Klea, studentja e shkëlqyer e mjekësisë: Si të shkoni një vit në SHBA pa pagesë

entela

Klea Troka, studentja e shkëlqyer e mjekësisë që jetoi dhe studioi një vit në Amerikë, ka një thirrje me rëndësi për të gjithë gjimnazistët në Shqipëri:

Të gjithë nxënësit e lindur nga 1 janari 2003 deri më 15 korrik 2005 që janë në klasën e dhjetë (10) ose të njëmbëdhjetë (11) dhe që kenë njohuritë gjuhës angleze, programi YES u ofron mundësinë për të jetuar me një familje amerikane dhe për të studiuar në një shkollë të mesme në Shtetet e Bashkuara për një vit pa pagesë

Entela Resuli

Klea Troka sapo ka përfunduar studimet për mjekësi dhe aktualisht është praktikante në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Në përfundim të saj ajo pret të emërohet në një institucion shëndetësor për të punuar.

Klea është nga ato vajza që ka shkëlqyer gjithmonë në shkollë. Një nxënëse ekselente që disiplina në studime nuk e ka lënë asnjëherë në baltë.

Sot, përveç mjekësisë ajo është edhe Koordinatore e Alumnive, të gjithë studentëve që kanë provuar të jetojnë dhe studiojnë një vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fal Programit Yes, mundësuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Edhe vetë Klea ka studiuar dhe jetuar për një vit në Ohio të ShBA-ve nëpërmjet këtij programi. Një eksperiencë që i ka ndryshuar jetën, që e ka bërë të vlerësojë gjerat më pozitive rreth vetes dhe të mos shqetësohet për problemet e vogla.

Vajza e cila ka lindur dhe jetuar në qytetin e Lushnjes, nuk e kishte besuar se një ditë do të jetonte në një shtet të Amerikës.

Por ja që këmbëngulja dhe studimet shpesh të hapin shumë rrugë në jetë. Klea në vitin 2011 ishte një nga nxënëset që fitoi këtë program dhe u prit në një familja amerikane, me të cilën sot ka ende lidhje, dhe ata e konsiderojnë si vajzën e tyre.

Klea është një vajzë modeste, e çiltër dhe e thjeshtl. Mezi pret të filloi punë si mjeke, por nga ana tjetër ndjen edhe përgjegjësin e madhe që do të këtë.

Eksperiencën në SHBA e konsideron si ndër më të bukurën në jetën e saj, ndaj e sugjeron për të gjithë gjimnazistët, pa dallim, duke mos pasur droje nëse janë nga Lushnja, Fieri, Shkodra apo gjetkë. Ky program zgjedh më të mirët.

Jemi në ditët kur mund të aplikoni për këtë mundësi, ndaj, kriteret dhe gjithçka duhet për të bërë pjesë e tij i gjeni në këtë intervistë me Koordinatoren e Programit Yes në Shqipëri.

 

-Klea, sapo ke përfunduar 6 vite studime për mjekësi, na trego diçka më shumë për veten dhe pse zgjodhe këtë degë?

Po, këtë Korrik mbërrita në përfundim të ciklit 6-vjeçar të studimeve, por më shumë sesa mbylljen kam shijuar rrugëtimin gjatë këtyre viteve. Me mjekësinë u ndesha fare rastësisht, ashtu e sollën rrethanat e atëhershme. Unë kam dashur të bëhesha inxhiniere farmaceutike kjo për arsye të disa kujtimeve të ëmbla fëmijërie në shtëpinë e gjyshërve dhe për kuriozitetin që kisha çfarë ndodh kur përziejmë substancat bashkë. Këtu në Shqipëri nuk ishte si degë, prandaj mendova farmacinë. Mirëpo gjatë një projekti shkolle,  ku unë duhet të gjeja një person të profesionit që doja dhe të qëndroja me të gjatë punës së tij ne nuk gjetëm dot një farmacist. Kishim njohje me një mjek urgjencë, i cili më ftoi të kaloja dy javë me të në urgjencë. Aty besoj se gjeta veten dhe ndryshova mendim çfarë doja. Adrenalina e punës dhe kënaqësia shpirtërore që merrje kur dilje nga dhoma e pacientit ishin tepër të mëdhaja, dhe për më tepër mjekësia ishte edhe një miksim i farmacisë, barnave,  atyre çfarë unë doja e madje më tepër sepse nuk ndalonte aty, vazhdonte me tej.

-Ke qenë nga ato nxënëse që merrje vetëm dhjeta…?

Në gjimnaz apo në universitet? (qesh) Nuk kam dashur të identifikohesha vetëm me notat, por nëse do të pyesje shokët e mi të gjimnazit ata do thoshin po. Unë jam shumë e pasionuar pas “të mësuarit” dhe e bëj edhe gjatë kohës së lirë. Asnjëherë se kam ndjerë si detyrim ndaj notave apo ndaj shkollës, është thjesht pjesë e imja dhe e asaj çfarë më bën të lumtur në fund të ditës.

Ndërsa në universitet kam rezultate shumë të larta, por jo vetëm dhjeta.

