me të dhënat dhe materialet e depozituara nga kandidatët, si dhe fashikullin e tyre personal, vlerësoi kandidaturat e paraqitura për funksionin drejtues të kryetarit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës, përkundrejt kritereve të përcaktuara në nenin 16, pika 2, të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në nenin 3, të vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nr. 227/2, datë 28.03.2008 “Për funksionin drejtues në gjykata”. Kandidatët të cilët paraqitën kërkesat e tyre për funksionin drejtues të kryetarit në këtë gjykatë janë: Zoti Genci Sinjari dhe Zonja Klodiana Veizi (Mema). Konkretisht, po ju paraqesim të dhënat sa më poshtë vijon: Zoti Genci Sinjari – aktualisht gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës. Ka ndjekur dhe përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në vitet 1993-1994, me mesatare note 6.6. Me vendimin nr. 1, datë 30.03.1995 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Berat dhe me dekretin nr. 8265, datë 16.07.2013 të Presidentit të Republikës, është emëruar gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës.
(Ky është kandidati fitues për këtë konkurim, si Kryetar në gjykatën administrative të rrethit Durrës)
Është deleguar për të kryer përkohësisht detyrën e kryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës me vendimin nr. 385, datë 28.10.2013 të KLD-së. Vjetërsia në punë si gjyqtar është 20 vjet. Vlerësimi profesional “Shumë mirë” (3 nga grup kriteret “Shumë mirë” dhe 1 “Mirë”) dhe për vitet 2007-2009 “Shumë mirë” (2 nga grup kriteret “Shumë mirë”). Nuk rezulton që ndaj tij të jetë dhënë ndonjë masë disiplinore. Gjuhë të huaja: anglisht, italisht, frëngjisht (sipas CV-së që ka paraqitur vetë kandidati. Zonja Klodiana Veizi (Mema) – aktualisht gjyqtare në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës. Ka ndjekur dhe përfunduar Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në vitet 1997-2001, në sistemin me shkëputje nga puna, me mesatare notë 9.5. Gjatë viteve 2002-2005 ka ndjekur dhe përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe me dekretin nr. 4322, datë 17.09.2004 të Presidentit të Republikës, është emëruar gjyqtare dhe është caktuar për kryerjen e stazhit profesional në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
(Kjo gjyqtare ishte përfshirë në procedurën e përzgjedhjes si Kryetare gjykate në kundërshtim me nenin 16, pika 2 e ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor, pasi nuk kishte dy vlerësime të njëpasnjëshme “shumë mirë”. Nëse do të ishte zbatuar ligji, ajo nuk duhej të përfshihej në konkurim pa u bërë një vlerësim i përshpejtuar sipas nenit 43 të ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor).
Me dekret të mëvonshëm të datës 03.10.2005 të Presidentit të Republikës është caktuar gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnje dhe më pas është emëruar gjyqtare në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës me dekretin nr. 8643, datë 24.07.2014. Vjetërsia në punë si gjyqtare është 10 vjet, duke përfshirë këtu edhe vitin e stazhit profesional. Vlerësimi profesional “Shumë mirë” (3 nga grup kriteret “Shumë mirë”). Gjuhë të huaja: anglisht, italisht (sipas CV-së). Nuk rezulton që ndaj saj të jetë dhënë ndonjë masë disiplinore. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, me shkresën nr. 420/1 prot., datë 09.02.2015, në përgjigje të shkresës nr. 371 prot., datë 30.01.2015 të KLD-së mbi kërkesën për informacion drejtuar këtij institucioni, për kandidatët konkurrues në funksionin drejtues, shprehet se për subjektet e kërkuara Genci Sinjari dhe Klodiana Veizi ka përfunduar kontrolli i plotë dhe deklaratat e tyre kanë rezultuar pa probleme dhe në përputhje me kërkesat e ligjit”….
Bujar Nishani: Faleminderit! Ka ndonjë ..? Urdhëro, Zoti Kosta!
