“Shqipëria punon – Shqipëria ka punë. Nuk është vetëm një slogan, por edhe një realitet i prekshëm dhe i qëndrueshëm”. Kështu është shprehur ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi gjatë konferencës së punësimit, ku merrnin pjesë edhe kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, si dhe presidenti i Shoqatës së Agjencive Private të Punësimit dhe Formimit Profesional, Ermal Jauri. Fillimisht, duke bërë një përmbledhje të punës së kryer në vitin 2015, ai theksoi se falë punës së strukturave të ministrisë, por edhe të fushatës kundër informalitetit që ndërmori qeveria, u nxorën nga puna e zezë 120 mijë persona, ndërkohë që u bë e mundur njëkohësisht të punësohen dhe një numër i konsiderueshëm punonjësish.
“Njëkohësisht, fushata pa kompromis që bëri qeveria në tremujorin e fundit të vitit të shkuar kundër informalitetit, solli si rezultat nxjerrjen nga puna në të zezë të rreth 120 000 punonjësve, të cilët sot janë të siguruar dhe kanë një punë të denjë. Ndërkohë, gjatë vitit 2015 janë punësuar edhe rreth 30 000 punëkërkues”, – tha ministri Blendi Klosi. Ai gjithashtu duke iu referuar pikërisht të dhënave zyrtare të zyrave të Punës, ku rezultojnë rreth 30 mijë vende pune të ofruara nga biznesi privat, theksoi se ato janë tepër domethënëse për punën që duhet bërë për të kualifikuar krahun e punës dhe për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës.
Por përveç përpjekjeve brenda sistemit të shërbimeve të punësimit, Klosi bëri të ditur se ministria ka një qasje të re ndaj të gjithë aktorëve që veprojnë në tregun e punës për lehtësimin e kërkesës me ofertën, siç janë agjencitë private të punësimit, për të bërë një ndërmjetësim të shpejtë e të saktë në tregun e punës, gjë që nxit dhe një mirëfunksionim të tij.