Kur kam qenë më e vogël, kam ndjerë nga shokët një tip paragjykimi që s’duhet të jesh vajza që merr dhjeta në shkollë, dhe shpeshherë ndihesha edhe në faj për këtë.

Por tani mendoj për ato vajza të vogla që janë në shkollë dhe plot vullnet dhe pasion i dedikojnë shumë kohë procesit të të mësuarit. Dhe dua të jem një model për ato e tu them që në fakt të jesh vajza që merr dhjeta është shumë mirë dhe duhet të vazhdoni kështu e të punoni fort për të gjitha ëndrrat që keni

-Tani në çfarë momenti je?

Tani jam duke kryer praktikën 3-mujore në QSUT, dhe pas mbarimit pres të jap provimin e licencimit për të ushtruar profesionin. Praktika në kushtet kur je i sapo diplomuar ka disa ndjesi të tjera, të ndryshme nga koha kur ishe student. Shtohen përgjegjësitë dhe aty e kupton që rrugëtimi për t’u bërë mjek është e vazhdueshme.

-Ndërkohë Klea, ti je një nga ato vajza që ke fituar Programin Yes dhe ke jetuar për 10 muaj në Amerikë, na trego pak për këtë eksperiencë?

Unë kam fituar programin në vitin 2011, kur  isha në klasë të njëmbëdhjetë në gjimnaz. Programi më ofroi mundësinë që të jetoja me një familje amerikane në Ohio, dhe të ndiqja vitin e fundit të gjimnazit atje. Me familjen ishte një përshtatje e menjëhershme. Kishim gjetur njëri-tjetrin. Janë një arsye madhore për mua se përse viti shkoi aq mirë. Vazhdojmë mbajmë kontaktet dhe madje motra ime amerikane ka ardhur edhe të më vizitoj këtu.

Për programin dëgjova nga një lajmërim në shkollë. Faza e parë ishte një provim anglishteje dhe kemi shkuar bashkë me disa shokë e shoqe të tjerë thjesht për ta provuar. Pastaj kalova në fazat e tjera të cilat ishin ese, intervistë dhe plotësimi i dokumenteve. Kalon një periudhë e gjatë deri sa ti merr një përgjigje dhe unë e kisha harruar plotësisht. Mbaj mend që një ditë Marsi, vjen babi në shtëpi dhe më jep lajmin që e kisha fituar. E kishin marrë në telefon nga programi.

-Çfarë mësove nga qëndrimi jashtë vendit?

Oh, vërtet shumë gjëra. Si fillim pash sa të ndryshëm janë njerëzit dhe fillova ta vlerësoja shumë diversitetin. Më ka qëndruar akoma. Më pëlqen të njoh njerëz me botëkuptime të ndryshme nga unë, të cilët sfidojnë botëkuptimet e mia.

Mësova të mos shqetësohesha për problemet e vogla, të isha optimiste, dhe e gjeta veten në një ambient që të motivonte shumë të kishe ëndrra të mëdha. Mundohem ta bëj edhe këtu me njerëzit që më rrethojnë. Vërtet dua të jap suportin dhe mbështetjen time që secili të japi më të mirën.

-E mendove për një moment që të vazhdoje edhe studimet e larta atje?

Po, e mendova. Por akoma nuk i kisha plotësisht idetë e qarta çfarë doja dhe rruga e mjekësisë andej ishte më e kushtueshme dhe më e gjatë, prandaj zgjodha ta vazhdoja këtu.

-Pse duhet një adoleshentë të provojë Programin Yes?

Hm, sepse nëse do të pyesin të gjithë ata që e kanë provuar, do t’u përgjigjen që i ka ndryshuar jetën. Është një mundësi për ta kuptuar më mirë veten, për të parë çfarë të pëlqen, për të provuar aktivitete jashtëshkollore dhe sporte që nuk i ke pasur mundësitë më përpara.

Është një mundësi për të njohur njerëz nga e gjitha bota e për të krijuar kontakte. Atje fiton një familje të dytë dhe pastaj kur rikthehesh je pjesë e familjes së madhe të YES-it. Programi nuk mbaron me aq. Gjatë gjithë kohës ti ke suportin e programit jo vetëm për t’u rritur si një profesionist i ri në fushën tënde, por edhe për t’i dhënë mbrapsht komunitetit këtu. Ne bëjmë gjëra të vogla, po me shumë dashuri dhe mundohemi gjatë gjithë kohës të përcjellim eksperiencën tonë.

-Si ishte familja jote pritëse dhe çfarë mësove prej tyre?

Familja pritëse për mua ka qenë vërtet shtylla ime e fortë që më mbështeste në gjithçka. Ata ishin shumë të pasionuar të njihnin kultura të tjera, dhe më bënin të ndihesha e vlerësuar që isha aty. Ishin shumë persona aktivë të gjithë, dhe gjatë gjithë kohës ishin duke u marrë me diçka, pra ditët ishin shumë të mbushura. Ishin një miksim i bukur sepse merreshin edhe me shkencë edhe me art. E vlerësonin shumë kohën familjare dhe pavarësisht sa të zënë ishin, gjithmonë kishte vend për familjen dhe për bisedat ku secili ndante më shumë nga dita. Ah po, edhe për punët e shtëpisë ndihmonin të gjithë.

-A ishte një eksperiencë me vlerë për ty?

Po plotësisht. Ja edhe tani pas kaq shumë viteve, vazhdoj dhe lumturohem kur flas për të.

 

-Ndërkohë tani je në një fazë që po bën praktikën dhe pas disa muajsh, sipas rregullave ti do të emërohesh për të punuar diku,  a ke ndonjë preferencë. Ku do të doje të punoje?

Unë jam në atë fazën e udhëkryqit, ku akoma nuk është plotësisht e qartë çfarë do ndodhi më vonë. Sigurisht që do më pëlqente në poliklinikat e lagjes. Aty ke mundësinë të ndjekësh një pacient gjatë gjithë kohës dhe e kupton më mirë historinë e tij. Mjeku i përgjithshëm është shumë i rëndësishme sepse ai duhet jo vetëm të merret me pjesën e shërimit, por edhe me pjesën e parandalimit dhe zbulimit në kohë të hershme të sëmundjeve. Gjithashtu si opsion e mendoj edhe urgjencën kombëtare, sepse ke mundësi të jesh në lëvizje dhe mendoj që jam goxha e ftohtë dhe e qetë në menaxhimin e situatave emergjente.

-Klea, shumë të rinj, që përfundojnë studimet për mjekësi ose infermieri, po largohen në Gjermani, ti e mendon si alternativë?

Për momentin jo, për arsye të gjuhës të cilën nuk kam filluar ta praktikoj. Gjithashtu sepse nuk është te ajo farë e shikoj veten të paktën për këto vitet e afërta.

Por, nuk mund ta mohoj që mbetet një alternativë. Është një mundësi për të avancuar në edukim, karrierë dhe profesion.

-Të vjen keq që bashkëmoshatarët e tu largohen…?

Jo nuk më vjen keq. Sepse mendoj që çdo investim në edukim dhe përmirësim të vetes asnjëherë s’mund të jetë gabim. Plus që një eksperience jashtë vendet të bën shumë mirë, në shumë aspekte. Të skalit më shumë si individ. Të gjithë duhet ta kenë një mundësi për të parë sa e madhe është bota dhe sa e vogël njëkohësisht. Nga zona e komfortit duhet dalë vazhdimisht, sepse vetëm kështu mund të kuptosh  sa potencial të madh për të ndryshuar mbart ti si individ. Pastaj mendoj që në mos të gjithë, një pjesë do të kthehen një ditë. Dhe atë ditë që do të vijnë, do të jënë më të mirë se ishin, dhe do të kthenin mbrapsht një kontribut akoma më të madh për vendin tonë.

-Ndërkohë na trego pak më shumë për pozicionin tënd në Programin Yes?

Unë tani punoj si Koordinatore e Alumnive. Pra unë punoj me të gjithë pas kthimit kur mbaron programi. Ne bashkë mundohemi që të realizojmë projekte të ndryshme vullnetare. Kemi realizuar projektin Braille, ku kemi krijuar broshura dhe menu në shkrimin Braille, kemi organizuar evente të ndryshme pastrimi,ëorkshope për shëndetin mendor, aftësitë profesionale, shkrimin e CV, të ushqyerit e shëndetshëm. Studentët kur kthehen realizojnë edhe projekte te vogla në qytet e tyre, u mësojnë në mënyrë vullnetare fëmijëve anglisht, kalojnë kohë te shtëpia e fëmijës apo te shtëpia e të moshuarve. Kryesisht janë tepër aktivë në komunitetet e tyre, të parët për të marrë iniciativa si dhe për të qënë vullnetarë në iniciativat e të tjerëve

-Kush mund të aplikoj për këtë program dhe cilat janë kriteret, afatet?

Duhet të plotësohen këto kritere: të jenë të lindur nga 1 janari 2003 deri më 15 korrik 2005 SI DHE
në klasën e dhjetë (10) ose të njëmbëdhjetë (11) DHE të kenë njohuritë gjuhës angleze. Nxënësit me aftësi të kufizuar duhet të jenë të lindur nga 15 shkurt2002-15 korrik 2005 dhe të jenë në cilindo klasë.

Provimi i parë është në datën 1 Nëntor në qytetin e Fierit, shkolla e Mesme Flatrat e Dijes, ose në 2 Nëntor, në Tiranë, të Universiteti Marin Barleti, kampusi në Selitë. Testi i parë do të jetë një ese në gjuhën angleze, për të kuptuar përshtatjen e nxënësit me programin. Për ata që kalojnë në fazën e dytë, testimi i dytë do të jetë brenda disa ditësh dhe do të përfshijë sërish shkrimin e esesë, një test të
gjuhës angleze të tipit TOEFL, intervistat me gojë dhe formularin e aplikimit.

Dhe mos të harrojmë që me vete në ditën e testimit duhet të kenë: – pasaportë, certifikatë lindjeje me fotografi; ose kartë identiteti dhe – një stilolaps të zi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *