KLD shtyn diskutimin për gjyqtarët abuzues, zgjedh 3 kryetarët e rinj

redaktor

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi dje mbledhjen e radhës, e cila nisi me diskutimet për zgjidhjen e situatës së organikës në lidhje me numrin e gjyqtarëve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, duke mbajtur parasysh dekretin e kreut të shtetit. Por ndërsa janë zgjedhur edhe tre kryetarët e rinj në gjykata, kur ka ardhur radha e diskutimit për masat e kërkuara nga ministri i Drejtësisë Nasip Naço për 4 nga gjyqtarët e gjetur me shkelje, është vendosur shtyrja e diskutimit për një tjetër mbledhje për shkak të ngarkesës së punës në rendin e ditës dhe specifikës së çështjes.

Në vijim të rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi kandidaturat për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Apelit Durrës. Pasi dëgjuan platformat e dy kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin si kryetar të Gjykatës së Apelit Durrës, të Petrit Çenos. Më tej u shqyrtuan kandidaturat për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Dibër. Pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin përkatësisht si kryetar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër të Halil Vanit. Në fund u votua për kandidaturën e Gentiana Xhelili, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Sarandë, për emërim e saj në krye të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë. Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi t’i propozojë Presidentit emërimin e Gentiana Xhelilit. Në fund u vendos që mbledhja e radhës të mbahet me një seancë plenare të veçantë në datë 15 prill 2014.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *