Në qytetin e Durrësit, në Galerinë e Arteve Pamore janë hapur dy ekspozita. Një fotoekspozitë nga një arbëresh, si dhe një ekspozite pikture nga një qytetar durrsak që banon në Itali. Arbëreshi, Prof. Dr. Luis De Rosa, “Kavalier i meritës së Republikes Italiane”, ka sjellë nëpërmjet fotove interesante historikun e një zone (Hore) arbëreshe e cila ka qenë një ngulim shqiptar që para periudhës së vdekjes së Skënderbeut: Ururi.
“Mamaja ime ka qenë me origjinë nga Lëkuresi i Sarandës, – thotë ai. – Ndërsa datimi i fillimit të jetës së fshatit tim arberësh, kur baron i vëndit u dha lejë që të banonin atje, është viti 1465, 3 vite para vdekjes së Skënderbeut. Ndaj u themi miqve të tjerë se “ne jemi arbëreshë me shpatë në dorë”!
Kavalieri i meritës De Rosa thotë se ekspozitën në Durrës e ka hapur për të njohur studiuesit dhe shqiptarët se sa pak në ato vise e dinë se në zonën tonë jetojnë arbereshë, pasi shumë vetë mendojnë se arbëreshët jetojnë në Kalabri dhe në Sicili.
“Viset arbëreshe që paraqiten edhe në ekspozitë, i përkasin krahinës së Molises, një rajon mes Foxhias dhe Peskarës. Këto fshatra deri në vitin 1811 i kanë përkitur krahinës së Apulias me kryeqendër Fociera. Sot është kryeqendër Foxhia”.
Pjesa e parë e ekspozitës është historia e fshatit me të dhëna për historikun e tij dhe aktivitetet e bëra lidhur me identitetin arbëresh, përpjekjet që janë bërë me botimin e librave, gazetave. Ai shpjegon se popullsia është në ulje.
“Kemi zbritur në rreth 3000 vetë, – thotë. – Më parë kemi qenë rreth 5000 vetë. Po kjo ulje ka ardhur sepse aktiviteti ynë është kryesisht bujqësia, që të rinjtë e sotëm nuk e perferojnë shumë. Dhe kjo ka bërë që ata të largohen. Kohët e fundit kemi edhe një komunitet shqiptarësh që e kanë shtuar numrin e banorëve. Janë bërë edhe rreth 15 martesa vajzash me shqiptarë, ndërsa e kundërta nuk ka ndodhur, që të martohen burra shqiptarë me vajza italiane ose arbëreshe. Me këtë ekspozitë unë kam realizuar një pamje historike dhe brenga më e madhe është se pas shekujsh fëmijët tanë e kuptojnë arbërishten dhe nuk e flasin. Por ka edhe më keq. Ka edhe refugjatë nga Shqipëria që nuk flasin as shqip dhe as arbërisht. Ky brez mendon vetëm për para dhe thotë se kultura nuk të jep bukë”.
Kavalieri i Meritës Prof. Dr. Luis De Rosa ka lindur në fshatin Arbëresh Ururi më 5 tetor 1944. Ka shërbyer si pilot në aviacionin ushtarak italian. Tashmë ai është në pension. Ai thotë se është diplomuar për gjuhë të huaj dhe se ka marrë vite më parë të drejtën për të dhënë gjuhën arbëreshe. Ka një vajzë dhe një djalë respektivisht 40 dhe 37 vjeç. Vajza e ka bërë gjysh. Ka një djalë 7-vjecar që e flet mjaft mirë arbërishten. Ai ka shkruar disa libra, ndërsa kujton se vargjet e para, rreth 16 poezi, i ka botuar nga Ernest Koliqi në revistën letrare “Shejzat”. Më pas ka botuar “Patos nga Ruri”, “Lule me gjëmba”, “Gjuha Mëmë”, triptik, kushtuar Prishtinës në vitet 1997-98, “Abetare Arbërisht”, një gramatikë arbërishte, me variantin “Unë jam Arbëresh” etj.
Dëshpërimi arbëresh
Ekspozita ishte mjaft tërheqëse dhe me një shtrirje të madhe në thellësi të kohëve të epokës së Skënderbeut. Po ajo që të bie në sy është edhe një dëshpërim mjaft i thellë në disa nga fotot e vendosura në stenda. Në foton që paraqiste një pamje të fëmijëve garues me biçikleta pas mbylljes së Selisë së Shoqatës Kulturore Arbëreshe është vendosur edhe një shënim që përkon me mbylljen e saj dhe që daton në vitin 2010.
Teksti shkruan se “Viti 2010 shënon humbjen e shpresave për të mbajtur kulturën amtare, sikurse edhe rënien e aktiviteteve lidhur me vetëdijen arbëreshe. Institucionet, thekson shënimi, përveç përkrahjes formale, praktikisht nuk përgjigjen dhe s’kanë interes për çështjen e gjuhës dhe kulturës vendase. Selia e Shoqatës kulturore arbëreshe mbyllet dhe për vitin e fundit u zhvilluan garat e çiklistëve me fanellat tona me shqiponjën dykrenore dhe Skënderbeun.
“Fatkeqësisht situata e gjuhës në fshat është në humbje. Edhe dy breza dhe arbërishtja nuk do të flitet më dhe me kohë do të harrohet edhe prejardhja. Çdo gjë do të integrohet vetëm me kulturën italiane dhe nuk do të mbesë as kujtesa”.
Dhe si rezultat në dëshpërim e sipër apeli thekson: “U bëjmë thirrje qeveritarëve shqiptarë kushdo që do të jenë në pushtet që të angazhohen me marrëdhëniet dypalëshe me shtetin italian që arbërishtja të jetë lëndë e detyrueshmenë shkollat e fshatrave arbëreshë”.
***
Pas shënimit të dëshpëruar për fatkobin që e pret gjuhën arbërore në këto fshatra, në ekspozitë është kujtuar edhe pika kulmore kur mësimi i gjuhës kishte marrë hov. Ai ishte viti 1968. Poshtë një fotoje të ekipit të Komitetit të Mbrojtjes së Gjuhës Arbëreshe në Molise, shënohet se “hov i ri për arbëreshët dhe kulturën vendase shënohet në vitin 1968. Krijohet Komiteti për të mbrojtur gjuhën arbëreshe ne Molise. Zhvillohet i pari kurs gjuhe në arbërisht dhe një delegacion i Komitetit shkon në Romë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut”.
***
Fazat e ardhjeve dhe mbiemrat e origjinës së një pjese të popullsisë arbëreshe në Molise
Interes ngjalli në ekspozite edhe një detaj. Mbiemrat që mbajnë. Si pjesë plotësuese e historisë së tyre për të cilën autori ka frike se është në shuarje e sipër. Ai shkruan se një pjesë e këtyre arbëreshëve (të ashtuquajtur Koronejtë nga Korona e Moresë) shkuan në vendet ku ndodheshin të ardhurit që në kohën e Skënderbeut. Me urdhër të Perandorit Karli V Koronejtë patën disa privilegje dhe nuk ishin të detyruar që të paguanin tatimet.
Autori ka nënvizuar se “Koronejtë që u shtuanë në fshatrat tona mbanin dhe mbajnë këto mbiemra: Lëkurs-i (Licursit), Frate-t (Frate), Peta-t (Peta), Glavë-t (Glave), Papë-t (Papa), Papadopuj-t (Papadopuli), Dardesi-t (Dardes), Manësi-t (Manes) Sulë-t (Sollo), Golemë-t (Golemme), Sarracinë-t (Sarracino), Jonace-t (Ionaçi), Lopësi-t (Lopez), Floke-t (Floço), Greke-t (Greco), Toskë-t (Tosques), Rotonde-t (Rotondo), Germenë-t (Grimani), Këmbëthegritë (Campofredano), Kolakristë-t (Colagresti), siç duket të gjitha emra me prejardhje nga veriperëndimi i Poloponezit ( Morea).
***
Lidhur me këtë ekspozitë, Drejtori i Muzeumeve Rajonale Edmond Agolli thotë se është nga me të rrallat dhe më me vlera që janë hapur në qytetin e Durrësit kohët e fundit. Ai përmend se mes të tjerash ekspozita sjell edhe një fakt se si një bir i këtyre viseve arbëreshe, ka qenë një politikan i kualifikuar i Partisë Socialiste Demokratike Italiane që ka arritur deri në detyrën e Ministrit të Industrisë, Ministrit të Mbrojtjes dhe të Financës si dhe të zv.kryeministrit të Italisë, Mario Tanassi.
ne po na hiqen te drejtat elementare te jeteses ne shqiperi , kta ankohen per humbjen e gjuhes ,per cfare lloji identiteti flitet se kur je nen standartin human, kjo lloj kerkese kalon ne absurditet, te me ndjeni por realiteti eshte teper i hidhur ne vendin ame