Është prezantuar sot studimi i përgatitur nga Qendra për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor dhe UN Women mbi nivelin e përfaqësimit të grave në borde dhe pozicione drejtuese në kompanitë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri.
Prezantimi i studimit u bë gjatë një Konference të posaçme, ku morën pjesë ministri i MMSR-së, Blendi Klosi, zëvendësministrja e Ekonomisë, Adela Karapici, David Saunders, drejtori i UN Women për Shqipërinë, si dhe bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama në cilësinë e drejtueses së grupit të ekspertëve që kanë kryer studimin.
Në fjalën e tij, ministri Blendi Klosi theksoi se tashmë situata e gruas në përgjithësi dhe sidomos gruas pjesëmarrëse në politikat vendimmarrëse është përmirësuar ndjeshëm, duke iu afruar ndjeshëm raporteve të barabarta me burrat.
“Mendoj që duhet të ndihemi me fat që jemi kaq pranë realizimit të një prej aspiratave për të patur barazi. Në fakt, po të shikojmë shifrat nuk jemi në atë nivelin e ideales, nuk jemi në nivelin e barazisë, por jemi shumë pranë dhe jemi në një avangard të zonjave dhe jemi në një konkurrencë të vazhdueshme dhe që tashmë është pranuar kokulur nga burrat. Dhe këtë, fenomen nuk kemi pse e diskutojmë më si një fenomen model, por e kemi si një diçka që jetojmë çdo ditë”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.
Më tej, ministri Klosi theksoi se ajo që do të synojë MMSR nëpërmjet veprimeve dhe masave konkrete në strategjinë e re të barazisë gjinore do të jetë rritja e përfaqësimit të grave në bordet drejtuese e poste të larta nëpër kompani, duke respektuar edhe direktivat në kuadër të integrimit evropian.
Gjithashtu ajo shtoi se “kompanitë publike nën administrimin e qeverisjes lokale kanë vetëm 17.7 % gra anëtare bordi, ndërsa në 42 kompani të tilla nga 76 gjithësej asnjë grua nuk është në bord”.
