Mbrëmja e Belo Horizontes do të mbetet e paharrueshme për Miroslav Klosen. Goli i minutës së 23-të, i dyti në serinë e finalizimeve të pancerave në fitoren e thellë 7-1 ndaj Brazilit, e shndërron 36-vjeçarin në golashënuesin më të mirë të botërorit, duke lënë pas edhe Fenomenin Ronaldo. Një statistikë e pabesueshme për një sulmues që ka debutuar në Kupën e Botës në vitit 2002. Katër herë radhazi në gjysmëfinale, 16 gola të shënuar, duke lënë pas emrat më të mëdhenj të historisë së futbollit. Ronaldo është ndalur në shifrën e 15 golave, Gerd Muller nuk shkoi më shumë se 14 finalizime, Fontaine 13 dhe mitiku Pele 12. Për Miron, është një ëndërr nga e cila e ka të vështirë të zgjohet.
“Ende nuk po e kuptoj se çfarë ka ndodhur, nuk e di çfarë të them. Luajtëm shumë mirë dhe në harmoni të plotë. Bëmë thjesht ato gjëra që i provojmë në stërvitje. S’ka asgjë të veçantë. Jam shumë i lumtur për golin tim”, tha bomberi gjerman.
Thjesht magjik edhe Thomas Muller, i cili u ngjit në kuotën e 5 golave në Brazil 2014, shifër e cila e shpalli golashënuesin më të mirë katër vjet më parë në botërorin e Afrikës së Jugut. Në moshën 24-vjeçare ka arritur shifrën e 10 golave në Kupën e Botës dhe me këtë ritëm mund ta zbresë nga froni mbretin Klose ndoshta që në Rusi 2018.
