E ftuar në intervistën e mbrëmjes, në RTV “Ora News”, deputetja e Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu, ka folur për programin socialist për sektorin e shëndetësisë.
“Kronikat spitalore nuk janë të rralla në kronikat tona. Ne kemi programin tonë për të ndryshuar sektorin e shëndetësisë. Partia Socialiste është për një ndryshim rrënjësor të këtij sistemi sepse ky sistem që ka qënë deri tani nuk ka pasur rezultatet e duhura”,tha Spahiu.
Deputetja e PartisëSocialiste u shpreh gjithashtu se: “Për socialistët mbrojtja e shëndetit është detyrë e shtetit. Shëndeti i njeriut është gjëja më e shtrenjtë dhe si e tillë është dhe më e kushtueshmja. Është e pafalshme për politikanët që të dalin dhe të thonë që kjo gjë është e paralizueshme nga ana e Partisë Socialiste. Ata duhet të dalin dhe të japin llogari pse është në këtë gjëndja shëndetësia në vendin tonë. Gjëndja e spitaleve sot është më e keqe se ajo e shumë viteve më parë, asnjë qytetar nuk është i kënaqur me këtë shërbim. Pacientit nuk mund ti thuhet kur të vjen i sëmurë dhe ka nevojë për të marrë shërbimin mjekësor se nuk mund të të shërbejë pasi nuk ke librezë shëndetësore.”
“Ndryshimin në sektorin e shëndetësisë Partia Socialiste nuk do ta bëjë vetëm me fjalë por me vepra. Nuk e ka fajin sistemi shëndetësor, por mënyra se si menaxhohet ky sistem. Në fund të fundit një qytetar i papunë taksohet më shumë se një i punësuar, prandaj nuk i thuhet dot që ti nuk paguan dhe nuk mund ta përfitosh këtë shërbim”, ka theksuar Spahiu
Pyetjes se si do të jetë sistemi shëndetësor n.q.s Partia Socialiste fiton zgjedhjet dhe do të ketë qeverisjen e vendit, Deputetja e PS-së u përgjigj: Vetëm vullneti i një kryeministri mund ta bëjë të realizueshëm këtë projekt të ri të shërbimit shëndetësor. Në Shqipëri nuk ka një kostifikim real se sa kushton një operacion. Shkalla e abuzimit ndodh në çdo hallkë të këtij sistemi, abuzon kryeministri, abuzon ministri i shëndetësisë, abuzon drejtori i spitalit, abuzon mjeku, abuzon infermieri e kështu me rradhë. Duhet të investohet më shumë në luftën kundër këtyre abuzimeve, pasi vetë politika që ndjek qeveria e tanishme, është abusive. Një politikë e mirë shëndetësore duhet të investojë në parandalimin e sëmundjeve kronike, kardiovaskulare, diabetike, etj. Duhet të parandalohet obeziteti që në moshën fëminore.”
“Ne nuk mund të hedhim poshtë punën e kryer deri tani, por unë mendoj se janë bërë reforma për të reformuar reformën dhe këtë nuk mund ta bësh. Reformat bëhen që shërbimi i tanishëm të jetë më i mirë dhe më cilësor se i kaluari, të ketë medikamente që kanë munguar më parë, n.q.s sgjë nga këto nuk ndryshon por mbeten si më përpara, atëherë këto nuk mund të quhen reforma. Tek ne ka ardhur teknologjia më e përparuar në mjetet spitalore por këto nuk janë politika me vizion. Nuk mund të jetë e pranueshme nga një politikan që të lejojë sistemin shëndetësor në këtë gjëndje dhe ti thotë qytetarit që unë as këtë shërbim nuk ta ofrojë sepse ti nuk paguan.”
“Shërbimi shëndetësor privat ka evoluar shumë vitët e fundit dhe për disa sëmundje të rrezikshme për jetën ne duhet ti themi faleminderit. Me një kryeministër mjek, është e pafalshme që sistemi shëndetësor të jetë në këtë gjëndje. Është një strukturë e lënë në harresë dhe në mëshirë të fatit. Sektori privat është një partner i yni, vetëm n.q.s kemi dy parnerë që konkurrojnë njëri tjetrin atëherë shërbimi do të jetë më i mirë. Duhet të kthehet me patjetër dhe dinjiteti i munguar i figurës së mjekut.”
“Ky është filimi i një beteje, kundërshtimi që bën pala tjetër është shumë i ashpër dhe shumë i padrejtë dhe kjo i detyron njerëzit të dalin jashtë kontureve të tyre”, ka përfunduar Spahiu.