Kontrolli i Lartë i Shtetit çon në prokurori dosjen për abuzimet e katër viteve të fundit të kryera në spitalin rajonal të Korçës.
Pas përfundimit të një auditi nga Ministria e Shëndetësisë dhe më tej nga inspektorët e KLSH-së, ditën e djeshme u vendos të bëhej kallëzim penal në Prokurorinë e Korçës, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në adresë të 4 drejtuesve të spitalit, pjesë edhe e komisionit të tenderimeve të ndryshme apo veprimeve financiare, ndërsa janë dërguar për procedim edhe të tjerë mjekë.
Dëmi i shkaktuar llogaritet të paktën 70 milionë lekë, në periudhën 2010-2014.
Dosja dhe të denoncuarit
Sipas raportit të referuar nga KLSH, është vërejtur një abuzim i madh me fondet, kryesisht në blerje dhe investime që janë kryer në këtë spital.
Ndërsa përgjegjës për situatën janë kallëzuar Ylli Qirinxhi, Artan Buzo, Riza Ashimi dhe Mishel Papakozma, që mbajnë poste drejtuese në këtë institucion, ndërsa do hetohen edhe disa vartës të tyre, kryesisht mjekë, që kanë qenë pjesë e komisioneve në tenderimet e kryera katër vitet e fundit.
Abuzimi është konstatuar fillimisht pas një auditi të brendshëm nga Ministria e Shëndetësisë, ku bëhet fjalë për çmime fiktive të blerjeve dhe investimeve të kryera në emër të spitalit.
Fatura të fryra dhe shpenzime të pajustifikuara janë bërë prej vitit 2010, deri në 2014, nga drejtuesit dhe vartësit e tyre, ku dyshohet se ka pasur edhe qëllime përfitimi, që do hetohen nga organi i akuzës.
Dosja voluminoze do të shqyrtohet nga grupi i Task-Forcës pranë organit hetimor, për të vijuar edhe me ngritjen e akuzave konkrete pas hetimit të plotë.
5 mld lekë dëm në 2014
Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi se gjatë vitit 2014 ka depozituar 41 kallëzime penale për 149 persona, me një vlerë dëmi ekonomik mbi 5 miliardë lekë.
Lajmin e bëri të ditur Koordinatori i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Pjetër Përleshi, gjatë tryezës së rrumbullakët të organizuar nga OPDAT-i Tiranë, me pjesëmarrjen e Kryetarëve të NJPH, përfaqësues nga Prokuroria e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
Ai vlerësoi se KLSH i jep prioritet luftës kundër korrupsionit dhe këtë e tregojnë shifrat e dosjeve të referuara në prokurori dhe dëmi i zbuluar, që i është shkaktuar arkës së shtetit.
Krahasuar me vitin 2013, si numër janë bërë 4 kallëzime më tepër, si dhe janë paraqitur përpara organeve të drejtësisë më tepër 56 persona.
