Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, zhvilloi një vizitë në Finlandë ku u takua me ministren e Çështjeve Sociale dhe Shëndetit, Hanna Mantayla, si dhe ministren e Arsimit Sanna Grahn-Laaksonnen.
Në takimin mes Klosit dhe homologes Mantayla u vu theksi tek zgjerimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e politikave sociale, si dhe shkëmbimi i eksperiencave në këtë fushë.
Ministri Klosi bëri një panoramë të reformave që po ndërmerr Shqipëria në fushën e politikave sociale, duke vënë theksin tek ndryshimet rrënjësore që po ndërmerren në këtë sektor. Duke bërë një përshkrim të reformimit të ndihmës ekonomike, reformës së PAK si dhe reformën e sistemit të sigurimeve shoqërore, Ministri Klosi kërkoi njohjen e pensioneve për shqiptarët që kanë ndarë vitet e punës, mes Shqipërisë dhe Finlandës. Ai kërkoi gjithashtu mbështetjen e Finlandës për njohjen e pensioneve nga të gjitha vendet nordike. Duke përgëzuar Shqipërinë për këto hapa të rëndësishëm, Mantayla shprehu gatishmërinë për mbështetje në këtë drejtim.
Në takimin me ministren e Arsimit të Finlandës, Sanna Grahn-Laaksonnen, u evidentua thellimi i bashkëpunimit në fushën e Arsimit Profesional, ku ministri Klosi falënderoi Finlandën për mbështetjen në këtë drejtim, shtet me të cilin së shpejti do të nisë edhe binjakëzimi i shkollave pyjore, siç u ra dakord gjatë kësaj vizite pune.
