KLSH çon në prokurori 2 ish-drejtorët e ALUIZNI-t

anazapta
Vasil Koçia

Kontrolli i Lartë i Shtetit dërgoi dje në Task-Forcën e Prokurorisë së Përgjithshme dosjen me kallëzimin penal ndaj dy ish-drejtorëve të degës së ALUIZNI-t të Sarandës për akuzën “shpërdorim detyre”, në lidhje me 100 legalizime të paligjshme të kryera në zonat arkeologjike dhe vijën bregdetare. Mes të denoncuarve është edhe Vasil Koçia, ish-kryekomunari i Ksamilit, drejtues lokal i PD-së, ish-kandidat për deputet i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit, i 7-i në listën e qarkut të Vlorës. Koçia ka mbajtur këtë detyrë nga viti 2012 kur në Sarandë u ngrit drejtoria e ALUIZN-it dhe deri pak muaj më parë. Bashkë me të është denoncuar edhe ish-drejtuesi i zyrës që varej nga drejtoria e Vlorës nga 2011-2012. Bëhet fjalë për 100 dosje me parregullsi, të gjitha ndërtime pa leje që janë futur në legalizim. Dyshohet për një aferë korruptive që do hetohet edhe nga ana e Prokurorisë pas denoncimit të KLSH-së. Të akuzuar janë edhe 6 ish-krerët e zyrave të kësaj drejtorie me inicialet R. T., L. C., M. N., G. Z., P. P., dhe B. J., që kanë lejuar edhe ndërtime në zonën arkeologjike, si ajo e Butrintit.

 

Dosja

KLSH bëri me dije se kallëzimi penal është bërë pas një auditimi për veprimtarinë e ALUIZNI-t të Sarandës në periudhën 2011-2013. “Nga ky auditim u konstatuan një sërë shkeljesh bazuar në të cilat dërgoi në Prokurorinë e Rrethit Sarandë për kallëzim penal ish-drejtorët e këtij institucioni, R. T., në periudhën janar 2011-gusht 2011 dhe Vasil Koçia, në periudhën shtator 2011-shtator 2013, me akuzën e “shpërdorimit të detyrës për legalizimin e objekteve informale mbi monumentet arkeologjike”, për cenim të integritetit të Monumenteve të Kulturës, si dhe shkaktimin e mungesës së të ardhurave për fondin e kompensimit monetar subjekteve ish-pronarë në buxhetin e shtetit, si dhe për moskryerjen e procedurave ligjore gjatë procesit të legalizimit”, njoftoi institucioni i KLSH.

 

Parregullsitë 

Janë lejuar në kundërshtim me ligjin 45 ndërtime të paligjshme në zonën arkeologjike të Butrintit. Në 148 raste, për sipërfaqen 15,216 m2, janë arkëtuar më pak, në vlerën 158,324,960 lekë, duke ndarë parcelat ndërtimore. Këto sipërfaqe duhet të shiteshin me vlerën e tregut poseduesve, si rrjedhojë është shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit për fondin e kompensimit të ish pronarëve. Në 60 raste për sipërfaqen 1889,34 m2, arkëtuar më pak në vlerën 6,963,959 lekë, duke shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit, pra të ardhura të munguar për fondin e kompensimit monetar të ish pronarëve. Po kështu 12 objekte janë në buzë të rrugës kombëtare. Në komunën Lukovë, zona turistike bregdetare, janë konstatuar 69 raste me shkelje. Në komunën Ksamil, po zonë bregdetare, 24 raste të tjera.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *