Shpesh duhen 2 elemente për të bërë krahasime apo paralelizma. Shprehja “Sorrë apo shqiponjë” është më e lakuara e fjalorit politik të këtyre ditëve.
Kjo shprehje figurative tregon në fund të fundit disbalancën e tyre jo vetëm nga përmasat, format dhe përbërja, por edhe nga funksioni, instinktet, intuita, lëvizjet, sjelljet apo të vepruarit e të menduarit etj. Ajo pra, tregon një kontrast të madh midis njërës e tjetrës, duke ia zbehur plotësisht kuptimin fjalës “shqiponjë” dhe njëkohësisht ia merr të gjithë ngjyrën që ka (të zezën) dhe ia mbivendos mbi një tjetër trup më të vogël dhe më të shëmtuar, e cila edhe pse e ka, e pranon me kënaqësi.
Ndërkohë “sorra” i merr edhe madhështinë, pompozitetin dhe ndoshta dalëngadalë e shndërron, e deformon dhe e çon deri në asgjësim. Pra “shqiponja” kthehet në “sorrë” si nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja. Ajo shndërrohet, shpërfytyrohet dhe kthehet në një masë amorfe pa instinkte, në një grumbull pa formë, në një përzierje mendimesh e idesh pa vlera.
Në fund të fundit kthehet në identitet “sorrë” me të gjitha cilësitë e saj fizike e morale. Këtu futet në lojë “klloçka”, e cila kur kupton diçka, fillon të kërkojë zogjtë e saj të tradhtuar e të braktisur nga vetë ajo. Ata kuturisin, qajnë dhe kërkojne strehim, por ndërkohë “klloçka” ka filluar të shtrojë të tjera vezë më të vogla, ndoshta edhe ”klluqe”.
Ato sado t’i ngrohësh, nuk nxjerrin më as zogj sorre e aq më tepër shqiponje. E pra, “klloçka” që kakariste aq fort, tani i ka braktisur, i ka lënë në mëshirë të fatit. Ata padyshim që ndonjë “klloçkë” tjetër do të mundohet t’i afrojë në shtëpinë e vet.
”Klloçka” në fjalë akoma klluqurit, kakarit e gëlthet, por fati i saj tashmë është vendosur. Pa u rritur mirë, ajo u plak dhe shkon drejt vdekjes (politike). “Klloçka të tjera ka, mund të kenë fatin e saj, mund të klluturiqin pa vezë fare, mund të ngordhin, por një gjë është e sigurt: Kokoshi do të jetë gjithmonë gjallë e në krye. E pra, lexues i dashur! Tani vetë ju mund ta kuptoni se është ”shqiponjë”, ”sorrë” apo ”klloçkë” e plakur, e vetmuar, e dëshpëruar dhe qesharake.
57% e shkollarëve shqiptarë mund ta lexojnë dhe ndoshta po kaq përqind edhe “mund” ta kuptojnë me vështirësi nëse janë duke pirë kafe dhe kamerieri e ka gazetën në lokal. Pjesa tjetër dhe lexuesi i vëmendshëm nuk e ka problem për ta lexuar.
Me respekt, Skënder Dema, mësues, Tiranë