Vangjel Kosta: Faleminderit! Unë kam qenë pjesë e komisionit por kam mbajtur një qëndrim disi ndryshe nga shumica dhe e kam pasqyruar edhe mendimin tim. Në fakt qoftë për këtë rast edhe për raste të tjera, në vijim dhe të diskutimeve që kam bërë dhe në mbledhjen e mëparshme, të paktën jam munduar të mbaj një qëndrim konsekuent lidhur me faktin që Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të ndërtojë disa standarde që të harmonizojnë më mirë objektivitetin në vendimmarrje me qëndrimin subjektiv të çdo anëtari. Në këtë pikëpamje unë besoj që kriteri, le të themi, elementi më ndikues në objektivitet do të ishte pikërisht vlerësimi i gjyqtarëve që aplikojnë për karrierë, qoftë në gjykata të karrierës, qoftë edhe për të aspiruar për t’u bërë kryetarë gjykatash. Në këtë pikëpamje unë kam vendosur që të vë standarde, i përcaktuar edhe nga ligji, sipas të cilit ne nuk mund të marrim një vendim objektiv karriere nëse gjyqtarët nuk do kenë të paktën secili prej tyre nga dy vlerësime, minimalisht. Në këtë këndvështrim, meqenëse disa nga kandidatët që kanë aplikuar, nuk e plotësojnë këtë kriter, ne do t’i përjashtonim ato padrejtësisht nga konkurrimi dhe në këtë konsideratë kam kërkuar që procesi të pezullohet e t’u jepet mundësia të gjithë kandidatëve nëpërmjet procedurës së vlerësimit të përshpejtuar, të plotësojnë kriterin minimal të pasjes së dy vlerësimeve dhe pas kësaj ne të vazhdojmë me procedurën e konkurrimit për kryetarët e gjykatave administrative. Jo vetëm për Durrësin, këtë shpjegim e jap edhe për raste të tjera të cilat i kemi dhe sot në rendin e ditës. Faleminderit!
Bujar Nishani: Po. Faleminderit! Tjetër diskutim? Mirë, atëherë të ftohen kandidatët për t’u dëgjuar. Të vinë sipas… Genci Sinjari. Po, po, përpara. Prit një minutë. Po, po, urdhëroni!
Albana Shtylla: Më falni, proceduralisht, meqenëse u bë një propozim nga njëri prej anëtarëve të komisionit i cili ka hedhur një ide që të ketë një shtyrje të procesit...
Bujar Nishani: Po, por është pakicë në komision. Ka raportin e komisionit, të vijojmë.
Albana Shtylla: Pavarësisht se është në pakicë, mundet qe ta hedhim ne votim këtu në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe për të patur një vendimmarrje.
Bujar Nishani: Ka një raport të komisionit dhe ne ecim mbi bazën e raportit të komisionit.
Hysen Saliko: …edhe shqetësimin e anëtarit Kosta, edhe shqetësimin e Albanës, por tashmë KLD-ja e ka kapërcyer këtë situatë dhe qoftë në emërimet në gjykatën e apelit apo qoftë në emërimet për kryetarë, ka mbajtur një standard dhe ne nuk mundët, shumica të ndryshonte qëndrimin e tij dhe tani gati kur jemi në fund të emërimeve të kryetarëve të gjykatave të ndryshonte rregullat e lojës dhe këta tre-katër apo pesë kryetarë gjykatash që kanë mbetur të kërkohet që të bëhet vlerësimi dy herë, ndërsa për ata që kemi emëruar në gjykatën e apelit dhe për kryetarë gjykatash gjatë vitit që kaloi u emëruan, të kishim një vlerësim vetëm një herë.
(Pra në këtë pjesë ky anëtar i KLD pranon që megjithëse ligji ka parashikuar tjetër rregull, meqenëse KLD ka vendosur një standard që është zbatuar për emërimet e tjera më parë, komisioni që është i përbërë nga tre anëtarë, nuk mund ta ndryshojë tani këtë praktike?! Pra të vazhdohet me shkeljen e ligjit).
Kështu që, raporti është i plotë. Tek ata gjyqtarë që ka mundur Këshilli i Lartë i Drejtësisë t’i bëjë dy vlerësime, i kanë. Fakti që ne kemi përjashtuar ata gjyqtarë që nuk plotësojnë kushtet, por dhe nuk ka kandidatë të tjerë që mund të kërkojnë, dhe po të kishin kërkuar detyrimisht dhe të kishte ndonjëri ndonjë sugjerim, se: -Unë në këto dy vlerësime të ardhshme do ta kem vlerësimin “Shumë mirë” dhe në vlerësimin që më është bërë e kam patur është “Mirë”, ne detyrimisht mund ta kishim marrë në shqyrtim. Në këto kushte, unë vlerësoj se raporti është i plotë dhe ne duhet të vazhdojmë me procedurën për zgjedhjen e kryetarit.
Bujar Nishani: Po, urdhëro!
Albana Shtylla: Më falni edhe një herë që po e kërkoj fjalën z.President. Këtu nuk bëhet fjalë për një praktikë apo një procedurë të vendosur më parë nga KLD-ja, por bëhet fjalë për një parashikim ligjor dhe konkretisht nenin 16, ku bëhet fjalë për kushtet dhe emërimin e kryetarit të gjykatës, ku thuhet që: “Kryetari i gjykatës të jetë vlerësuar “Shumë mirë” nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dy herët e fundit”. Pra, normalisht po bëhet fjalë për zbatimin e një përcaktimi ligjor. Nëse shumica në komisionin e ngritur nga KLD ka vlerësuar në kundërshtim me nenin 16, dhe ju vazhdoni?! Por ideja ime ishte që, meqenëse ka patur një qëndrim pakice të referuar në zbatimin e një dispozite ligjore, të provohesh edhe për t’u diskutuar në KLD nëse do të vijojmë duke zbatuar parashikimin ligjor apo sipas praktikës së KLD dhe raportit të prodhuar nga shumica e komisionit. Faleminderit!
Bujar Nishani: Po, faleminderit! Të njoftohet zotëria, Zoti Genci Sinjari.
(Me pak fjalë Presidenti, në dijeni të plotë të faktit që jemi para një shkeljeje ligjore, sa i përket kritereve për t’u zgjedhur Kryetar gjykate, nuk tha asnjë fjalë, madje vijoi procedurën e zgjedhjes së tyre nga KLD.
Në përfundim, për tre kryetarë të gjykatave administrative të shkallës së parë, Presidenti dhe përfaqësuesit e gjyqtarëve në KLD, votuan në kundërshtim me kriterin ligjor, ndërsa tre anëtarët e propozuar nga Kuvendi votuan kundër në respektim të ligjit. Duhet shtuar se njëra prej kandidateve e cila dhe u zgjodh kryetare në gjykatën administrative të shkallës së parë në Shkodër, e pranoi që kriteri ligjor nuk ishte plotësuar prej saj).
Nasip Naço: Faleminderit, Zoti President! Pyetja ime është, nëse jeni vlerësuar nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë? Dhe nëse po, sa herë jeni vlerësuar?
Valbona Durraj: Në dijeninë time jam vlerësuar një herë nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Nasip Naço: Pyetja e dytë është: Në dijeninë tuaj, çfarë parashikon ligji për sistemin e vlerësimit dhe sa herë duhet të jesh vlerësuar për të konkurruar për kryetar gjykate? Faleminderit!
Valbona Durraj: Në dijeninë e ligjit dhe njëherësh edhe në dijeninë time është dy vlerësime të njëpasnjëshme dhe vlerësime “Shumë mirë”.
(Kjo është pjesë e shkëputur nga Procesverbali ku kandidatja për Kryetare në gjykatën administrative të shkallës së parë në Shkodër e pranoi që kriteri ligjor ishte që të ketë dy vlerësime të njëpasnjëshme “shumë mirë” dhe ajo nuk e plotësonte këtë kriter)
Bujar Nishani: Po, faleminderit edhe ju! Po, Zoti Ministër!
Nasip Naço: Faleminderit! Pyetja ime është, se sa herë jeni vlerësuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë? – pyetja e parë. Dhe pyetja e dytë, në lidhje me ligjin, sa herë e parashikon ligji se duhet të vlerësoheni për të konkurruar për kryetar të gjykatës?
Sokol Ibi: Faleminderit, Zoti Ministër! Pikësëpari, desha t’i përgjigjesha pyetjes së parë. Jam vlerësuar një herë nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kam marrë vlerësimin “Shumë mirë” për vitet 2007-2009, vite të cilat kam filluar ushtrimin e funksionit si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, pas mbarimit të Shkollës së Magjistraturës dhe kryerjes së stazhit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Për sa i përket pyetje së dytë – po jap mendimin tim, besoj mendimin tim kërkuat – mendoj se nuk është detyra ime të kem vlerësim të dytë dhe nuk është ky qëllimi i ligjit. Është detyra e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e organeve shtetërore, të më vlerësojnë, sepse unë kushtet i kam plotësuar, domethënë kushtet e punës. Ideja e ligjit është që të kesh vjetërsi për mendimin tim – vjetërsi pune. Pastaj vlerësimi nuk është detyrim i imi, është detyrë e këtij organi të nderuar të vlerësojë gjyqtarin dhe mos vlerësimi im për së dyti nuk duhet të përbëjë pengesë ligjore për të hyrë në garë, për sa kohë që është marrë një vendim që jam pjesë e kësaj gare, mendoj se duhet respektuar si vendim dhe duhet votuar.
(Këtu gjyqtari Sokol Ibi e pranon që duhet të ketë vlerësim dy herë, por nuk është detyra e tij por e KLD që ta zbatojë këtë detyrim ligjor. Madje në pjesën e fundit gjyqtari thotë me pak fjalë që për mua pak rëndësi ka nëse është zbatuar ose jo ky kriter, përsa kohë që komisioni i KLD më ka bërë pjesë të kësaj gare, edhe në kundërshtim me kriteret e ligjit?!!)
Bujar Nishani: Po, faleminderit!
Pika 11 e rendit të ditës me objekt: Shqyrtimi i relacionit “Mbi disa propozime të grupit të punës për sistemin e pikëzimit për procesin e emërimit të gjyqtarëve në gjykata” të grupit të punës për sistemin e pikëzimit. Shënim: Sipas rendit të ditës kjo pikë i takon pikës 12, por për shkak të procesverbalit bëhet pika 11 e rendit të ditës.
……….
Bujar Nishani: Po, të mbarojmë njëherë dhe pastaj të vijmë tek propozimet konkrete. Në lidhje me projektvendimin e paraqitur, ka diskutime të tjera, mendime? Po, Zoti Kosta!
Vangjel Kosta: Kam një sugjerim, që nëse është e mundur që e njëjta procedurë të aplikohet edhe për ata që kandidojnë për kryetarë gjykatash dhe që nuk plotësojnë kriterin ligjor të pasjes së dy vlerësimeve në momentin e aplikimit.
Bujar Nishani: Dakord. Të ezaurojmë njëherë pjesën përmbajtësore të vendimit dhe pastaj propozimet e reja të draftohen dhe të paraqiten për miratim. Në lidhje me projektvendimin që kemi.
Mirë kalojmë në pikën tjetër të rendit të ditës, përpara se të shqyrtojmë aktet përfundimtare, ishim në pikën që e shtymë pra.
Artan Broci: Para se të kalojmë, jemi prapë te kjo.
Bujar Nishani: Po, më fal.
Artan Broci: Ka një moment të cilën desha ta sqaroj. Në fakt ligji “Për organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, parashikon që ky komisioni i madh drejtohet nga Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Po kështu, kjo është e parashikuar edhe te vendimi 274, pika 2, i datës 16 shkurt 2011 “Për organizimin dhe funksionin e komisionit të shqyrtimit të kandidaturave për gjyqtarë”. ……
Bujar Nishani: Po në qoftë se kryetari nuk do të jetë prezent?
