Tirana vazhdon përforcimet edhe në udhëtim. Me bardheblutë që paraditen e së dielës u nis drejt Zllatiborit, për fazën përgatitore, në Serbi skuadrës i’u bashkua edhe Klodian Gjino. Bëhet fjalë për një futbollist cilësor, të rritur në Akademinë e gjigandëve grekë të Olympiacos-it. Beratasi 22-vjeçar ende nuk ka firmosur kontratë me Tiranën. Mesfushori nuk është një lojtar i panjohur në Shqipëri, për faktin se ka përfaqësuar ngjyrat kuqezi me Kombëtaren e 19-vjeçarëve, ndërsa numëron edhe dhjetë ndeshje me ekipin Shpresa.
Klodian Gjino është rritur si futbollist te Olympiacos-i, ku pasi përfundoi aventurën në Akademinë e klubit nga Pireu, në vitin 2013 u huazua në radhët e Fostiras, ndërsa ka mbrojtur ngjyrat e Arisit të Selanikut, Panargiakos dhe sëfundmi Kalamata-s në gjysmën e dytë të sezonit që u mbyll. I gjatë 1,81 metër, Gjino preferon të luajë në rolin e mesfushorit me tipare ofensive pas shpinës së sulmuesit, por mund të aktivizohet edhe në krahun e djathtë.
Fillimisht ai do të mbahet nën vëzhgim nga trajneri Ilir Daja dhe stafi teknik i 24-herë kampionëve, të cilët më pas do të vendosin nëse do t’i ofrojnë qëndrimin afatgjatë, për të vazhduar karrierën në Kategorinë Superiore.
