Në ditën e katërt të aktiviteteve që Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka ndërmarrë në kuadër të 25-vjetorit të Ditës së Rinisë, dhjetëra të rinj kanë fituar sot kontrata dyvjeçare pune në profesione të ndryshme jashtë vendit. Dhe kjo falë profesioneve që ata kanë marrë, kryesisht duke ndjekur Arsimin Profesional. K
ontratat janë bërë të mundura falë bashkëpunimit mes “Europe Agency” dhe zyrave të Punës, të cilat në zbatim të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar më parë me MMSR-në, kanë mundur t’iu ofrojnë qindra të rinjve deri më tani mundësinë për një punë të denjë dhe të mirëpaguar.
Ministri Blendi Klosi theksoi se kërkesat e biznesit dhe tregut të punës janë një tregues i qartë se orientimi drejt arsimit profesional është rruga e duhur për të gjithë ata të rinj që kërkojnë jo vetëm një punë, por edhe një jetë më të denjë.
“Kërkesa e agjencive të punësimit, si “Europe Agency”, për punëtorë të kualifikuar, është një kërkesë që duhet të na bëjë që të kuptojmë se Arsimi Profesional, kualifikimi, dija, zeja, janë mënyra më e mirë për të jetuar”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij. Për këtë arsye, theksoi ministri Klosi, qeveria shqiptare i ka kushtuar rëndësi të madhe reformimit të Arsimit Profesional drejt kërkesave të tregut të punës, ku çdo kualifikim i dhënë të jetë i orientuar drejt një vendi konkret pune.
Më tej ai ka shtuar se për t’u përballur me papunësinë nuk mjaftojnë vetëm përpjekjet e institucioneve shtetërore, por edhe një angazhim i të gjithë aktorëve, si biznesi apo edhe agjencitë private të punësimit.
“Arsimi profesional nuk është një edukim më shumë, por është një shans më shumë në jetë për të gjetur një punë të denjë dhe të paguar mirë, është një shans më shumë në jetë, por edhe për të ndryshuar përqasjen e këtij vendi. Ne nuk mund të jemi vendi që ofron vetëm punëtorë për pagesa minimale apo profesione që nuk kanë shumë nevojë për shumë aftësi. Ne Arsimin Profesional duhet ta shndërrojmë në një mekanizëm që duhet të ndryshojë nivelin ekonomik të këtij vendi”, tha Klosi.