Artan Broci: Në një kohë që kemi dhe ligjin “Për funksionimin e organeve kolegjiale” në rastet e mungesën apo në rastet e vendit vakant po themi të Zëvendëskryetarit, mund t’i shtrijë efektet tek ligji “Për funksionimin e organeve kolegjiale” dhe e ka parashikuar qartë që komisioni drejtohet nga anëtari më i vjetër dhe besoj se mosfunksionimi i këtij komisioni, çon pastaj në bllokimin e gjithë procesit, prandaj them që është e nevojshme mbase të ndërhyjmë në këtë vendimmarrje, për shkak dhe të funksionimit të këtij komisioni, i cili bën dhe vlerësimin profesional dhe etik të kandidatëve dhe pikëzimin e tyre për vendet vakante për krimet e rënda, për apelet, për gjyqtarët e shkallës së parë, dhe njëkohësisht hap rrugën shpalljes së vendeve vakante për magjistratët, të cilët i kemi prej disa kohësh pa i emëruar, pikërisht të këtij procesi që ne kemi në vazhdim. Duke qenë se ne kemi mbetur dhe nuk kemi vende vakante për gjyqtarët, kemi mbetur duke mos bërë vlerësimin, për shkak të kësaj dispozite ndaluese. Në këtë pikëpamje, unë do të propozoja nëse do të biem dakord, të bëjmë një ndryshim të vogël, nenin 2 të këtij vendimi, të hiqet pika 3 e cila ka këtë dispozitë ndaluese të funksionimit të këtij komisioni. Faleminderit.
(Rregullimi që propozoi z.Broci i hapi rrugë vlerësimeve të gjyqtarëve, për rrjedhojë emërimeve të gjyqtarëve që kandidojnë për gjykata të tjera apo në gjykatat e apelit. Pra, nëse kjo dispozitë do e detyronte indirekt Presidentin dhe KLD për të shkuar domosdoshmërisht në zgjedhjen e Zv/Kryetarit të KLD, tashmë nuk ka asnjë pengesë procedurale që KLD të vijojë edhe pa të)
Bujar Nishani: Dakord. Normal, ne nuk kemi aktualisht Nënkryetar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Po, Zonja Shtylla!
Albana Shtylla: Për procedurë Zoti Kryetar. Nuk e di nëse propozimi është i formatuar me një projekt-akt, ndërkohë është shpërndarë në materialet e mbledhjes së KLD-së? Meqenëse mbajtëm standardin me Zotin Kosta që do të kemi një propozim të shkruar, do të kërkoja që edhe në këtë rast të kishim të njëjtën gjë. Faleminderit!
Bujar Nishani: Dakord. Të vijë propozimi me shkrim dhe ta fusim në rendin e ditës. Dakord. Po, Zoti Gjoni!
Gjin Gjoni: Ka një moment Zoti President, sepse në rast se ne do të shkojmë në këtë hulli që Albana ngre në lidhje me këtë, unë them që do të vonohemi dhe nja dy-tre muaj të tjerë për të emëruar.
(Me pak fjalë Gjini ka hallin e emërimeve)
Bujar Nishani: Dakord, le t’i mbajmë përgjegjësitë ne që kemi për t’i mbajtur.
Gjin Gjoni: Jo, jo vetëm një shfuqizim i vogël ose vetëm konsiderimi i asaj që ‘mund të marri pjesë Nënkryetari’, nuk jam dakord në momentin që juve propozoni që do të zgjidhet, por të hiqen dispozitat që konsiderohen të pavlefshme, sepse nuk mundet që kryetari të ketë votë mbi votat e këtyre, vetëm kjo dispozitë mund të rregullojë.
(Ky “ndryshim i vogël” i hapi rrugë një procesi emërimesh sipas preferencave, por edhe nuk mbajti të detyruar Presidentin për zgjedhjen e Zv/Kryetarit të KLD, pasi domosdoshmërisht ai duhet të ishte pjesë e procesit të vlerësimit)
Bujar Nishani: Dakord, ta fusim propozimin me shkrim, me projektvendim, siç e thamë edhe për propozimin e Zotit Kosta dhe e shqyrtojmë.
Gjin Gjoni: Dakord. Faleminderit!
Bujar Nishani: Mirë. Tjetër?
Artan Broci: Të kërkoj ndjesë Zoti President. Për të sqaruar, nuk është propozim normues por është propozim rregullues. Pra, ne kemi një dispozitë ndaluese e cila po nga ky Këshill është marrë, i cili nuk është në përputhje me ligjin, dhe nuk është propozim normues ky që jap unë dhe që duhet propozim me shkrim dhe projektvendim. Ky është një propozim normues, rregullues, i cili shfuqizon një pikë të cilën ne e kemi konstatuar gjatë punës tonë, e cila pengon veprimtarinë dhe ushtrimin e funksionit normal të këtij komisioni. Pra unë nuk propozoj që të kemi ne një akt të shkruar në mënyrën se si do të rregullohet veprimtaria e këtij komisioni. Kemi konstatuar që ky komision, për shkak të kësaj dispozite, i konsideron të pavlefshme mbledhjet për shkak të mungesës së tij. Në një kohë që ligji nuk e thotë. Dhe në këtë pikëpamje unë nuk propozoj që të normojmë.
(Cilido jurist që do ta lexojë këtë argumentim do të habitet nga niveli që ka një anëtar i Gjykatës së Lartë, sa i përket koncepteve “akte normuese” dhe “akte rregulluese”. Një akt normues patjetër që rregullon një çështje të caktuar, pra në të njëjtën kohë është edhe rregullues, ndërkohë që gjyqtari Broci në pjesën e parë të shpjegimeve të tij bën diferencim ndërmjet këtyre akteve, dhe më vonë e pranon që këto koncepte ekzistojnë bashkërisht brenda të njëjtit akt).
Bujar Nishani: Dakord. Kuptoj.
Artan Broci: Jua bëj prezent dhe nuk besoj se duhet një propozim me shkrim apo të kemi një vendim kuadër për këtë punë. Ne thjesht vetëm rregullojmë normën e këtij vendimi që ka. Nuk është propozim për rend dite them unë, në koncept.
Bujar Nishani: Albana!
Albana Shtylla: Me thënë të drejtën, dëshiroja Zoti president, nëse do t’i hymë diskutimit për çështje të cilat janë të parashikuara në akte të KLD-së dhe që nuk janë të parashikuara në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”, atëherë do duhet të shikojmë të gjithë legjislacionin e prodhuar nga KLD-ja, kështu që për të patur një vendimmarrje sa më të mbështetur, të argumentuar, do të dëshiroja që kjo çështje të përfshihet normalisht në procedurë me një propozim per tu perfshire ne rendin e dites, te pergatitet projekt-akti konkret për t’u përfshirë në rendin e ditës të mbledhjeve të ardhshme të KLD-së. Faleminderit!
(lexoni box-in se çfarë thotë ligji për mënyrën sesi caktohet rendi i ditës)
Bujar Nishani: Nejse, ky rishikimi i akteve është gjë tjetër. Ne e kemi kërkuar këtë, absolutisht, por ne nuk mund të bllokojmë punën e vendimmarrjes së një grupi, pse një anëtar i saj nuk është dhe kërkohet në mënyrë detyruese. S’është normale. Absolutisht s’është normale. Mirë dakord. Atëherë, kush është dakord me propozimin e Zotit Broci, Shfuqizimin e… Si ishte propozimi Zoti Broci?
(Presidenti voton pro ndryshimit, ndërkohë nuk di cila është përmbajtja e aktit J)
Artan Broci: Atëherë, propozimi është konkret. Neni 274, pika 2 të vendimit të datës 16 shkurt 2011 “Për organizimin dhe funksionimin e komisionit të shqyrtimit të kandidaturave për gjyqtarë”, të behët ky ndryshim. Në nenin 2, të hiqet pika e tretë. Bujar Nishani: Kush është dakord me propozimin e Zotit Broci? Dy, katër, gjashtë, tetë (8). Kundra? Dy, katër, pesë (5). Miratohet
Mire ja kini gjetur fjalen nevojtore e ligjit se vetem keshill i larte i drejtesise nuk mund te quhet me Nishanin Gjin Gjonin dhe vellain e atij qe vrane dhe ky ha ne kockat e tij.